Paolo Crepet: Prindërit duhet të mos sillen si shokë të fëmijëve të tyre

by admin
Spread the love

Nga Walter Veltroni

Paolo Crepet është një nga analistët më të vëmendshëm mbi gjendjen e të rinjve sot. Një nga librat e tij të rinj është gati të dalë në treg nga shtëpia botuese Mondadori” me titull “Merrni hënën”.

Si e shihni shpërthimin e shqetësimit mes fëmijëve të kohës sonë?

Mendoj se bashkëjetojnë 2 fenomene. Nga njëra anë, është tendenca për t’u izoluar, humbja e përhapur e shpresës, vështirësia për të parë një të ardhme. Ndërkohë ndjenja e heqjes dorë nga jeta bashkëjeton si një sjellje e kundërt: zemërimi, dhuna dhe arroganca e bullizmit.

Nëse e mendon hollë-hollë nuk është një fenomen i ri. Kur ishim të rinj, disa nga ne u bënë të ndërvarur derisa vdiqën. Shpërthimi i papritur i epidemisë së heroinës ishte tek e fundit një formë indiference dhe cinizmi ndaj jetës. Gjithsesi në atë kohë kishte një pjesëmarrje të gjerë politike dhe qytetare. Diçka që sot mungon. Por më lejoni të jem i qartë: një adoleshent që nuk është i shqetësuar është shqetësues.

Sa e rëndoi situatën pandemia?

Ishte një goditje shumë e fortë. Ajo solli probleme për mënyrën e menaxhimit: mbyllje shkollash, mësim në distancë. Për pasojë pati mbyllje në shtëpi të fëmijëve, që u izoluan nga konteksti social. Ishte e vështirë për të gjithë, por për ta ishte një përvojë më e mundimshme.

Sigurisht në shkollë shkohet për të mësuar por edhe sepse ka një oborr, një korridor, një zonë rekreacioni. Aty ka miq, dashuri, ndërtohet është ndërtuar rrjeti i parë dhe themelor i marrëdhënieve shoqërore. Djemtë ishin të izoluar në celularin e tyre.

Kur një vajze nga një shkollë e mesme në Bolonja iu hoq celulari, 2 javë më vonë tha “Nuk është keq ky eksperiment, më në fund kemi rifilluar të flasim me njëri-tjetrin”, ajo po flet për një mundësi. Por nëse marrim një vajzë 16- vjeçare dhe e mbyllni në një dhomë me kufjet në vesh, dhe me një pamje të botës që kalon vetëm përmes ekranit, është e qartë se po ndodh diçka në atë përvojë njerëzore. Duhet ta studiojmë mirë atë.

Çfarë mendoni për zhvillimet teknologjike të paralajmëruara, të tilla si syzet e realitetit virtual të Apple dhe Inteligjenca Artificiale?

Tim Cook ka të drejtë kur thotë se syzet e realitetit virtual do të jenë një revolucion. Faza e tretë: kompjuteri, iPhone, dhe tani këto lloj syzesh. Por këto të fundit të çojnë në një botë kryesisht virtuale. Gjëja e parë që të vjen në mendje është çmenduria. Bota e psikozës është përshkruar gjithmonë si një botë tjetër, ku ju ndërtoni jetën tuaj virtuale. Ju flisni dhe mendoni për veten tuaj. Ai është njeriu në pemë të cilin e ka përshkruar Fellini në filmin “Amarcord”. Pra botë të tjera që janë ndërtuar për t’iu arratisur asaj reale. Sepse kjo e fundit të shqetëson, të bën të vuash. Virtualja do të thotë të qëndrosh në atë pemë.

A është koha jonë shkaku i palumturisë?

Në këto momente më kujtohet rasti i “djalit të egër” i treguar shumë bukur në filmin e Francois Truffaut. Një adoleshent që gjendet në pyllin ku kishte kaluar 12 vitet e para të jetës së tij, dhe që përpiqet të rikthehet në botën e qytetëruar. Jemi në një iluminim të plotë dhe pyetja që i bëjnë vetes mjekët që e trajtojnë është: A sjell lumturi qytetërimi?

Në rastin e djalit, përgjigja është jo. Ai nuk arriti të integrohej asnjëherë, dhe vdiq i pa lumtur…

Përse po e sjell këtë si shembull? Sepse kjo është çështja. Po sikur teknologjitë, duke na ndarë nga njëri-tjetri, dhe duke na zhvendosur në një botë virtuale, ndërtojnë palumturinëtonë? “Mendo ndryshe” ishte një nga sloganet e kompanisë Apple. Ishte një mesazh lirie, inovacioni, një premtim lirie dhe lumturie. Por a ishte vërtet kështu?

