PARIS – Macron: Nuk përjashtohet dislokimi i trupave franceze në Ukrainë

by admin
Spread the love

PARIS, 27 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron tha dje se nuk do të përjashtohet dislokimin e trupave tokësore franceze në Ukrainë.

“Asgjë nuk është jashtë tryezës së diskutimeve për të siguruar që Rusia të mos e fitojë luftën e saj kundër Ukrainës”, tha Macron pas përfundimit të një konference për ndihmën ndaj Ukrainës dje në Paris.

Në takim morën pjesë përfaqësues të lartë nga shumë prej mbështetësve kryesorë evropianë të Kievit, duke përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe sekretarin e jashtëm britanik, David Cameron.

“Nuk u arrit një konsensus për përdorimin e trupave tokësore në takimin e mbi 20 krerëve të shteteve dhe kryeministrave, por asgjë nuk mund të përjashtohej për sa i përket dinamikës së ardhshme”, tha Macron.

Para takimit në Paris, kryeministri sllovak Robert Fico paralajmëroi për një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve me Rusinë.

“Disa vende individuale, me sa duket ishin të përgatitura të dërgonin ushtarët e tyre direkt në Ukrainë”, tha ai.

“Megjithatë, kjo nuk do ta bind Rusinë të dorëzohet, por sigurisht do të rrisë rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit”, paralajmëroi ai.

Pas konferencës, Macron tha se çdo vend mund të vendosë në mënyrë të pavarur dhe sovrane për dislokimin e trupave tokësore.

“Nuk pati asnjë konsensus për vendosjen zyrtarisht të trupave tokësore. Por asgjë nuk mund të përjashtohet në dinamikë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që Rusia të mos ta fitojë këtë luftë”, tha ai.

“Në takim u vendos që të formohet një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa. Në afat të shkurtër, municione shtesë duhet të mobilizohen për Ukrainën nga rezervat e saj”, tha presidenti francez.

“Dorëzimi i avionëve luftarakë francezë “Mirage” ende nuk është vendosur, por pajisjet ushtarake franceze që mund të ndihmojnë Ukrainën ende janë duke u ekzaminuar”, tha Macron.

“Siguria jonë është në rrezik”, tha Macron në Pallatin Elysee në fillim të konferencës.

Ndërsa lufta e Ukrainës hyn në vitin e tretë, Macron tha se sjellja e Moskës po bëhej më agresive në nivelin politik dhe në vijën e frontit në Ukrainë.

“Rusia nuk duhet të fitojë luftën”, theksoi Macron, duke shtuar se mbështetja nuk mund të lejohet të lëkundet dhe se mbështetësit e Ukrainës duhet të intensifikojnë përpjekjet.

“Ne jemi në procesin e garantimit të sigurisë sonë sot dhe nesër. Ne nuk duam të shkojmë në luftë me popullin rus”, tha Macron.

“Rritja e ndihmës për Ukrainën me para dhe armë duhet të mobilizohet së bashku dhe në nivel kombëtar”, tha ai. /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like