MADRID – Spanja do të furnizojë Ukrainën me raketa ”Patriot”, por jo me lëshues

by admin
Spread the love

MADRID, 26 prill /ATSH-DPA/ – Spanja do të furnizojë Ukrainën me raketa ”Patriot” nga rezervat e saj, por jo radarët dhe lëshuesit për raketat tokë-ajër të prodhuara nga SHBA, raportoi gazeta ”El Pais” duke cituar burime qeveritare.

Ministria e Mbrojtjes në Madrid nuk iu përgjigj fillimisht një kërkese për konfirmim.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht sistemet e raketave ”Patriot” duke përfshirë radarin dhe lëshuesit, për të shmangur sulmet ruse.

Të hënën, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell u kërkoi vendeve anëtare të dërgojnë sistemet në Ukrainë dhe, duke folur në Bruksel një javë më parë, kancelari gjerman Olaf Scholz u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve të NATO-s të lëshojnë sisteme rezervë ”Patriot”.

”El Pais” raportoi se do të dërgohej një “numër i vogël” i raketave, të cilat raportohet se kushtojnë më shumë se një milion dollarë secila.

Spanja ka tre sisteme ”Patriot”.

Njëri prej tyre është vendosur në Turqi si pjesë e një dislokimi të NATO-s kundër sulmeve raketore nga Siria që nga viti 2015.

Gjermania ka njoftuar se do të sigurojë një sistem të tretë ”Patriot” për Ukrainën./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like