POLONI – Morawiecki: Gazi një mjet politik për Putinin

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 12 mars /ATSH-PAP/ – Kryeministri i Polonisë tha sot se shumë në BE tani e kishin kuptuar se gazi nuk ishte vetëm i rëndësishëm për Moskën si një burim financimi, por ishte gjithashtu një çështje e varësisë së Evropës.

Mateusz Morawiecki tha gjithashtu se BE-ja kishte mbetur në një gjendje “lumturie energjetike” dhe se ngjarjet e fundit kishin qenë për të një “kovë me ujë të ftohtë”.

Morawiecki vizitoi sot vendin e ndërtimit të një stacioni kompresori gazi të projektit të gazsjellësit ”Baltic Pipe” në Goleniow, në Poloninë Veriperëndimore, ku tha në një konferencë shtypi se presidenti Vladimir Putin e mbante Bashkimin Evropian në një gjendja varësie nga gazi rus.

“Është gjithashtu një çështje nënshtrimi, është gjithashtu një çështje varësie, varësia e Evropës nga gazi rus”, tha ai.

“Dhe çfarë bën Rusia më vonë me ato burime strategjike? Ajo i shndërron paratë që merr nga to në armë dhe i përdor ato armë për sulme ndaj njerëzve të pafajshëm”, deklaroi Morawiecki.

Kryeministri theksoi se ”Baltic Pipe” shkonte kundër gazsjellësve ”Nord Stream 1” dhe ”Nord Stream 2” dhe ishte kundër interesave të Rusisë dhe kjo ishte arsyeja pse ata u përpoqën të ndalonin projektin që po realizohej, por ishin të pasuksesshëm.

“Brenda nja dy muajsh do ta kemi gati dhe, nga pikëpamja teknike, jemi tashmë të pavarur nga gazi rus”, tha Morawiecki.

”Baltic Pipe” do të krijojë një rrugë të re gazi nga Norvegjia në tregjet daneze dhe polake si dhe për përdoruesit fundorë në vendet fqinje. Ai do të jetë në gjendje të transportojë 10 miliardë metra kub gaz në vit nga Polonia në Danimarkë.

Investitorët e projektit janë ”Energinet” e Danimarkës dhe distributori polak ”Gaz System”.

Është planifikuar të nisë punën më 1 tetor 2022./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like