Rrëfimi special i Mirlind Dakut: Te Kukësi mësova ndjenjën e të qenit i nënvlerësuar. Mendova të lë futbollin, mund të merresha me lokalin

by admin
Spread the love

“Gjiganti i madh i mirë” është një libër i Roald Dahl, i publikuar më 1982 dhe më pas është bërë edhe film i animuar. Historia flet për një vajzë të vogël, që quhet Sofi dhe një natë që Sofinë nuk e zinte gjumi, ajo shikon një gjigant, i cili e merr në shtëpinë e tij në vendin e gjigantëve. Sofi zbulon se gjiganti i madh i mirë mbledh ëndrra të bukura dhe ua dërgon fëmijëve. Fundja kush tha që ëndrrat nuk realizohen. Shikoni Mirlind Dakun, një “gjigant” në sulmin e Kombëtares, i cili as që e kishte imagjinuar se do të vinin ditë si këto…

Ka luajtur 83 minuta gjithsej: ka një gol dhe një asist me Shqipërinë. “Po, jam në një ëndërr dhe nuk dua të zgjohem. Ju lutem mos më zgjoni!”, thotë ai për “Panorama Sport”. Në fushë duket “prepotent” për shkak të forcës, staturës dhe shpërthimeve të tij të frikshme me topin në këmbë. Për të mos folur pastaj për mënyrën se si feston kur shënon me Kombëtaren… Por kur bisedon me të, përveçse zërit të qetë, kupton se është një djalë i shtruar, që rrugën drejt suksesit e ka çarë i vetëm.

Si shumica e djemve tanë të Kombëtares ai bën pjesë tek ata të thjeshtit. “Që kur mora rrogën e parë te Llapi dhe tani në vazhdim unë pagën e çoj në shtëpi. Vij nga një familje e thjeshtë, jo nga luksi. Përpiqem të ndihmoj familjen time me sa mundem”, thotë Daku në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.

daku

A e kishit menduar ndonjëherë këtë arritje?

Me thënë drejtën, unë kam besuar gjithmonë te vetja, por jo në këto përmasa. Pra, nuk mendoja se do të gjendesha në një gëzim kaq të madh dhe në një moment të tillë kaq shpejt.

Kur ju erdhi ftesa nga Kombëtarja shqiptare?

Ftesa më ka ardhur para ndeshjes me Çekinë dhe Poloninë. Isha në listën e pritjes dhe nuk e dija se si do të shkonin gjërat më pas. Nuk isha edhe fort i bindur nëse do të mund të grumbullohesha apo jo. Por fati e deshi që të grumbullohesha dhe debutova më pas me Çekinë.

Kujt ia thatë të parit nga familja?

Ia thashë babait. Por e çova menjëherë ftesën te grupi në “Whatsapp” ku i kam të gjithë familjarët.

Si e pritën?

Shumë mirë. Me thënë drejtën isha para ndeshjes me Rubin Kazanin dhe ishim në hotelin e klubit. Isha duke pushuar pas stërvitjes. U shtriva të flija pak pasdite, por në atë moment e pashë se ishin duke më bërë “tag” në rrjetet sociale. Aty e konfirmova se isha grumbulluar dhe isha pjesë e listës.

Si u ndjetë?

U gëzova pamasë. Në atë moment nuk po dija se si po ndihesha. Ishte e jashtëzakonshme.

Çfarë ju thanë shokët te klubi?

Më përgëzuan padyshim. Por janë të befasuar me rezultatet që po arrijmë me Kombëtaren. Po çmenden… (qesh).

Kur u futët në fushë kundër Çekisë si u ndjetë?

Atje në Pragë mendova se m’u realizua një ëndërr. Isha i lumtur, por emocionin më të madh e kam ndjerë kundër Polonisë në Tiranë. Oh çfarë emocioni. I gjithë stadiumi që thirri emrin… Uh, edhe tani emocionohem. Zoti ma shpërbleu me një gol dhe kjo për mua ishte e pabesueshme.

U komentua shumë tatuazhi “Katana 138”… Sa kohë keni që e keni bërë atë tatuazh?

Ka gati tri vite që e kam bërë. Ju e dini tanimë se cila është arsyeja.

Si është jeta në Rusi?

Të them të drejtën gjërat shkojnë mirë. Shumë njerëz mendojnë që për shkak të luftës këtu kushedi çfarë ndodh, por në të vërtetë këtu gjithçka ecën normalisht. Në asnjë moment nuk është folur apo nuk diskutohet lufta. Po mundohem të marr sa më shumë nga ky kampionat, të bëj sa më mirë dhe më pas të shoh për ndonjë skuadër tjetër në perëndim.

Në skuadër nuk keni vetëm rusë, por edhe malazezë e serbë. Si është raporti me këta të fundit? Ju pyes, sepse mediat serbe shkruan shumë për ju kur panë tatuazhin që kishit në trup…

Mua më kanë uruar të gjithë për gjërat e mira që kam bërë. Përfshi edhe serbët.

Edhe ata (serbët) ju kanë komplimentuar?

Po, edhe nga ata kam marrë fjalë të mira. Sidomos pas golit ndaj Polonisë.

Çfarë raporti keni me serbët në ekip?

