Rënie drastike e lindjeve në Korenë e Jugut megjithë stimulin qeveritar prej $270 miliardë

by admin
Spread the love

Numri mesatar i lindjeve për çdo grua ka rënë në 0.72, në vendin që ka shpenzuar miliarda më kot për ndryshimin e kësaj tendence.

Kriza demografike e Koresë së Jugut duket se po thellohet ashtu si shumë vende të tjera vitet e fundit, teksa shifrat e reja tregojnë se ka rënë në një rekord të ri në vitin 2023, edhe pse ishte nga më të ulëtat edhe më herët.

Popullsia e Koresë së Jugut është tkurrur për të katërtin vit radhazi, pak pasi Japonia fqinje gjithashtu shënoi ulje të numrit të lindjeve dhe të martesave.

Numri mesatar i fëmijëve që një grua nga Korea e Jugut lind gjatë jetës së saj ka rënë tashmë në  0.72,  nga 0.78 në vitin 2022 – sipas statistikave të fundit zyrtare.

Përqindja është shumë më poshtë se mesatarja prej 2.1 fëmijë që vendi ka nevojë për të ruajtur popullatën e saj aktuale prej 51 milionë, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.

Prej vitit 2018, Korea e Jugut ka qenë anëtari i vetëm i Organizatës për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik që shënonte masën e lindjeve poshtë 1 përqind. Gjithashtu gratë koreane kishin moshën mesatare të lindjes së parë 33.6 vjeç, nga më të lartat mes shteteve.

Nëse fertiliteti i ulët vijon popullsia e ekonomisë së pestë më të madhe të Azisë do të përgjysmohet në 26.8 milione deri në vitin 2100, sipas ekspertëve amerikanë të ‘University of Washington in Seattle’.

Lim Young-il, kreu i statistikave të censusit në Korenë e Jugut, tha për gazetarët: “Numri i të lindurve në 2023 ishte 230,000, ose 19,200 më pak se një vit më parë, në një rënie prej 7.7%.”

Zhvillimi vjen teksa qeveria thotë se ka investuar prej vitit 2006 më shumë se 360 trilionë von ($270 miliardë) në programe inkurajimi të çifteve për të lindur fëmijë, si subvencione financiare, shërbime kujdesi apo mbështetje në trajtime fertilizimi.

Administrata aktuale e presidentit Yoon Suk Yeol, thotë se e ka një prioritet rënien e numrit të lindjeve dhe në dhjetor solli “masa të jashtëzakonshme për situatën.

Të qenit i/e martuar është një parakusht për të lindur fëmijë në Korenë e Jugut por dhe numri martesave është në rënie teksa kostot e jetesës mbeten problemi kryesor.

Korea e Jugut nuk është e vetme në rajon  për çështjen e plakjes së popullatës. Numri i bebeve në Japoni ra për të tetin vit radhazi në 2023 teksa kësaj jave presidenti Fumio Kishida, tha se shifrat e lindjeve kërcënojnë “funksionimin e shoqërisë se vendit”.

Por ashtu si në Kore shumë japonezë të rinj hezitojnë të martohen prej mungesës së mundësive të punësimit dhe kostove të jetesës në rritje të vazhdueshme.

Popullsia e Japonisë prej 125 milionë projektohet të bjerë në 87 milionë deri në vitin 2070, ndërsa gati gjysma e njerëzve janë tashmë mbi 65 vjeç.

Ministri Yoshimasa Hayashi, tha se shifrat e lindjeve tregonin për një gjendje “kritike”.

“Periudha e viteve në vijim deri në vitet 2030, kur numri i të rinjve do të reduktohet, do të jetë shansi fundit që kemi për të ndryshuar tendencën, nuk ka kohë për të humbur”, tha Hayashi./TheGuardian/