Orban zemëron BE, ‘rreh gjoksin’ për aleancën me Putin: Është strategji, dhe ne jemi krenarë për këtë gjë

by admin
Spread the love

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të enjten se është krenar që komunikon me Moskën, ndonëse diçka e tillë i zemëron liderët e Bashkimit Evropian.

Ai është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, muajin e kaluar.

“Ne i kemi të hapura të gjitha linjat e komunikimit me rusët. Përndryshe, nuk do të ketë asnjë mundësi për paqe”, u ka thënë Orban gazetarëve, para takimit të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“Kjo është strategji, dhe ne jemi krenarë për këtë gjë”. Orban ka thënë se Hungaria është e vetmja që flet “në emër dhe në të mirë të paqes, e cila do të jetë në interes të të gjithëve në Evropë”.

Orban, i cili mban lidhje me Moskën, i ka shtrënguar duart me Putinin gjatë një takimi në Pekin, më 17 tetor, në të cilin është diskutuar për bashkëpunim në energji.

Një takim i tillë i Putinit me një lider evropian ka ndodhur rrallë, prej luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Lideri hungarez ka folur hapur kundër sanksioneve të Perëndimit ndaj Moskës, si përgjigje ndaj nisjes së luftës. Ky takim i ka rritur shqetësimet në mesin e partnerëve të NATO-s në Budapest.

Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, janë takuar në kryeqytetin hungarez javën e kaluar, dhe kanë diskutuar për shqetësimin që kanë lidhur me thellimin e lidhjeve të Hungarisë dhe Rusinë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL


Top Channel

You may also like