Prokurorë e gjyqtarë të ndikuar nga politika, shqetësuese mungesa e dënimeve të formës së prerë

by admin
Spread the love

Sistemi gjyqësor vazhdon të ndikohet nga
politika, sidomos kur pjesë e proceseve gjyqësore janë vet politikanët, por
edhe persona që kanë lidhje me ta. Këtë konstatim të shoqërisë civile po e hedh
poshtë kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Peci, në një intervistë për Ekonomia
Online tha se në gjykatën që ai drejton nuk ka ndikime politike.

Kurse sa i përket raportit me Ministrinë e
Drejtësisë tha se i kanë të mira në aspektin kompetencave që i ndërlidhin këto
dy institucione.

“Në aspektin legjislativ, gjyqësori
edhe gjykata ku unë punoj dhe kryesoj me të vërtetë nëse ne gjyqtarët  jemi të vendosur në kuptimin e zbatimit të
ligjit jemi të pavarur në kuptimin legjislativ. Ka raporte të ndryshme që mendohet
se ka ndikime në sistemin gjyqësor. Po sinqerisht me ju thënë në Gjykatën
Supreme nuk e kemi atë problem”.

“Sa i përket raportit me Ministrinë e
Drejtësisë ne si gjykatë po edhe Këshilli Gjyqësor si organ menaxhues i
gjyqësorit e kemi një raport të mirë, korrekt në kuptimin e kompetencave që na
ndërlidhin. Normal që bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë kur janë me
rëndësi përgatitja e legjislacionit për gjyqësorin”.

“Kohët e kemi një bashkëpunim shumë
të ngushtë dhe jemi duke i identifikuar ato problemet gjyqësore edhe sidomos në
raport me reformën për gjyqësorin dhe sidomos në raport me ligjet që janë të
rëndësishme për me ndryshuar e që kanë dal prej rishikimit funksional të
sundimit të ligjit”.

Përderisa Ehat Miftaraj drejtor
ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) në një intervistë për
Ekonomia Online tha se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk është i pavarur, e këtë sipas
tij, po e thonë edhe raportet ndërkombëtare.

“Është fakt në dorë që jo vetëm
raportet e shoqërisë civile, të organizatave jo qeveritare në Kosovë po edhe
raportet ndërkombëtare më kredibile si Raporti i progresit, Raporti i Shtetit
të Departamentit Amerikan, për të drejtat dhe liritë e njeriut, tani më edhe
raporti Freedoom House e potencojnë në mënyrë të vazhdueshme që fatkeqësisht,
sistemi gjyqësor, sistemi prokurorial në Kosovë nuk është i pavarur nga
politika. Ose për me përkthyer më mirë, ka ndikime politike, ka ndërhyrje të
papërshtatshme, qoftë të politikës, qoftë të grupeve të interesit në pavarësinë
e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial”.

Tutje ai tha se kanë vërejtur se Këshilli
Gjyqësor kohëve të fundit ka qenë më transparent dhe llogaridhënës për dallim
nga sistemi prokurorial tek i cili nuk kanë parë të njëjtin përmirësim.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi
vazhdimisht e ka potencuar që Kosova ka gjyqtarë dhe prokurorë profesional, me
integritet, të guximshëm por që fatkeqësisht nuk është që po vijnë në shprehje
si rezultat ndoshta i menaxhmenti të këtij sistemi. Përderisa te Këshilli
Gjyqësor kohëve të fundit kemi pa një transparencë, një llogaridhënie, një
përmirësim të dukshëm të integritetit të njëjtin nuk po e shohim edhe tek
sistemi prokurorial”.

Miftaraj për Ekonomia Online tha se çdo
deklaratë e konstatim nga deputetët, ministrat është ndërhyrje e drejtpërdrejtë
në pavarësinë e sistemit gjyqësor e prokurorial.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi në
vazhdimësi e ka potencuar që politika, deputetët, ministra qoftë i Drejtësisë,
qoftë i Punëve të Brendshme apo çdo figurë politike që ka pushtet në vend
nuk do të duhej në asnjë rrethanë të komentonte qoftë vendime gjyqësore qoftë
rastet në proces sepse se si është e dizajnuar Kushtetuta e Kosovës, ndarja e
pushteteve çdo deklaratë, çdo konstatim për një proces gjyqësor për një rast që
është në procedurë konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e
sistemit gjyqësor apo prokurorial”.

Edhe Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”, në
një intervistë për Ekonomia Online tha se raportet vendore si dhe ato
ndërkombëtare po tregojnë që sistemi gjyqësor i Kosovës nuk është i pavarur.

“Sa i përket
pavarësisë së gjyqësorit edhe raportet vendore nga shoqëria civile po edhe
raportet së fundi të ndërkombëtarëve tregojnë që ka një ndërhyje dhe nuk ka një
pavarësi të mjaftueshme gjyqësori. Këtu është për arsye të ndryshme po
definitivisht si sistem gjyqësor vërehet një mungesë e pavarësisë dhe një
mungesë vendimeve të pandikuara politikisht”.

Hoxha thotë se shqetësuese mbetet paaftësia
e gjyqësorit e prokurorisë për të dhënë dënime të formës së prerë për rastet që
kanë të bëjnë me korrupsion e që shpesh herë të akuzuar janë zyrtarë publik.

“Indikatorët kryesor të performancës
së gjyqësorit dhe prokurorisë në këtë rast varen prej rasteve që ata i zgjidhin
edhe dënimeve që japin. Pika kryesore dhe ajo shqetësimi më i madh i raporteve
lokale dhe ndërkombëtare është pak a shumë mos aftësia e gjyqësorit edhe
prokurorisë për të dhënë dënime të formës së prerë për raste të rënda të
korrupsionit. Pra kjo është një prej kritikave kryesore, duket që në rastet e
korrupsionit, janë zyrtarët publik të cilët janë të akuzuar prandaj edhe
ndikimi i tyre në gjyqësor mund të jetë një prej arsyeve pse gjyqësori dhe
prokuroria nuk po e kryejnë punën e tyre siç duhet”.

Tutje ai thotë se në vend kemi prokuror e
gjyqtarë shumë të kualifikuar, por që fatkeqësisht nuk u jepet hapësirë atyre
që janë profesional.

“Kemi jashtëzakonisht shumë edhe
gjyqtarë edhe prokuror shumë të kualifikuar. Problemi kryesor që diskutohet
është sa iu jepet hapësirë pikërisht atyre të cilët janë duke punuar dhe sa ka
ndikime nga të tjerët të cilët mund edhe të jenë profesionist dhe mund të jenë
të efektshëm, mirëpo për çfarë do arsye kanë një ndikim apo kanë një afërsi
partiake politike”.

“Ndërsa ata të cilët janë profesional dhe janë jashtëzakonisht kompetent në punën e tyre, nuk iu ofrohet hapësira apo thjeshtë për shkak të një presioni politik që është bërë tek disa gjyqtarë që kanë tentuar me pru aktakuza të rëndësishme, veprimi kundrejt tyre nga kryeprokurorët e Këshillit Prokurorial e Gjyqësore ka tregu që në këtë pikë nuk vlerësohet nëse një prokuror apo një gjykatës e bënë e tij apo të saj siç duhet. Pra ka qenë një ndryshim i mentaliteti nëse mund ta quajmë dhe një pranim që çështjet e mëdha të korrupsionit mos të trajtohen me rëndësi të madhe nga sistemi gjyqësor e prokurorial”.

You may also like