Reçaku, dhimbja që u shndërrua në forcë për liri dhe pavarësi

by admin
Spread the love

Sot me dhimbje të madhe Kosova përkujton 45 martirët në Masakrën e Reçakut.

15 janari i vitit 1999-të shënon një nga ngjarjet më makabre të kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Kjo ngjarje trokiti në ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare duke e pasqyruar mizorinë e pushtetit ushtarako-policor serb.

Ambasadori asokohe i misionit të OSBE-së, William Walker, pa me sytë e tij dhe përjetoi tmerrin e shkaktuar nga Serbia.

Ai pati deklaruar se nuk ka fjalë ta përshkruante këtë akt.

“Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”, deklaronte ai.

E sot 24-vjet pas kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, falë gjakut të dëshmorëve dhe civilëve të pafajshëm e të pambrojtur, Reçaku zë një vend të veçantë në historinë e lavdishme të Kosovës.

Për nder të shënimit të kësaj date, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca, do të bëjnë homazhe tek Memoriali Përkujtimor.

Kjo ngjarje filon nga ora 10:00.

Ndërkohë nga ora 11:00, krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Vendosja e kurorës së përbashkët në memorial me prezencë të togut ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe nderimet te varrezat në memorial janë po ashtu në agjendë/Klankosova.tv

You may also like