Reali 14 herë mbret i Europës, goli i Vinicius fut në histori Ancelottin  

by admin
Spread the love

Real Madridi shpallet për herën e 14-të “Mbreti” i Europës pasi ka mposhtur në finalen e Champions League Liverpoolin me rezultatin minimal 1-0. Cinizmi i të besuarve të Ancelottit, falë golit të Vinicius dhe super pritjeve të Courtois mjaftuan për “Galaktikët” të ngrin në qiellin e Parisit trofeun më prestigjioz europian.

Ndeshja nis qetë me të dyja ekipet që kërkojnë të studiojnë kundërshtarin dhe minutat e para nuk prodhojnë asnjë rast të rrezikshëm. Duhet të kalonte çerek ore lojë që të vinte edhe shkëndija e parë. Mohamed Salah provon të devijojë një top nga brenda zonës, por pa sukses.

Provon sërish Liverpooli që këtë herë drithëron me Sadio Mane. Ky i fundit godet nga brenda zonës, por Courtois devijon lehtë duke e çuar topin në shtyll dhe e mban portën të paprekur.

Rasti më i rrezikshëm nga Reali vjen vetëm në fundin e pjesës së parë që gjen edhe golin me të përhershmin Karim Benzema. Megjithatë, pas katër minutash konsultim me sistemin VAR, gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për një pozicion jashtë loje, duke mbyllur edhe pjesën e parë në barazim pa gola.

Edhe pjesa e dytë nis njësoj si e para me ekipet që nuk dëshirojnë të rrezikojnë shumë edhe nga presioni i rezultatit. Vetëm disa harkime të rrezikshme në zonë, por me lojtarët e të dyja ekipeve që nuk arrijnë dot të finalizojnë.

Liverpooli rrit presionin dhe hidhet në kërkim të golit, por është Reali ai që shfrytëzon mundësinë e parë serioze që i jepet. Një pasim i bukur në brendësi të zonës nga Valverde gjeti të lirë Vinicius që me portën e boshatisur e çon topin në rrjetë duke prishur edhe ekuilibrat e finales.

1-0 dhe Reali e ka vënë në rrugën e duhur këtë finale, ndërsa të besuarit e Klopp hidhen menjëherë në sulm për të gjetur golin e baraspeshës. Mohamed Salah provon me një goditje të bukur nga jashtë zone, por Courtois fluturon duke ndaluar një supergol të mundshëm.

Është sërish portieri belg që ndal po të njëjtin autor, Mohamed Salah nga një tentativë shumë pranë portës, ndersa Liverpool rrit ndjeshëm presionin në zonën e Realit.

Dueli tashmë duket se është kthyer personal midis Courtois dhe Salah, pasi portieri belg e ndal sërish duke u kthyer në hero për ekipin e tij. Në një duel të vetëm ballë për ballë, Salah provon të gjejë rrjetën, por gardiani i Realit është i pakalueshëm në këtë sfidë.

Minutat kalojnë dhe Liverpooli nuk tregohet më i qartë përpara portës, ndërsa sfida përfundon me fitoren e “Galaktikëve”. Kështu Reali ngrë në qiell trofeun e 14-të të Champions League në historinë e tyre. Rekord absolut vendos edhe Carlo Ancelotti që bëhet kështu trajneri i parë që fiton katër trofe të Champions League, ndërsa me Realin ky është i dyti për “Don” Carlon. /oversport.tv

Foto: UEFA Champions League, Twitter

You may also like