Qeveria e Polonisë arreston ish-ministrin e brendshëm e zëvendësin e tij që strehoheshin në pallatin presidencial

by admin
Spread the love

Ish-ministri i mbrojtjes dhe zëvendësi i tij janë arrestuar sot nga zyrtarët në Pallatin Presidencial në Poloni për abuzim me pushtetin, duke thelluar me tej konfliktin e qeverisë së re pro-evropiane të vendit me presidentin.

Ish-ministri Mariusz Kaminski thotë tashmë se ka nisur një grevë urie si “i burgosur politik”, pas arrestimit të mbrëmshëm dhe burgosjes me akuza abuzimi me pushtetin.

Kaminski dhe ish-zëvendësi i tij Maciej Wasik, gjendeshin brenda pallatit presidencial në Varshavë.

“Unë e deklaroj dhe e trajtoj dënimin tim si një … akt hakmarrjeje politike,” tha Kaminski në deklaratën e lexuar nga Blazej Pobozy, në një konferencë para zyrës së kryeministrit të ri të vendit, Donald Tusk.

Ish-drejtuesi i Këshillit të Evropës, Tusk, dhe partia e tij Platforma Civile janë zotuar të zhbëjnë politikat e pararendësve të partisë nacionaliste Ligj e Drejtësi (PiS) dhe me sa duket të dënojnë ata të akuzuar për shkelje.

Por ish-zyrtarët e krahasonin ndalimin e tyre me burgosjet politike të kohës së komunizmit.

“Unë jam një i burgosur politik prandaj kam nisur një grevë urie prej momentit të parë të burgosjes”, thuhej në deklaratën e Kaminski.

Zv. ministrja e drejtësisë Maria Ejchart tha se të ndaluarit nuk janë të burgosur politikë dhe mund të hanë ose të pinë nëse dëshirojnë.

Policia kreu arrestimin e Kaminski e Wasik mes një konflikti në vijim mes qeverisë së re dhe presidentit të vendit.

Qindra protestues u mblodhën dje para pallatit presidencial në mbështetje të partisë PiS dhe më pas para stacionit të policisë ku u dërguan të ndaluarit.

Presidenti Andrzej Duda, tha se ishte i shokuar nga arrestimet dhe se do të punonte për lirimin e tyre.