“Pasioni për futbollin i kushtoi lirinë”, mafiozi italian arrestohet në Korfuz pas 11 vitesh në arrati – Shqip

by admin
Spread the love

Ndonjëherë ironia e fatit mund të të kushtojë lirinë… Një prej njerëzve më të kërkuar në Itali, i konsideruar si tejet i rrezikshëm, u arrestua në Greqi, pasi u shfaq në një fotografi duke festuar për skuadrën e zemrës. Bëhet fjalë për 60-vjeçarin Vincenzo La Porta, i akuzuar për lidhje të ngushta me organizatën mafioze Gamorra në Napoli të Italisë.

Në arrati prej 11 vitesh, ai u rishfaq në fotografi më herët gjatë këtij viti, teksa festonte me tifozët e Napolit, në Greqi.

“Ajo që e tradhtoi ishte pasioni për futbollin dhe për Napolin”, thanë karabinierët e Napolit.

Oficerët thanë se fotot u bënë kur Napoli u shpall kampion i Italisë për herë të parë pas 33 vitesh, në Maj të këtij viti. “Me fitoren e kampionatit, La Porta nuk i rezistoi dot dëshirës për të festuar”, tha policia italiane.

Në vendlindje, La Porta është dënuar në mungesë për lidhje kriminale, evazion fiskal e mashtrim.

Por policia arriti më në fund ta arrestonte vetëm këtë të premte, ndërkohë që udhëtonte me motor në ishullin e Korfuzit. Aktualisht ai ndodhet në burg, në pritje të ekstradimit drejt Italisë. E nëse ekstradohet, do të përballet me 14 vjet e 4 muaj burg.

Avokati mbrojtës i La Porta, duke folur për Associated Press tha: “Ai ka krijuar një familje të re në Greqi… Ka një djalë 9 vjeç dhe punon si kuzhinier. Vuan nga sëmundje të zemrës. Nëse ekstradohet, ai dhe familja e tij do të shkatërrohen”.

Autoritetet kanë kërkuar në mënyrë të dëshpëruar për ta gjetur La Porta-n, duke gjurmuar paratë dhe lëvizjet e tij online dhe ishin në pritje të një “hapi të gabuar” nga ana e tij.

E duket se e bëri. Ishte pikërisht një foto e kapur jashtë një restoranti në Korfuz, në Maj, me tifozët e Napolit. Hetuesit e dinin se kush ishte dhe e ndoqën atë në Greqi. Me ndihmën e kolegëve grekë, ata e arrestuan të premten.

Në Janar të këtij viti, bosi i mafias italiane Gioacchino Gammino u arrestua pas dekadash në arrati, falë një fotografie të Google Maps./tvklan.al

You may also like