UKRAINË – Shërbimi sekret zbulon një komplot rus kundër Zelenskyt

by admin
Spread the love

KIEV, 7 maj /ATSH-DPA/ – Autoritetet ukrainase të sigurisë thanë sot se kanë zbuluar planet e një sulmi rus kundër presidentit Volodymyr Zelensky dhe politikanëve të tjerë.

Shërbimi sekret ukrainas SBU tha se dy oficerë nga Departamenti i Sigurisë Shtetërore të Ukrainës, përgjegjës për mbrojtjen personale të presidentit, ishin arrestuar në lidhje me sulme të mundshme.

Ata thuhet se i kanë dhënë Shërbimit të Brendshëm Sekret rus, FSB, informacion në këmbim të parave dhe supozohet se kanë marrë pjesë vetë në sulm.

“Një nga detyrat e rrjetit të FSB-së ishte të gjente vrasës në mesin e ushtarakëve që ishin afër sigurimit personal të presidentit, në mënyrë që ata të merrnin peng kreun e shtetit dhe më pas ta vrisnin”, thuhet në deklaratën e SBU në Kiev.

Sipas informacioneve, oficerët mbanin gradën kolonel.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës konfirmoi hetimin dhe arrestimet.

Megjithatë, nuk ka asnjë konfirmim të pavarur të incidentit jashtë autoriteteve të sigurisë ukrainase.

Shefi i SBU, Vasyl Malyuk dhe kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, u emëruan gjithashtu si objektiva të mundshëm.

SBU publikoi ato që tha se ishin biseda të përgjuara në të cilat pala ruse i ofroi një oficeri ukrainas 50 000 dollarë për informacion dhe për të marrë pjesë në një atentat.

Dihet se Rusia dërgoi komando speciale në Kiev për të kapur ose vrarë Zelenskyn gjatë fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, që rezultoi e pasuksesshme.

Që atëherë, presidenti është mbrojtur nga masat më të larta të sigurisë në Kiev dhe kur udhëton në Ukrainë dhe jashtë saj./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like