Nuk mjafton Haaland, Bochum shtang Dortmundin! Bayerni zhgënjen në Mainz

by admin
Spread the love

Pasi siguroi titullin e 10-të radhazi kampion në Bundesligë, Bayern Munich ul ritmin në kampionat dhe mundet në transfertë nga Mainz 3-1. Bavarezët kanë arritur objektivin sezonal dhe vendasit përfitojnë duke shënuar 3 gola në portën e mbrojtur nga Ulreich. Lewandowski shënon golin e 34-t në kampionat dhe të 18-tin në transfertë, një rekord për golat e shënuar larg shtëpisë në një sezon.

Një ndeshje spektakolare është zhvilluar në “Signal Iduna Park”, aty ku Bochum ka fituar 4-3 përballë vendasve të Dortmund. Miqtë kalojnë në avantazh të dyfishtë brenda 10 minutave të para, por Haaland shënon një tregolësh dhe përmbys rezultatin.

Bochum reagon në 10 minutat e fundit dhe barazon shifrat me Locadia. Pantovic nga pika e bardhë shënon golin e 4-t për miqtë dhe i jep një fitore të artë Bochumit në transfertën kundër Dortmundit.

Koln vazhdon të shkëlqejë në kampionat dhe të ëndërrojë një vend në Kupat e Europës dhe merr një tjetër sukses në transfertë përballë Augsburg.

Nuk ka fitues në derbin e mbijetesës mes Arminia Bielefeld dhe Hertha Berlin. Miqtë kalojnë të parët në avantazh me Tousart, por vendasit barazojnë gjithçka në minutat shtesë. Hertha është shumë pranë shpëtimit, ndërsa Bielefeld duhet të luftojë shumë në 2 javët e ardhshme që të mbajë gjallë shpresat për mbijetesë.

Stuttgart ka zhgënjyer në shtëpi, pasi ka barazuar 1-1 përballë Wolfsburg. Miqtë shënojnë të parët, ndërsa Fuhrich barazon shifrat për vendasit në minutat e fundit. Stuttgart aktualisht qëndron në zonën Play Out, por ndien frikën e rënies direkte, pasi Bielefeld është vetëm 2 pikë larg. / Oversport.tv

Foto: Mainz 05 English Twitter

Gjermani-Bundesliga / Java e 32-të

Arminia Bielefeld-Hertha Berlin 1-1

Nilsson 90+1’ / Tousart 54’

Augsburg-Koln 1-4

Niederlechner 73’ / Thielmann 12’, Uth 15’, Modeste 63’ (pen), 78’

Dortmund-Bochum 3-4

Haaland 18’ (pen), 30’, 63’/ Polter 3’, Holtmann 8’, Locadia 81’, Pantovic 85’ (pen)

Mainz-Bayern Munich 3-1

Burkardt 18’, Niakhate 27’, Barreiro 57’ / Lewandowski 33’

Stuttgart-Wolfsburg 1-1

Fuhrich 89’ / Brooks 13’

You may also like