RUSI – Shefi i Këshillit të Sigurimit hedh poshtë zhurmën e medias për Ukrainën

by admin
Spread the love

MOSKË, 30 janar /ATSH-DPA/- Shefi i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev ka hedhur poshtë akuzat se vendi i tij përbën një kërcënim për Ukrainën.

“Për momentin po flitet se Rusia kërcënon Ukrainën”, tha sot Patrushev në Shën Petersburg, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

“Ky është një absurditet i plotë, nuk ka asnjë kërcënim”, shtoi ai.

Ish-kreu i agjencisë ruse të sigurisë së brendshme FSB akuzoi gjithashtu Perëndimin për përhapjen e “shpikjeve vetë-shërbyese” në lidhje me një luftë të mundshme.

“Ne nuk duam luftë, nuk na duhet fare”, tha Patrushev.

Më herët, Ministria e Jashtme në Moskë kritikoi ashpër median perëndimore për raportimet lidhur me dislokimet e trupave ruse.

“Zhurma e medias perëndimore për marrëdhëniet ruso-ukrainase ka arritur një pikë vlimi. Ose më mirë, një fazë ekstreme çmendurie”, tha ministria në një deklaratë, duke pretenduar se transferimi i forcave ushtarake në Bjellorusinë fqinje, ishte thjesht pjesë e përgatitjeve për manovrat e përbashkëta ushtarake të planifikuara në shkurt.

Në Perëndim, raportet për një dislokim masiv të trupave ruse pranë Ukrainës kanë shkaktuar shqetësime për javë të tëra, me frikën se Moska mund të planifikojë një sulm ndaj fqinjit të saj, pavarësisht mohimeve të Kremlinit. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like