Përleshje në Bregun Perëndimor, vritet një palestinez

by admin
Spread the love

Forcat izraelite kanë vrarë një palestinez në përleshjet që ndodhën gjatë natës në një kamp në Bregun Perëndimor, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, përderisa dhuna po vazhdon në territorin e pushtuar.

“Ayed Samih Khaled është vrarë nga plumbat në kokë, të shtëna nga pushtuesit”, tha kjo ministri.

Ushtria izraelite nuk ka reaguar menjëherë për këto pretendime.

Banorët e kampit Nur Shams, që gjendet afër qytetit Tulkarem në veri të Bregut Perëndimor, thanë se forcat izraelite hynë në kamp gjatë mesnatës.

“Pak kohë pasi hynë në kamp, nisën përleshjet midis disa militantëve dhe ushtarëve”, tha një banor i kampit për AFP-në, i cili nuk pranoi t’i publikohej emri për shkaqe të sigurisë.

“Ushtria erdhi dhe me disa buldozerë shkatërroi disa rrugë brenda kampit”, shtoi ai.

Një qendër sportive që gjendet brenda kampit po ashtu është dëmtuar rëndë, raportoi AFP.

Dhuna e lidhur me konfliktin izraelito-palestinez është rritur në Bregun e pushtuar Perëndimor që nga fillimi i vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të AFP-së, të paktën 226 palestinezë, 32 izraelitë, një ukrainas dhe italian janë vrarë gjatë këtij viti.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor në luftën gjashtëditore të vitit 1967.


Top Channel

You may also like