Pas futbollit, hendbollistet kampione detyrohen t’i luajnë ndeshjet jashtë vendit për shkak të mungesës së palestrës

by admin
Spread the love

Infrastruktura në sportin kosovar nuk po ndikon vetëm në futboll.

Tashmë është zyrtarisht është konfirmuar se ndeshjet ndërkombëtare në futboll deri në verën e vitit që vjen do të zhvillohen jashtë Kosovës për shkak të renovimit të stadiumit “Fadil Vokrri”.

Edhe hendbolli po përballet me probleme ngjashme.

Kampionia e Kosovës në Hendboll, KHF Istogu (femrat) është detyruar t’i luajë të gjitha ndeshjet evropiane si mysafirë.

Istogu u eliminua në raundin e tretë të EHF European Cup nga Luventa e Sllovakisë.

Trajneri i kësaj skuadre, Faruk Shala në një intervistë për lajmi.net ka treguar se rezultati në fushë u ndikua nga rrethana jashtë saj.

Palestra në Istog nuk është e përdorshme, madje skuadra shumë herë nuk mundet as të zhvillojë stërvitjet.

“Palestra ka pasur probleme që nga shkurti me çatinë e saj. Me sa Jam dijeni, vetëm tani është dhënë tenderi për rinovimin e saj, por me siguri në nëntor, dhjetor dhe janar nuk do të fillojë. Në palestër vetëm gjysma e saj është e përdorshme pjesa tjetër jo, shumë herë nuk ka edhe rrymë për shkak të depërtimit të ujit. Kjo na ka quar edhe deri tek humbja në ndeshjen e fundit evropiane. Nuk kemi pasur mundësi të stërvitemi dhe ka ndikuar në humbje në Sllovaki. Jemi detyruar dy ndeshje t’i luajmë jashtë. Mos të harrojmë se për Istogun kanë rëndësi edhe tifozët”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Përveç problemeve me palestrën, klubi këtë vit nuk ka pasur as përkrahje pavarësisht suksesit në Evropë.

Istogu është skuadra e vetme që ka përfaqësuar Kosovën në këtë fazë të garave evropiane.

“Kemi udhëtuar për 16 orë me autobus për të arritur në Sllovaki, na kanë mundësuar kundërshtarët që të qëndrojmë tek ata për dy natë dhe menjëherë pas lojës është dashur që nga palestra të nisemi për në Kosovë. Për herë të parë pas shtatë viteve nuk kemi pasur përkrahje financiare edhe pse jemi klubi i vetëm i hendbollit qe kemi arritur deri në ketë pikë të garave evropiane. Edhe ndeshjet ne Portugali i kemi financuar vetë, kjo na ka dëmtuar”.

Istogu nuk ka ku të zhvillojë as ndeshjet për kampionat vendor.

“Po na shkakton probleme edhe në ndeshjet vendore. Disa i kemi shtyrë, derisa një pjesë tjetër i kemi kërkuar kundërshtareve të luajmë në terrenin e tyre”, ka shtuar ai.

Këtë sezon Istogu ka zhvilluar gjashtë ndeshje në Superligën e femrave dhe ka humbur vetëm një. /Lajmi.net/

You may also like