Racizëm e hedhje sendesh, UEFA dënon kundërshtarët malazezë të Laçit e Llapit

by admin
Spread the love

Laçi dhe Llapi u përballën me kundërshtarë nga Mali i Zi në raundin e parë të Conference League.

Bardhezinjtë kurbinas eliminuan Iskrën me rezultatin e përgjithshëm 1-0 (Mazrekaj), ndërsa skuadra nga Podujeva nuk ia doli dot kundër Buducnostit. Humbja 2-0 në Podgoricë u pasua nga barazimi 2-2 në “Fadil Vokrri”.

Tifozët kundërshtarë janë shfaqur problematikë në duelet ndaj ekipeve shqiptare, sidomos ata të Bunucnostit, të cilët shpalosën një koreografi kundër kombit shqiptar në sfidën e parë. UEFA ka marrë vendime në lidhje me problematikat e shfaqura në dy ndeshjet e para: atë në “Elbasan Arena” mes Laçit dhe Iskrës, dhe atë të luajtur në Mal të Zi midis Buducnostit dhe Llapit.

Rreth 30 tifozë të Iskrës udhëtuan në Elbasan për të mbështetur ekipin e tyre. Ata protestuan ashpër ndaj disa vendimeve arbitrare, në një sfidë ku Laçit iu mohua një penallti e pastër. Ndërkohë, nuk munguan as thirrjet raciste.

Delegati i ndeshjes ka mbajtur shënim gjithçka dhe organi disiplinor i UEFA-s ka gjobitur Iskrën me 10 mijë €, ndërkohë që ka urdhëruar mbylljen e pjesshme të stadiumit (sektor me të paktën 300 vende) për takimin e radhës që Iskra do të luajë në fushën e vet në kompeticionet europiane. UEFA urdhëron klubin malazez të vendosë në takimin europian të radhës një baner me shkrimin “Jo Racizmit”, me logon e UEFA-s mbi të.

Ndërkohë, Buducnosti është gjobitur me 35375 € në total: 20,000 € për sjellje raciste të tifozëve. UEFA ka urdhëruar mbylljen e pjesshme të stadiumit të ekipit kryeqytetas gjatë ndeshjes së ardhshme në Europë, të cilën ekipi malazez do ta luajë si klub pritës, sektor prej të paktën 3,000 vendesh.

UEFA urdhëron Buducnostin të vendosë në duelin europian të radhës një baner me shkrimin “Jo Racizmit”, me logon e UEFA-s mbi të. Ndërkohë, UEFA ka gjobitur klubin nga Podgorica me 10.125 € për hedhjen e sendeve dhe 5250 € të tjera për ndezjen e fishekzjarreve.


Top Channel

You may also like