“Refuzoj të vdes”, historia e shpëtimit të çiftit nga flakët që i morën jetën 10 personave në Valencia – Shqip

by admin
Spread the love

Një zjarr përfshiu të enjten një bllok apartamentesh 14-katëshe në qytetin spanjoll të Valencias, duke vrarë 10 persona. Mrekullisht, një çift i ri që banonte në këtë bllok, arriti që të shpëtonte.

“Sapo u hodhëm nga banesa jonë në një ballkon dhe pamë flakët përreth nesh, ishte momenti që menduam se do të vdisnim atje”, thotë 26-vjeçarja, Sara Jorge.

Në rrëfimin e saj, ajo thotë se i ka thënë të dashurit të saj se “refuzon që të vdesë”.

“Por unë i thashë të dashurit tim: “Unë refuzoj të vdes”. Kushtet rreth nesh na tregonin se do të ndodhte, por unë thjesht e dija se nuk ishte koha jonë,” shton e reja.

Sara dhe i dashuri i saj po punonin në apartamentin e tyre në qytetin bregdetar spanjoll kur filluan të dëgjonin sirenat. Një zjarr kishte rënë në ndërtesën ngjitur. Brenda pak minutash ajo kishte përfshirë kullën. Zjarri shpejt u përhap edhe në ndërtesën e tyre, ku ata jetonin në katin e tetë.

“Në fillim menduam se ishte diçka minimale pasi nuk po shihnim tym. Ne hapëm derën dhe një fqinj tha që të zbrisnim në rrugë. Kështu mblodhëm disa gjëra, por më pas kur po dilnim, dy vajzat që jetonin përballë thanë se gjithçka dukej se ishte nën kontroll dhe se duhet të qëndronim në shtëpi. Kështu që u kthyem brenda. Ishte budallallëk. Menjëherë pas kësaj, filluam të shihnim tymin.”

Në kohën kur vendosën të largoheshin, ndërtesa e tyre ishte përfshirë nga flakët dhe ata nuk mund të zbrisnin në korridor. Era, e cila frynte me shpejtësi kishte ndryshuar drejtim dhe flakët morën drejtim drejt pjesës së tyre të ndërtesës. Kështu ata u hodhën në një ballkon anësor.

“Ne refuzuam të përqafoheshim sepse kjo ishte një shenjë e heqjes dorë. Ne i dhamë njëri-tjetrit vetëm një puthje të vogël. Dhe pastaj filluam të shihnim zjarrfikësit që vinin drejt nesh.”

Çifti mendoi se zjarrfikësi i parë do të fillonte shpëtimin, por ai po përgatiste zonën, duke e larë me ujë që një ekip i dytë të mund të lëvizte lart. Për më shumë se një orë, ata pritën në ballkon. Më në fund, një tjetër zjarrfikës i arriti me një vinç. Ata ishin çifti i fundit që u shpëtuan nga rrënojat e djegura të ndërtesës ku ata banonin.

Ndërkohë, për shkakun e zjarrit ka nisur një hetim dhe dyshohet se materiali i përdorur në fasadën e ndërtesës të jetë faktori kryesor, që ishte ndaluar të përdorej në banesa që në vitin 2019 për shkak të ndezshmërisë së tij, por që nuk u hoq më pas nga ndërtesat që e kishin përdorur më përpara./tvklan.al

You may also like