“Nuk kam asnjë peng nga Junajtidi”, Murinjo flet për rekordin e tij: Ja si arrita të mos humbisja asnjë ndeshje gjatë 9 viteve në shtëpi

by admin
Spread the love

Trajneri i Romës, Zhoze Murinjo ka dhënë një intervistë të gjatë për ish-mesfushorin Çelsit, Xhon Obi Mikel në podkastin “The Obi One”.

Dhe nëse e mbani mend bos, Lasana Diarra ishte një nga ata që donte të largohej…

“Më fal që të ndërpres. Lasanën unë e kisha te Çelsi dhe më pas te Reali i Madridit. E shikon këtë pjesën. E gjithë kjo pjesë e bardhë (drejtuar flokëve) është Lasana Diarra. Këto dy të tjera je ti (drejtuar Mikelit). Por gjithë kjo pjesë është Lasana dhe agjenti i tij. Unë e mbaj mend kur ai erdhi te zyra juaj dhe donte të largohej nga Çelsi dhe u detyruan që ta nxirrnin me forcë nga ai takim. Agjenti i Lasanës ishte kështu, nëse ai luante 90 minuta dhe luante mirë, ditën tjetër ai donte një kontratë të re me më shumë para. Nëse ai nuk luante, nëse ishte në stol, të hënën tjetër donte takim sepse Lasana kërkonte të ikte. Dhe më pas e mora te Reali i Madridit. Lojtar fantastik.”

Dhe në fakt Lasana Diarra ka pasur një karrierë të madhe…

“Ai ka luajtur kudo, Paris SG, Arsenal, Real Madrid, Çelsi, kudo.”

Nëse Lasana Diarra të ka thinjur, cili trajner të ka bërë që të shkulësh flokët? Kush ishte rivaliteti që ke shijuar më shumë?

“I dua të gjithë. Dhe gjëja e mirë është që herët a vonë do të kesh një marrëdhënie të mirë me ta. Gjithmonë. Edhe me Rafën (Benitezin) disa herë e kemi tepruar ose kemi provokuar më shumë. Në fund gjëja e mirë është që nuk ke asnjë hatërmbetje. Mendoj se rivaliteti është ajo që të bën më të mirë dhe ndoshta një njeri më të mirë, mendoj se e vetmja gjë që Arsen (Venger) nuk e harron dot është që në ndeshjen e tij numër 1000, që është një ndeshje që duhet mbajtur mend dhe ta festosh… Çelsi 6 dhe Arsenali 0.”

 

Ti do e fitoje atë finale, ti kishe një plan për Sitin…

“Po, e kisha një plan, por disa herë nuk shkon siç duhet. Por e vërteta është se sa herë kam shkuar në “Ëembley” me Çelsin kam fituar. Kam shkuar tre herë me Junajtidin dhe kam fituar dy herë. Rekordi ishte mjaft i mirë, ishte atmosfera që unë e dominoja mirë. Kur shkon në ndeshje të tilla duhet të ndihesh rehat. Kisha eksperiencën për të ndihmuar skuadrën. Por finalja ishte kundër Mançester Sitit dhe do të isha një idiot nëse e them që ne do fitonim finalen. Por disa javë para saj ne fituam kundër tyre 2-0 në stadiumin tonë. Ndjenja ishte pozitive, por kështu ndodhi. Tani jam te Roma dhe janë profile të ndryshme të klubeve, profile të ndryshme të ambicieve, por unë po e shijoj aq sa mundem.”

Rekordi juaj nga viti 2002 deri në 2011 ju nuk humbet asnjë ndeshje në shtëpi në kampionat.

“I thoja që të mos më pyesnin, sepse ky rekord ishte shumë i rëndësishëm për mua. Ishte një lojtar te Interi, Kambiaso, një ditë po jepte një intervistë dhe po thoshte të njëjtën gjë: “Ne e dinim, nuk na lë ta harrojmë”.

Si dreqin e arritët atë rekord? 9 vite pa humbur asnjë ndeshje në shtëpi…

“Nuk e di. Së pari është përgjegjësia e lojtarëve dhe ne ishim ekipet më të mira. Rekordet ishin Porto, Çelsi, Inter dhe dy vite të Realit. Ti krijon një atmosferë, diçka që e kam krijuar në çdo klub përveç Totenhemit. Por aty ishte periudhë COVID-i. Ndeshje të boshatisura dhe nuk e kisha mundësinë. Por arrita të krijoja një ndjesi të mirë me tifozët. Që ta ndjenin që ekipi ishte aty për ta dhe më pas ata luajtën për ne. Ishte një ndeshje Çelsi-Totenhem për FA Cup dhe ne po mundeshim 0-3 në “Stamford Bridge” në pjesën e parë. Barazuam 3-3. Më pas shkuam në stadiumin e Totenhemit, fituam dhe shkuam në finale dhe e fituam finalen. “Stamford Bridge” luante për ne. Ne po mundeshim nga Arsenali dhe Esieni shënoi një gol nga 35 metra. Prodhuam shumë magji dhe mendoj se nuk është trajneri, nuk është as lojtari, as tifozët, por janë që të gjithë.”

A keni ndonjë peng që ju ka ngelur nga Mançester Junajtid?

“Nuk kam asnjë peng sepse dhashë gjithçka dhe bëra maksimumin që mund të bëja. E dua klubin, i dua fansat, historia e klubit është diçka që vetëm duhet ta respektosh, ta vlerësosh dhe dhash gjithçka që mund të jepja. Sezonin e dytë, vendi i dytë në renditje është akoma pozicioni më i mirë që pas “Sir” Aleks. Trofeu Europian është akoma arritja më e madhe në 10 vitet e fundit. Bëra më të mirën. Unë dua që të flas vetëm për gjërat më të mira nga e shkuara. Jo prej meje, por në këtë moment nuk do të thotë asgjë. Por ka akoma njerëz në atë klub dhe kur them njerëz e kam fjalën për disa lojtarë, por dhe disa të tjerë që i thashë pas dy muajsh që me këta njerëz nuk do arrini askund. Dhe janë akoma aty dhe kanë një drejtor që është një njeri fantastik, që unë doja ta kisha në kohën time, i cili është Riçard Arnold që tani ndoshta do të largohet. Doja ta kisha në kohën time, por klubi nuk ishte i lehtë. Nuk kam asnjë peng, sepse dhash çdo gjë dhe tifozët e Junajtid e dinë që dhash gjithçka dhe se sa shumë e dua klubin. Isha një herë në një nga dhomat e “Sky” duke komentuar dhe i gjithë stadiumi u kthye nga unë dhe filluan të këndonin për mua. Nëse e bënin në Madrid, te Porto, te Çelsi, atëherë do thuaje në rregulln është diçka që e duan të gjithë. Por te Junajtid, një klub me atë histori, të bësh atë gjë për një trajner, sepse të vetmet gjëra që ai fitoi ishin Liga e Europës, një Kup, një Superkupë dhe vendi i dytë në kampionat, ti arrin në konkluzionin që ata e dinë që unë dhash më të mirën që mund të jepja”, përfundoi Murinjo.

PANORAMASPORT.AL

You may also like