Osmani: Zgjedhja e presidentit në Kuvend do të jetë vlerë e shtuar

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe kandidat për president nga radhët e BDI-së paralajmëron se ndër temat e fushatës së tij do të jenë ndryshimet kushtetuese për regjistrimin e bullgarëve, sepse konsideron se pa hapur kapitujt, vendi nuk mund të arrijë një hap serioz në procesin e eurointegrimeve, por edhe tema për zgjedhjen e presidentit të vendit në Kuvend.

I pyetur nëse BDI me inicimin e çështjes për zgjedhjen e presidentit në Kuvend si kusht i ri, shtesë për koalicionim pas zgjedhjeve përveç atij për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk e pengon procesin e eurointegrimeve, pra nëse këto ndryshime kushtetuese do të kërkojnë që të realizohen së bashku, në të njëjtën kohë, Osmani tha se kjo është çështje që do të diskutohet në mënyrë plotësuese.

“Ne dalim në zgjedhje me kërkesë, me ide që presidenti të zgjidhet në Parlament. Besojmë se kjo do të jetë një vlerë e shtuar”, nënvizon Osmani.

Rreth asaj se nuk do të ketë koalicionim me ato parti që nuk do ta pranojë këtë kusht, ai thekson se kjo është çështje që do të varet nga epilogu i asaj se si do të jetë përgjigja e qytetarëve në zgjedhje ndaj këtij propozimi dhe siç shton, “nga bisedat politike që do të vijojnë”.

Ai paralajmëroi se do ta promovojë programin e tij që intensivisht përpunohet me ekspertë vendas dhe ndërkombëtar, do të ketë ueb faqen e tij si kandidat presidencial dhe do t’u drejtohet të gjithë qytetarëve pa dallim etnie.

Nëse nuk futet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i pyetur se për kë do t’i ftojë mbështetësit e tij për të votuar dhe nëse ai do të jetë Stevo Pendarovski të cilin BDI-ja e mbështeti në vitin 2019 apo se kjo do të varet nga “pazari partiak” për ndryshimet kushtetuese, Osmani thotë se pret të sigurojë vend në raundin e dytë.

“Nuk mendoj se duhet të bisedojmë për situata hipotetike. Shpresoj se do të futem në raundin e dytë dhe pastaj do të kërkoj mbështetje nga ata që nuk do të hyjnë në raundin e dytë”, thekson Osmani.

MARKETING



You may also like