Partizani mban Vllazninë pas, barazim pa gola në “Loro Boriçi”

by admin
Spread the love

Vllaznia dhe Partizani kanë barazuar mes tyre në Shkodër me rezultatin 0-0 dhe “Demat e kuq” e mbajnë vendin e katërt në klasifikim. Një ndeshje e luftuar, por që prodhoi një rezultat të drejtë për atë që skuadrat dhanë në fushën e lojës.

Partizani e nisi me gol ndeshjen në “Loro Boriçi”, por nuk mund të festonte. VAR konfirmoi pozicionin jashtë loje të sulmuesit Xhuliano Skuka dhe loja duhet të niste nga këmbët e futbollistëve shkodranë në minutën e tetë.

Pesë minuta më pas skuadra e Elvis Plorit kishte një mundësi të artë të shënonte me mbrojtësin Mevlan Adili. Shqiptari i Maqedonisë së Veriut goditi fort me kokë dhe topi shkoi ngjitur me shtyllën pingule, pas një devijimi sipas arbitrit Xhaja.

Kapiteni Gurishta për Vllazninë procoi nga distanca me një gjuajtje të pasaktë, kurse në fundin e pjesës së parë “Demat e kuq” rrezikuan me Rrapajn. Zogovic e devijoi topin, ndërsa Murataj në tentativën e dytë u ndal nga një prej mbrojtësve kuqeblu.

Asnjë gol në 45 minutat e para, kurse në minutën e dhjetë të së dytës Bitri provoi të vërë në provë Zogovic me një gjuajtje me kokë që ishte ballore dhe u kontrollua nga malazezi. Në minutën e 80-të pati pretendime për penallti nga shkodranët, por nuk mendoi ashtu arbitri.

Minuta e 84-t solli një mundësi të mirë shënimi për Carën, i cili u ndal nga portieri i Vllaznisë. Pozicioni i kavajasit ishte i dyshimtë. Mustedanagic për vendasit më pas u mundua të shënonte, topi i gjuajtur prej tij u devijua dhe korne për shkodranët.

Në shtesë Partizani u mundua të shënonte golin e fitores me Matondo, i cili gjeti këmbët e një prej lojtarëve kundërshtarë. Plori provoi edhe kartat Çoba e Heric, por nuk mundi të shënonte dot golin që i jepte tre pikët dhe vendin e katërt në klasifikim. / oversport.tv

You may also like