Rruga e fesë dhe vështirësitë

by admin
Spread the love
Hoxhë Justinian Topulli

Rruga e fesë është rruga e besimit tek e vërteta, virtyti, morali, sinqeriteti dhe ndershmëria. Duke qenë e tillë, shpesh atyre që e ndjekin këtë rrugë, do t’iu duhet të ballafaqohen me intriga, trillime, shpifje, dyshime, shantazhe dhe kërcënime, por edhe sulme dhe dëmtime nga më të ndryshmet. Por janë pikërisht këto virtyte që të japin forcë për të vazhduar dhe për të mos u thyer dhe përkulur para vështirësive.
Të gjitha këto mundime mund të të vijnë nga jashtë, nga ata që nuk të njohin, por edhe nga brenda, nga ata që të kanë halë në sy, apo iu fle miza nën kësulë dhe i hamendësojnë të tjerët si vetja e tyre e përlyer.
Ka edhe nga ata që të luftojnë për arsye bindjesh ideologjike, sepse nuk je si ata dhe të shohin pengesë në rrugën e tyre të pushtetit dhe dominimit. Por e tillë është jeta dhe ligji i Zotit në këtë botë, për të na sprovuar me njëri-tjetrin, me ata që i kemi larg dhe afër.
Çdo ditë që ikën i afrohemi edhe më shumë Zotit dhe ajo që do të marrim nga kjo botë është pikërisht gjurma e mirë që kemi lënë pas, ajo vepër, me të cilën është synuar bota tjetër, ndërkohë që çdo gjë që është ndërtuar në këtë botë, për hir të kësaj bote, do të shuhet, ndaj lum ai që e kupton këtë dhe mjerë ai që nuk e kupton.

Nga: Hoxhë Justinian Topulli

You may also like