Reali fluturon me super Benzema, Villarreal surprizon edhe Bayernin

by admin
Spread the love

Janë luajtur edhe dy ndeshjet e tjera çerekfinale të Champions League me Real Madridin që mposhti Chelsea në “Stamford Bridge” me rezultatin 3-1 falë një super ndeshjeje të zhvilluar nga ylli i sulmit Karim Benzema.

Madrilenët mund të konsiderohen me një këmbë në gjysmëfinale, ndërsa Villarreal ka shtangur Bayernin pasi e ka mposhtur në shtëpi me rezultatin minimal 1-0.

Ishte i përhershmi Karim Benzema ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 21 për Realin. Sulmuesi francez kombinoi mjaft mirë me Vinicius Junior ndërsa ky i fundi harkoi një top në zonë ku gjeti Benzema. Me një goditje të bukur me kokë, sulmuesi francez realizoi edhe golin e parë.

Vetëm 3 minuta më vonë Reali dyfishoi rezultatin po me të njëjtin autor, Karim Benzema. Francezi arriti të realizonte sërish një gol me kokë, por krosimi këtë herë erdhi nga këmbët e Luka Modric.

Ndërkohë që në minutën e 40-të, Kai Havertz, po me kokë arriti të ngushtonte diferencat. Një harkim në zonë nga Jorginho gjeti të lirë Havertz që mposhti portierin madrilen. Me këto shifra u mbyll edhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Benzema gjeti sërish rrugën e rrjetës vetëm pak sekonda pas startit. Një gabim i portierit Mendy që nuk arriti dot të pasonte si duhej për Rudiger, u shfrytëzua mjaft mirë nga numri 9 i Real Madrid që shënoi edhe tripletën e tij personale në këtë takim.

Benzema sakaq, vendosi edhe një rekord pasi u bë francezi i parë që realizoi 11 gola në një edicion të Champions League.

Chelsea u hodh menjëherë në sulm për të gjetur golin që do të ngushtonte diferencat. Thomas Tuchel bëri disa ndryshime në ekip që ndryshuan edhe rrjedhën e lojës te Chelsea. Romelu Lukaku pati një rast të mirë me kokë, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën.

Edhe Mason Mount provoi një supergol nga limitet e zonës, por edhe goditja e tij nuk e gjeti dot kuadratin. Edhe minutat e mbetura krijuan disa raste të mira për të ndryshuar rezultatin, por asnjë nga lojtarët nuk u tregua i qartë përpara portës duke e lënë rezultatin të palëvizur me Realin që mund të konsiderohet me një këmbë në gjysmëfinale, ndërsa do të presë në shtëpi londinezët në avantazhin e dy golave.

Një pjesë e parë pa shumë raste në sfidën Villarreal-Bayern Munich ku ekipet nuk e rrezikuan shumë herë portën kundërshtare. Në të vetmen goditje në portë, vendasit gjetën golin e avantazhit duke shtangur gjermanët. Danjuma devijoi një top nga fare pranë portës duke e ndalur më pas në rrjetë.

Nga ana tjetër, Bayerni nuk arriti dot të realizonte asnjë goditje në portë duke e lënë rezultatin e pjesës së parë në shifrat 1-0.

Në pjesën e dytë ndeshja nisi me një tjetër ritëm me Bayernin që pati një shans të artë për të baraspeshuar gjithçka, por Leëandoëski nuk arriti dot të devijonte topin në rrjetë pas një goditje të Gnabry.

Nga ana tjetër, Villarreal u kundërpërgjigj me Gerard Moreno që provoi një goditje nga distanca, por topi edhe pse e mposhti Manuel Neuer, u ndal nga shtylla. Do të ishte sërish Gerard Moreno që kishte një tjetër mundësi të artë për Villarreal.

Neuer ndodhej në mesin e fushës, ndërkohë që gaboi pasimin duke i dhuruar topin Morenos. Ky i fundit provoi nga 50 metra, por topi kaloi shumë pranë shtyllës, pa e gjetur dot kuadratin.

Ritmi i ndeshjes ra sërish në minutat e mbetura, ndërsa të dyja ekipet nuk lanë hapësira për të ndryshuar rezultatin. Kështu, Bayerni u mposht në këtë sfidë, por gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit që do të luhet në Mynih. /oversport.tv 

Foto: UEFA Champions League, Twitter

You may also like