Projekti për ndërtimin e fushës së golfit në zonën e shpallur ‘të thatë’, mbi 4 mijë francezë në protestë: Thanë se s’ka ujë, por…

by admin
Spread the love

Më shumë se 4000 demonstrues ishin mbledhur sot në periferi të Perpignan, në jug të Francës për të kundërshtuar planet për ndërtimin e një impjanti golfi në një zonë fushore që supozohet të jetë e goditur nga thatësira.

Punimet kanë nisur tashmë për krijimin e kompleksit të golfit Villeneuve-de-la-Raho, në rajonin që vitet e fundit është përballur me thatësirë të pazakontë.

“Nëse ka mungesë uji, atëherë le ta përdorim atë që është për shumicën e njerëzve dhe për të mirën e përbashkët”, tha një protestues për rrjetin AFP.

“Ky është një projekt i çmendur,” shprehet aktivistja Astrid Osland, e cila ashtu si të tjerët kanë protestuar që prej nisjes së punimeve, në perimetrin që ndan ambjentet nga publiku me anë të një gardhi plastik.

Projekti parashikon ndëritmin e një fushe golfi ‘me 18-vrima’ dhe të 600 shtëpive banimi në rreth 30 hektarë.

“Me mobilizimin e gjerë që kishim sot shpresojmë që ministri i tranzicionit ekologjik të zgjohet e t’i japë fund projektit”, tha organizatori Me Mathieu Pons-Serradeil, që përfaqëson dy grupe protestuese, “Pays catalan ecologie” e “Agissons 66”.

“Ne këtu nuk kemi 60% të sasisë së reshjeve,” tha për AFP Nicolas Garcia, kryetar i zgjedhur për ujin në rajon. “Nevojiten 600 mm shi për të rikuperuar tharjen e tokës dhe të paktën 350 mm për të kaluar verën.”

Por reshjet kanë qenë të pakta tre vitet e fundit derisa qeveria lokale vendosi masa të kufizimit të ujit në 2022.

Kjo sipas protestuesve bie në kundërshtim me idenë e një kompleksi golfi që ka nevojë për ujitje të vazhdueshme.

Një forum studiuesish në shkurt dënoi projektin si një “emblemë e vizionit të prapambetur” dhe si një privilegj për të pasurit.

“Kur je i pasur nuk pëson kufizime, ndërsa një qytetar i zakonshëm duhet të kufizojë përdorimin e ujit, ky është një mesazh skandaloz”, tha aktivisti Jean Codognes./AFP/