Rama në Podgoricë: Nuk kemi nevojë për heronj të rinj, por për modele të reja

by admin
Spread the love

“Duam një paqe që të funksionojë për njerëzit dhe duam që njerëzit të kenë më shumë shanse, më shumë mundësi, më shumë punë , më shumë të ardhura dhe jo më shumë përralla dhe histori heroizmash”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Podgoricë, ku është takuar me kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

“Heroizmat i përkasin të kaluarës. Ne nuk kemi nevojë për heronj të rinj në rajonin tonë. Ne kemi nevojë për modele të reja, të cilat të frymëzojnë se si të jemi më inovativ, më kreativ, më efikas, se si t’i bëjmë ekonomitë tona më të forta, se si të stimulojmë zhvillimin, se si të rrisim aftësitë e njerëzve tanë, për të përballuar një botë që bëhet gjithmonë më e vështirë dhe më komplekse”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten vazhdoi turneun e tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor, turne ky që, sipas Ramës, synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Rama theksoi se e ka njoftuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, për përgatitjet për samitin e procesit të Berlinit, i cili do të mbahet me 16 tetor në Tiranë, si dhe ka biseduar me te për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në Vilnius të Lituanësë, më 11 dhe 12 korrik.

“Për ne është shumë e rëndësishme që në këtë samit të NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe lidhur me shqetësimet në rajon, duke qenë të vetëdijshëm se falë Procesit të Berlinit dhe falë të gjitha nismave tjera që kemi ndërmarrë, jemi në një fazë tjetër të historisë sonë”, tha Rama.

You may also like