Rivali kryesor i Erdogan, SHBA e shqetësuar për dënimin me burg të kryebashkiakut të Stambollit

by admin
Spread the love
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu

Departamenti i Shtetit tha sot është “thellësisht i shqetësuar dhe i zhgënjyer” me një vendim të marrë një ditë më parë nga një gjykatë turke, e cila dënoi me dy vjet e shtatë muaj burg kryetarin e bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu. Po kështu gjykata i ndaloi zotit Imamoglu, një përfaqësues i opozitës, zhvillimin e aktiviteteve politike.

Zëdhënësi Departamenti amerikan i Shtetit Ned Price tha se “Uashingtoni është thellësisht i shqetësuar nga frikësimi i vazhdueshëm me procese gjyqësore që i bëhet përfaqësuesve të shoqërisë civile, medias, udhëheqësve politikë e biznesit në Turqi, përfshirë mbajtjen për një kohë të gjatë në paraburgim, ngritjen e pretendimeve të gjera për mbështetje të terrorizmit apo ndjekjen penale të rasteve për fyerje”.

Uashingtoni i bëri thirrje Ankarasë që të pushojë ndjekjet penale për rastet e fyerjeve, të respektojë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve turq, si dhe të garantojë një mjedis të hapur për debat publik.

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, shihet si rivali kryesor i presidentit Tajip Erdogan. Dënimi i tij vjen vetëm gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të planifikuara presidenciale dhe parlamentare. Megjithatë opozita turke nuk e ka përcaktuar ende zyrtarisht kandidatin e saj për president.

Vendimi i së mërkurës pritet të dërgohet në gjykatën e Apelit. Zoti Imamoglu, që përfaqëson Partinë Popullore Republikane (CHP), u gjykua për një fjalim të mbajtur pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019 në Stamboll, gjatë të cilit ishte shprehur se ata që anuluan rezultatin e zgjedhjeve ishin “budallenj”. Dënimi maksimal për akuza të tilla arrin deri në katër vjen burg.

Fillimisht zoti Imamoglu, i fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet për kreun e bashkisë së Stambollit, zgjedhje që u mbajtën në mars të vitit 2019. Ai mposhti kandidatin e Partisë AK në pushtet, të zotit Erdogan. Pas anulimin të rezultateve, që çuan në përsëritjen e procesit zgjedhor, ai fitoi me rezultat më bindës. Fitorja e tij i dha fund kontrollit 25-vjeçar të qytetit më të madh të Turqisë nga partia e zotit Erdogan dhe paraardhësit e saj islamikë.

Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2023 do të varet nga aftësia e partisë opozitare CHP si dhe të tjerave forcave politike në opozitë, për t’u bashkuar rreth një kandidati të vetëm, me synimin për të sfiduar presidentin Erdogan dhe AKP-në, e cila qeveris Turqinë prej dy dekadash.

Tashmë çështja Imamoglu pritet t’i kalojë apelit, duke u zgjatur potencialisht përtej zgjedhjeve që mbahen në qershor të vitit 2023. Kritikët thonë se gjykatat turke i nënshtrohen vullnetit të zotit Erdogan megjithëse qeveria pretendon se gjyqësori është i pavarur.

You may also like