Alen Boksiç: Vlahoviç si Halandi, por Juve, Kupa s’ta shpëton sezonin

by admin
Spread the love

Herën e fundit që Juventusi ngjitej mbi çatinë e botës kishte një numër 9 që mbaronte me “iç”, njësoj si tani. Ndër paraardhësit e Dushan Vlahoviçit ka qenë edhe Alen Boksiç, i cili luajti vetëm një sezon të vetëm (1996-1997) mes dy aventurave me Lacion, por që aq mjaftoi që të fitonte titull, Superkupë Europe dhe Kupë Interkontinentale. “Gjithsesi, kur mendoj për Juventusin, imazhi i parë që më vjen në kokë është finalja e Champions-it e humbur me Dortmundin. Te Juvja kur fiton çlirohesh, lehtësohesh, është normaliteti. Ndërsa humbjet janë një grusht, një shenjë që të mbetet përjetë në trup”, bën hyrjen e tij Boksiç, për “Gazzetta dello Sport”.

q

Alen e ndoqët ndeshjen në “Olimpiko”?

Po. Jam i lumtur për Juven, por i dëshpëruar për Lacion dhe sidomos për mikun tim Igor Tudor, të cilin do ta takoj të shtunën, në “Olimpiko”, pasi do të ndjek Lacion me Veronën.

Jeni më i habitur që shihni Tudorin te Lacio, apo Juven që kapet në mënyrë të dëshpëruar te Kupa e Italisë për të shpëtuar një sezon?

Igor nuk më habit. Është i ri, por ndërkohë ka një eksperiencë të gjerë ndërkombëtare, Gallatasaraji, Udineze, Verona, Marsejë… Por kur folëm para se të firmosë për Lacion i thashë se është një arenë e rëndësishme, e zjarrtë, pak a shumë njësoj si ai dhe ishte një okazion që nuk duhej ta humbte. Ndërsa për Juven po, më vjen keq, sepse edhe pse bëhet fjalë vërtet për një trofe, Kupa e Italisë nuk ia shpëton sezonin.

Çfarë doni të thoni?

Sepse nga Juvja pritet gjithmonë e më shumë. Të paktën duhej të luftonte deri në fund për titullin, jo të dorëzohej që në shkurt, aq më shumë pas duelit direkt me Interin. Pas humbjes në Milano kam parë një mori me ndeshje larg as që përkon me emrin “Juventus”. Ndërkohë, Vlahoviç ka shënuar më shumë vetëm në këto muaj të parë të vitit 2024, sesa në të gjithë fazën e parë… Dushan është një sulmues mjaft i mirë dhe mos harrojmë se është vetëm 24 vjeç. Ka treguar cilësi të shkëlqyera mes aventura me Fiorentinën dhe Juven dhe nëse shton edhe më tepër gazin mund të jetë në nivelin e Halandit. Unë jam tipi që nuk më pëlqejnë krahasimet, por di të them se në Itali është shumë herë më e vështirë që të shënosh sesa në Angli. Ishte kështu në kohët e mia, është kështu edhe sot.

Por…

Por një sulmues varet shumë nga shokët e skuadrës që ka pas shpatullave. Unë mund të them se kam qenë fatlum, pasi pas meje luanin Zidan, Jugoviç, Deshamp, Konte, ndërsa përkrah kisha Del Pieron ose Vierin. Ndërsa Dushan fatkeqësisht luan në një Juve që lodhet të prodhojë lojë dhe kjo e kushtëzon.

Ndërkohë, tifozët e Juves qajnë një bashkombas tuajin, Mario Manxukiçin…

Kësaj Juveje do i duheshin më shumë sesa një Mario… Manxukiç ishte një që nuk dorëzohej asnjë milimetër dhe që vinte gjithmonë skuadrën përpara vetes. Kur Higuain erdhi te Juvja dukej sikur mbërriti edhe fundi i Manxukiçit, por ai u spostua pa bërë fjalë majtas dhe të gjithë e dimë se çfarë bënte, ku qershia mbi tortë ishte roveshata në finalen e Champions-it me Realin.

Po Kieza e Jildiz, si ju duken?

Federiko më kujton të atin, i shpejtë, i fortë, driblues dhe me një goditje fantastike. Kieza është një sulmues i dytë dhe ka gjithçka për të shpërthyer, ndërsa Jildiz është vetëm 18- vjeç. Ka shumë talent, por me adoleshentët duhet durim dhe shumë kujdes.

Sipas jush, çfarë i mungon kësaj Juveje që të ndryshojë ritëm?

Luka Modriç do e mbyllë me Realin kështu që pse të mos bëjë një vallëzim të fundit te Juventusi. Gjithsesi, me këtë grup lojtarësh që kanë sot, as Luka, që Zoti i futbollit e ka bekuar, nuk do të mjaftonte për të kapur Interin.

PANORAMASPORT.AL

You may also like