Regjisori i “Titanikut”: Kërkimi për nëndetësen e zhdukur u shndërrua në një “maskaradë makthi”

by admin
Spread the love

Regjisori i filmit “Titaniku”, James Cameron, thotë se operacioni i kërkimit për nëndetesen turistike ‘Titan’, u shndërrua në një “maskaradë makthi”, që zgjati agoninë e familjarëve të personave që ndodheshin në bordin e saj.

Nëndetësja u zhyt të dielën drejt mbetjeve të Titanikut, që u mbyt në vitin 1912.

Gjatë një interviste për transmetuesin publik britanik ‘BBC’, zoti Cameron tha se ai kishte një ndjesi të fortë se nëndetësja Titan kishte humbur, në momentin që dëgjoi se ajo kishte shkëputur kontaktet me sipërfaqen.

Ai tha se përqendrimi i medias gjatë ditëve në vazhdim tek fakti se ekuipazhi kishte në dispozicion oksigjen për 96 orë, apo se ishin dëgjuar zhurma që vinin nga oqeanit, ishte një “maskaradë e zgjatur makthi”.

“Kjo ishte vetëm një rrjedhë mizore, e ngadaltë e ngjarjeve për katër ditë. Për mua ishte e qartë prej së hënës në mëngjes”, tha ai.

Nëndetësja Titan u nis në orën 8 të mëngjesit të së dielës. Po atë pasdite doli njoftimi se nuk ishte kthyer ende nga një udhëtim, që nuk duhet të zgjaste më shumë se dy orë, për të parë mbetjet e anijes oqeanike Titanikut, që ndodhen në fund të Atlantikut, rreth 700 kilometra në jug të qytetit St. John të ishullit Newfoundland të Kanadasë.

Të enjten, roja bregdetare amerikane njoftoi se ishin gjetur mbetje të nëndetëses në fund të oqeanit. Autoritetet thanë se të pesë personat në bordin e saj kishin humbur jetën pas një shpërthimi të brendshëm.

Zoti Cameron, i cili ka bërë më shumë se 30 zhytje tek mbetjet e Titanikut, tha se ai e dinte se një diçka e rëndë me pasoja fatale, kishte ndodhur, sapo kishte dëgjuar se nëndetësja kishte humbur kontaktet gjatë zbritjes së saj.

“Me dështimin e sistemit elektronik të nëndetëses e në të njëjtën kohë edhe të radiomarrësit, nëndetësja ishte zhdukur. Për mua nuk kishte asnjë dyshim. E dija që ajo ishte zhytur saktësisht nën thellësinë dhe pozicionin e saj më të fundit, që dihej, dhe pikërisht aty u gjet. Nuk u krye asnjë kërkim. Më në fund morën një mjet që drejtohet nga distanca, dhe e zhytën po aty duke e gjetur nëndetësen brenda disa orësh. Ndoshta brenda pak minutash”.

Regjisori ka qenë i apasionuar me oqeanografinë që prej fëmijërisë së tij dhe ka bërë me dhjetëra zhytje në thellësi të mëdha, përfshirë në atë që njihet si pika më e thellë, njohur si ‘Mariana Trench’, në oqeanin Paqësor.

Zoti Cameron thotë se “një nga aspektet më të trishtueshme të kësaj ngjarjeje është se ajo ishte realisht diçka që mund të ishte parandaluar”.

“Tani kemi të tjera mbetje që për fat të keq, janë shkaktuar nga të njëjtat parime, ato të mosdëgjimit të paralajmërimeve mbi rrezikun”, tha ai.

Eksploruesit e thellësive të oqeanit kishin shprehur shqetësime në lidhje me nëndetësen Titan prodhuar nga kompania private amerikane ‘OceanGate Expeditions’. Ata kanë thënë se mjeti nuk ishte i sigurt për të transportuar pasagjerë.

Bashkëthemeluesi i ‘OceanGate’, Guillermo Söhnlein tha për radion britanike ‘Times Radio’ se shefi ekzekutiv, Stockton Rush, i cili ishte një nga pesë personat që humbën jetën brenda Titanit, se ai ishte “jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj sigurisë”.

“Ai (Stockton Rush) ishte gjithashtu jashtëzakonisht i zellshëm për menazhimin e rreziqeve dhe ishte shumë i vetëdijshëm për rreziqet e operimit në një mjedis të thellë oqeanik”, tha zoti Söhnlein, i cili nuk punon më, për ‘OceanGate’.


Top Channel

You may also like