Një pjesë e madhe e shqetësimit të rinjve lind ose ushqehet nga këto mjete. Le të rikthehemi tek iluminizmi: liria, barazia, vëllazëria. Çfarë është vëllazëria, Facebook-u? Dhe çfarë është liria, Metaversi? A krijon e gjithë kjo përmbushje, varësi apo më shumë liri? Ndoshta ka ardhur koha ta mendojmë pa zinxhirët e të dukshmes apo politikisht korrektes të imponuara nga fryma e kohës.

Po konflikti midis brezave?

Mamaja ime nuk i pëlqente “The Beatles”. Ndërsa prindërve të sotëm i pëlqejnë këngët e “Maneskins”. Pra konflikti i djeshëm është kthyer sot në një lloj shkëmbimi. Revolucioni i të rinjve u zbeh nga komuniteti, që e mbështolli atë në një konservatorizëm ekstrem. Pasolini do të ishte shumë i shqetësuar po të ishte gjallë sot.

Denoncimi i tij ndaj konsumimit ekstrem është bërë i vërtetë. Sot gjyshi blen të njëjtat gjëra si nipërit e tij, dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë njerëzore. Ajo përplasje ishte e dobishme, dhe të gjithë po jetonin momentin e duhur të ekzistencës së tyre.

Sot prindërit duan të jenë më të vegjël se fëmijët e tyre, dhe kjo e bën një marrëdhënie shumë miqësore, kur në fakt ajo duhet të bazohet në njohjen e roleve. Sot nuk ekziston më kapiteni, pika e referencës. Po jetojmë ndoshta fundin e lëvizjes rinore të 1968-ës, të revoltës kundër autoritarizmit në familje.

Por tani një brez që kundërshtoi dikur baballarët është bërë shërbëtor i fëmijëve të tyre. Ai nuk është në gjendje të thotë jo, të drejtojë familjen pa përdorur autoritarizmin por më shumë përvojën. Ka një lloj “armëpushimi”: Unë të lë të bësh çfarë të duash, me kushtin që t’i të mos më shkaktosh tensionin e një konflikti. Por në këtë mënyrë shuhet dëshira për autonomi, ankthi për të prerë litarët, pohimi i plotë i identitetit. Konflikti midis brezave është zhdukur. Dhe kjo nuk është një gjë e mirë.

Por a ju duket se është shuar dëshira, nga ajo seksuale tek ajo për të ndryshuar botën?

Nëse ke gjithçka, nuk kërkon asgjë. Një nga aplikacionet më të përdorura të Inteligjencës Artificiale nga fëmijët quhet “Replica”. A nuk është absurde? Çdo brez është përpjekur të krijojë, dhe jo të përsërisë. Dikur donim të mos përsërisnim, por të mahnitnim, të mos pranonim përzierjen e asaj që ekziston, por të shpiknim të renë.

Sot po bëhemi të vetmuar dhe jemi të lumtur për këtë. Kemi reshtur së foluri me njëri-tjetrin. Në shkolla, familje, në zyra, në kishë, në bare apo në sheshe. Nëse duam të shpëtojmë veten, duhet të dalim nga izolimi dixhital, duhet të heqim dorë nga ajo që është e dukshme, dhe të jetojmë jetën nga një këndvështrim origjinal. Nuk kemi pse të përsërisim, duhet të shpikim.

Po seksualiteti?

Sot ai përjetohet pa dëshirë. Djemtë që frekuentojnë faqet pornografike në moshë shumë të re e shtojnë përdorimin e tyre, por përfundojnë duke e banalizuar misterin e mrekullueshëm të seksit. Erotizmi është zbulim, dhe jo një përmbushje. Casanova thoshte se “Erotizmi është pritja”, ndërkohë që sot gjithçka ndodh shumë shpejt. Ne gëzojmë lirinë seksuale duke e vrarë erotizmin.

A është e drejtë, siç ka propozuar Ammaniti, të mos u jepen fëmijëve celularë para moshës 12-vjeçare?

Ne duhet t’i nxitim fëmijët të duan të bëjnë gjëra pa përdorimin e vazhdueshëm të telefonave të tyre celularë. Duhet të nxitim tek ata interesa të tjera, nevojën për marrëdhënie sociale dhe shkëmbime. A është e mundur që tradita arsimore italiane – Montessori, Lodi, Don Milani – të mos prodhojë një kulturë të dëshirës për dije dhe gjëra të thella?

Unë nuk do t’u jepja fëmijëve të asaj moshe një celular, dhe do të bëja kërkime mbi ta për t’i ndihmuar të deshifrojnë kodet e komunikimit dixhital. Ashtu siç nuk e kuptoj se si prindërit mund të mendojnë të gjeolokalizojnë fëmijët e tyre përmes celularit. Ne kemi nevojë të zbutim ankthet, të gjitha ankthet individuale. Por këtë gjë ta bëjmë së bashku, dhe jo vetëm. / Corriere della Sera” – Bota.al

You may also like