Pse jemi të manipulueshëm? – Shqip

by admin
Spread the love

Psikologë dhe sociologë të ndryshëm përgjatë historisë, kanë bërë studime, në lidhje me prirjet e njerëzve për t’u manipuluar prej mediave dhe mesazheve të tyre. Dhe kanë mbërritur në disa konkluzione, që sipas tyre shpjegojnë këtë tendencë. Një pjesë e mirë kanë karakter historik, burojnë që prej kohëve të lashta, dhe lidhjen me përjetimet e paraardhësve tanë dhe kushtet e tyre të jetesës.

Si përshembull ai që e quajnë paragjykimi i disponueshmërisë. Thënë kështu emri mund të mos thotë asgjë. Por le ta sqarojmë.

Ai i referohet tendencës sonë për t’iu përgjigjur një pyetjeje, me përgjigjen e parë që na vjen në mendje. Fët e fët. Ne supozojmë se informacioni që na vjen në çast në mendje, është i duhuri. Fjala vjen, një intervistues na vjen e na pyet cila është figura historike më e rëndësishme? Përgjigjemi direkt. Pa u thelluar. Përgjigja jonë mund të mos mbështetet shumë në fakte historike, por ne e themi pa u menduar.

Pse ndodh? Një shpjegim është se në lashtësi, shpejtësia ishte themelore. Zakonisht ishte më e rëndësishme të merrje një përgjigje të shpejtë, se sa të merrje një përgjigje që ishte rezultat i reflektimit të thellë. Një përgjigje e shpejtë mjaftonte. E vërteta për paraardhësit tanë gjahtarë nuk ishte e rëndësishme. E rëndësishme ishte përgjigja e shpejtë.

Por sot, kjo nuk na ndihmon aspak, sidomos politikisht. Sepse në politikë shumë rrallë na duhet përgjigja e shpejtë. Na duhet ajo e mirëmenduar. Kur votojmë për shembull, rrallëherë na mbushet mendja atypëraty në kutinë e votimit.

I dyti vjen paragjykimi i këmbënguljes. Lidhet me tendencën tonë për t’i qëndruar një mendimi, pasi e kemi shqiptuar. Shumë studime tregojnë se, një herë që formojmë një opinion, nuk heqim dorë kollaj – madje as kur dalin prova që bien ndesh me të. Edhe në këtë rast, ka gisht evolicioni. Paraardhësit tanë nuk hiqnin dorë kollaj nga ajo që besonin, sepse ato besime i kishin krijuar në përvoja të vështira. I krijonin në bazë të asaj që u ndodhte atyre vetë, familjeve, të afërmve. Dhe përvojat e vështira u mjaftonin për të krijuar opinione që u siguronin mbijetesën, sepse bazoheshin në atë që dinin.

Për ta ishte avantazh që të mos i rimendonin ato opinione, sepse kursenin kohë dhe energji. Po për ne, në kohën që jetojmë? Opinionet tona në politikë nuk bazohen mbi përvoja të vështira personale, por mbi atë që lexojmë në gazetë apo shohim në televizion. Më keq akoma, shpesh herë opinionet tona bazohen edhe thjesht në tituj. Dëgjojmë për diçka që ka ndodhur, dhe krijojmë menjëherë një mendim, edhe pse na mungojnë faktet. Dhe më keq akoma, studiuesit thonë se nuk kujtojmë ku e marrim informacionin. Ky njihet si Konfuzioni i Burimit. Fjala vjen: Kur dëgjojmë në televizor që një politikan po sulmohet në një kanal, ne në atë moment e dimë që kanali televiziv është i njëanshëm, ka interesa. Po pas një jave apo dy javësh? Gjasat janë që të mbajmë mend atë që është thonë, po jo ku është thënë. Prandaj, nëse duam që të mbajmë broçkullat larg prej mendjes sonë, duhet të mos ekspozohemi. Që do të thotë, duhet ta trajtojmë informacionin e keq si një sëmundje dhe të shmangim kontaktin me të.

Tjetër paragjykim? Ai i projektimit. Dhe mund të jetë “fajtor” për disa nga luftërat në botë. Fjala vjen, lufta e Irakut. Shumica e politikanëve mendonin se me rrëzimin e Sadam Huseinit, trupat e udhëhequra nga SHBA do priteshin si çlirimtarë. Pse? Sepse mendonin që ne në perëndim do të reagonim kështu nëse dikush na ndihmonte të rrëzonim një diktator. Do ishim mirënjohës. Por irakenët nuk reaguan në këtë mënyrë. Ata e shfrytëzuan ndërhyrjen për të larë hesapet mes tyre. Pra thelbi i gabimit është se nuk dihej se si mendonin ata. Dhe në vend që të zbulohej se si e mendonin ata, u projektua mënyra se si mendonim ne të tjerët. Në CIA për shembull këtë e quajnë “mendësia që të gjithë mendojnë si unë”. Që do të thotë se i shohim të tjerët, sikur të ishim duke parë veten tonë në pasqyrë.

Një tjetër paragjykim që kemi, ndoshta ndër më të zakonshmit, është ai i Vetëshërbimit. Që do të thotë se kur është duke ndodhur diçka e mirë, ne marrim meritën për të. Po kur ndodh diçka e keqe? Atëherë është gjithmonë faji i dikujt tjetër. Ky është një prej atyre paragjykimeve në këtë listë që mund të shpjegohet kollaj. I gjithë evolucioni e ka “shtrembëruar” sistemin në një mënyrë të tillë që të favorizojë ata njerëz që favorizojnë vetveten. E fundit gjë që do të donte gjithësekush është që t’i kujtohet e vërteta që, ne shpesh herë bëjmë gabime, dhe se nga ana tjetër, njerëzit e tjerë mund të bëjnë gjëra në mënyrën e duhur. E kush do ta dëgjojë këtë?