Raport profesionistësh. As unë dhe as ata nuk kemi ardhur në këtë klub për të bërë politikë apo për të diskutuar gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin. Ua kam thënë që kur kam ardhur.

Çfarë u keni thënë?

Se unë në asnjë moment nuk do t’ju provokoj dhe as ju nuk dua që të më provokoni. Këtu kemi ardhur të gjithë për një qëllim: kemi ardhur për të bërë karrierën tonë. Ata i dinë qëndrimet e mia dhe unë i di qëndrimet e tyre, por këtu jemi për tjetër gjë. Për hir të së vërtetës deri tani gjërat kanë shkuar në mënyrë korrekte. Nëse ndonjëherë do të ndodhte që dikush të më provokojë, atëherë e di ku është dera… (qesh).

Çfarë note do t’i vinit eksperiencës suaj te Kukësi? A ju shërbeu për ndonjë gjë?
Për asnjë gjë nuk shërbeu. Ah, më shërbeu për t’u mësuar me ndjenjën e të qenit i nënvlerësuar… Aty mora një mësim unë, por edhe të tjerët besoj.

mirlind daku

Pse?
Sepse u vërtetua edhe një herë se puna e futbollit nuk është vetëm të vlerësohesh kur gjërat shkojnë mirë, por edhe kur shkojnë keq.

A keni një shembull në jetë ose dikë që shërben për ju si pikë referimi? Përveç familjes e kemi fjalën…
Shikoni, unë jam rritur duke parë futboll dhe shembulli për mua është Ibrahimoviç.

Pse pikërisht ai?
Sepse ai nuk është vetëm një futbollist i madh, por e ka nisur mes shumë vështirësive dhe ka një karakter që nuk dorëzohet kurrë. Jam rritur duke parë ndeshjet e tij dhe më pëlqen mentaliteti që ka, sepse nuk i sheh kurrë njerëzit me inferioritet, por e mban gjithnjë kokën lart.

Kur e keni pasur bisedën e fundit me Silvinjon?
Po, kam pasur disa, por biseda normale mes një lojtari dhe një trajneri. Nuk mendoj se janë biseda për t’u nxjerrë në media. Besoj që ato duhet të qëndrojnë aty. Jemi profesionistë.

Çfarë ju bën përshtypje te trajneri i Kombëtares?
Është shumë njerëzor. Kur bisedon me të ai të pyet për çdo gjë, të pyet edhe për familjen. Më pëlqen kjo gjë tek ai.

Gjatë grumbullimit me Kombëtaren, cili është ai që ju flet më tepër?
Ne kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin. Normalisht, ai që më jep më shumë këshilla ose ai me të cilin unë bisedoj është Cikalleshi. Ka shumë përvojë dhe me mua ka qenë gjithnjë shumë i komunikueshëm. Më orienton ndonjëherë se si mund t’i përmirësoj disa gjëra. Kjo ndodh edhe për shkak të pozicionit që kemi me Cikalleshin. Diskutojmë shpesh bashkë. Por ka edhe të tjerë.

Cilët janë të tjerët?
Kam pasur vazhdimisht biseda me Ramadanin, me Seferin, me Ismajlin, sepse njiheshim edhe më herët. Pa përjashtuar edhe Mujën, sepse njiheshim që prej kampionatit, por nuk e kam ditur se do të ishte edhe ai debutues me mua.

A jeni i befasuar nga ambienti që keni gjetur në Kombëtare?
Po, për mirë kuptohet. Nuk e dija se si ishin gjërat nga brenda, por duke filluar nga trajneri, gjithë stafi dhe lojtarët, mendoj se ka një bashkëpunim dhe një raport korrekt e të drejtpërdrejtë.

Kush ju ka ndihmuar ju të rinjve që të përshtateni më shpejt?
Të gjithë pa përjashtim, duke filluar nga Gjimshiti, që është kapiten, Hysaj që është më i vjetri në ekip dhe Berisha që ka shumë përvojë. Të gjithë na kanë ndihmuar.

Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierë?
Momentet më të këqija janë ato në fillimet e mia, kur nuk e kam pasur përkrahjen e duhur.

Pse, çfarë doni të thoni saktësisht?
Mbërrita në një fazë që edhe mund ta kisha lënë futbollin. Isha shumë i ri, gjërat nuk ecnin siç ëndërroja dhe nuk kisha as përkrahje. Për pak mund ta kisha lënë futbollin dhe të bëja ndonjë punë tjetër, por fati e desh që të vazhdoja dhe gjërat të merrnin rrjedhën që tanimë e dimë të gjithë.

Po të mos ishit futbollist, çfarë tjetër mund të bënte në jetë Daku?
Nuk e di të them të drejtën. Gjithë jetën time e kam menduar si futbollist, por nëse gjërat nuk do të ecnin, atëherë do të kisha bërë diçka tjetër për të jetuar.

Çfarë për shembull?
Mund të isha marrë me një lokal që familja e ka prej kohësh… Ose diçka tjetër, nuk di ta them tani saktësisht.

VIjon…

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

The post Rrëfimi special i Mirlind Dakut: Te Kukësi mësova ndjenjën e të qenit i nënvlerësuar. Mendova të lë futbollin, mund të merresha me lokalin appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

You may also like