Refugjatët shqiptarë do të deportohen disa ditë pas mbërritjes për të ndaluar “abuzimin me sistemin”, thotë qeveria e Londrës (fotot)

by admin
Spread the love

Mediat britanike thonin sot se ministrat vendas po hartojnë planet për deportimin e mijëra azil-kërkuesve shqiptarë thuajse menjëherë pasi mbërrijnë ilegalisht në Britani, për qëllim zbutjen e krizës së emigracionit në ngushticën me Francën.

Masa bëhet për të evituar që ata të cilëve u refuzohet azili të kenë kohë të apelojnë, duke i kthyer në Evropë brenda disa ditëve.

Aktualisht procesi ligjor kërkon që të ardhurit të vendosen në hotele me kostot e qeverisë pasi në qendrat e emigracionit si ajo e Manston ata mund të mbahen vetëm për periudha të shkurtra, teksa zyrtaret ankohen se “shumica dërrmuese e emigranteve shqiptare janë meshkuj te rritur”.

Një tjetër propozim që po merret në konsideratë është ashpërsimi i ligjit vendas për “Skllavërinë moderne” për të cilin kritikët thonë se është bërë “hapësira ligjore më e madhe e manipulimit” në sistemin e emigracionit, pasi shifrat tregojnë se thuajse të gjithë emigrantët ilegalë shqiptarë pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, numër ky që vetëm sivjet ka arritur në 5,000.

Ministri i emigracionit Robert Jenrick tha për rrjetin Telegraph se “shqiptarët po abuzojnë ligjin, duke shtyrë sa munden deportimin e tyre.

Duke paguar bandat e trafikut për t’i sjellë në Britani, autoritetet thonë se vetëm këtë vit 12,000 kanë kaluar ngushticën drejt Britanisë – 10,000 prej të cilëve janë meshkuj, të rritur.

Por ka gjithashtu kritikë që thonë se deportimet e shpejta janë shkelje të ligjit ndërkombëtar, siç shprehej një prej tyre në të përditshmen Times: “Si mund të ushtrojë ata të drejtën e apelit nëse nuk gjenden më në Britani, kjo është në kundërshtim të hapur me Konventën e Refugjatëve”.

Taksapaguesit britanikë shpenzojnë aktualisht 7 milionë paundë në ditë për strehimin e azil-kërkuesve, teksa ministria e brendshme sivjet ka arritur të përpunojë vetëm 4% të aplikimeve të azilit, shkruan Daily Mail.

Zyrtarët qeveritarë thonë se kërkojnë të zbusin valën e emigracionit ilegal të meshkujve shqiptarë pasi shumë prej tyre kanë “qëllime kriminale” për të ardhur në Britani.

Robert Jenrick tha se qeveria do të punojë për një sistem të përshpejtimit të largimit të emigrantëve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Britani.

Ai shtoi se një marrëveshje e vitit të kaluar ka bërë të mundur kthimin e 1,000 shqiptarëve, pa cilësuar se ku, dhe insistonte se dëshiron që shumë më tepër të kthehen mbrapsht në muajt në vijim.

Ministri i transportit Mark Harper tha se presioni i madh në qendrën e emigracionit Manston nuk pritet të zgjidhet shpejt.

“Nuk zotërojmë zgjidhje të shpejta, qeveria është duke punuar për të siguruar më shumë akomodim.”

Ministria tha se shqiptarët mbajnë gjithashtu numrin më të madh të shkeljeve kriminale dhe të të burgosurve në Britani me 16 %.


Top Channel

You may also like