Dhe kalojmë kështu tek një tjetër paragjykim i cili është i lidhur me këtë. Ai i Superioritetit. Pothuajse çdo njeri mendon që vetë është mbi mesataren. U krye një herë rreth viteve shtatëdhjetë një studim, dhe u zbulua se 85 përqind e të pyeturve mendonin që shkonin më mirë me të tjerët, se sa njerëzit e zakonshëm. Por kjo është e pamundur matematikisht. Nuk mundet që 85 përqind e njerëzve të jenë mes 50 përqindëshit që shkon më mirë. Sot e kësaj dite po të bësh sondazhe, shifra që nxjerr është kjo, në çdo fushë: Lidership, Aftësi, Ngarje makine. Shumica prej nesh mendojmë se jemi më të mirë se sa personi mesatar në gjithçka. Eshtë e qartë që evolicioni ka favorizuar njerëzit që kanë mendim shumë të mirë për veten e tyre.

Gabimi në planifikim është një paragjykim që prek këdo. Nga shtëpiakët tek inxhinierët e ndërtesave gjigande. Eshtë i thjeshtë: Kur planifikojnë, njerëzit kanë prirjen të nënvlerësojnë kohën dhe koston e një projekti. Vini re me kujdes se sa shumë vepra publike zgjaten e zgjaten pa fund dhe kostot e tyre fryhen. Po pse na ndodh që pothuajse gjithmonë i nënvlerësojmë kostot kur bëjmë plane? Pse evolucioni do të ketë favorizuar këta njerëz vallë? Edhe ky nuk është mister. Ne duhet që në jetë të ndërmarrim risqe. Nënvlerësimi i kostove na ndihmon të përballemi me këto risqe duke i nënvlerësuar ato. Nëse do i qëndronim fort të vërtetës, ndoshta nuk do e merrnim kurrë mundimin që të ndërtonim shtëpinë tonë të ëndrrave apo një projekt gjigand autostrade.

Po çfarë kanë të përbashkët tre paragjykimet e fundit? Ata janë të gjithë të bazuar në një optimizëm të paarsyeshëm. Kur ndodhin gjëra të këqia e kanë fajin gjithmonë të tjerët? Eshtë çmenduri. Krahasuar me të tjerët jemi superiorë? Eshtë e pamundur matematikisht. Kur planifikojmë një projekt do të bëhet në kohë dhe brenda kostove? Ku? Në cilën botë?

Të gjithë këto paragjykime tregojnë një gjë: Ne jemi njerëz të prirur për të qenë optimistë. Në të gjithë botën, më shumë se 80 përqind e njerëzve janë optimistë nga natyra.

Dhe kjo nuk është aq befasuese. Jemi të ndërtuar për të besuar që gjërat e këqia nuk na ndodhin ne, por të tjerëve. Fjala vjen në një studim, edhe pse personave që merrnin pjesë dhe merreshin në pyetje iu tregua se sa i lartë është rreziku i kancerit, shumica besonin se rreziku personal për ta ishte shumë i ulët. Dhe pothuaj askush nuk ndryshoi mendje edhe pasi iu treguan faktet. Që është një tjetër tregues se faktet nuk kanë aq rëndësi për ne, sa mendojmë.

Të tjerë studime kanë treguar se, nëse një doktor i thotë pacientit që ka 80 përqind shanse për t’i mbijetuar një operacioni, shumica e pacientëve bien dakord t’i nënshtrohen. Por nëse doktori e shtron ndryshe atë që thotë, dhe u deklaron që kanë 20 përqind shanse që të vdesin? Në këtë rast shumica thonë jo. Në të dy rastet shanset janë ekzaktësisht të njëjta. Por ne reagojmë shumë më mirë përballë problemeve që shtrohen në një mënyrë optimiste. 80 përqind shanse për mbijetesë tingëllon shumë më premtues se sa 20 përqind shanse që të vdesësh.

Nëse vihemi pra, përballë një zgjedhjeje: E vërtetë kokëfortë apo optimizëm i zbutur, kë zgjedhim ne? Optimizmin!

Edhe kjo shpjegohet nga evolucioni. Në lashtësi jeta ishte kaq e vështirë dhe kushtet po kaq të tilla, saqë e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe mbijetuar ishte të mohonin realitetin. Shpesh mbijetesa varej vetëm nga aftësia për t’u kapur fort pas jetës. Të kapje pranverën shpesh herë duhej t’i mbijetoje dimrit. Dhe për këtë duhej të gjeje lloj lloj mënyrash. Nëse nuk mendoje për një të tillë? Kapeshe pas shpresës. Dhe kush mbijetonin më shumë në ato rrethana? Optimistët. Natyra i favorizonte.

Por në botën moderne, ku miliona njerëz ndërveprojnë mes tyre brenda institucioneve të forta, shpresa nuk është një strategji e saktë. Në fakt, nuk është fare strategji. Ajo është braktisje e strategjisë. Madje ndonjëherë kur është e paarsyeshme dhe e pambështetur është edhe recetë për katastrofë. Në botën moderne nuk duhen optimistët. Duhen realistët.

Edhe pse votuesit, siç e kemi parë, nuk duan të vërtetën. Duan shpresën. Dhe nëse e vërteta na e heq shpresën, ne thjesht nuk duam ta dëgjojmë. Një nga arsyet përse manipulohemi. (TruthHub – Bota.al)

You may also like