Një kod i sjelljes për veprimet (jo)parlamentare në Kuvendin e Republikës

by admin
Spread the love
Ditar Kabashi

Qytetarët nuk i votojnë kandidatët për deputetë që ta prishin imazhin e Kuvendit. Qytetarët as nuk paguajnë tatime që deputetët të marrin paga për të ushtruar dhunë në Kuvend. Qytetarët e Kosovës, të cilët shpërfaqin shembull për kulturë demokratikë e elektorale në rajon, nuk meritojnë të përfaqësohen nga persona me prirje dhune.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Kuvendi (Parlamenti) është organi më i lartë ligjvënës në një vend. Ky institucion kryen shumë detyra, në kuadër të funksioneve kushtetuese që ka. Kuvendi është mjedisi institucional ku mblidhen përfaqësuesit e dalë nga vota popullore (funksioni përfaqësues); Kuvendi propozon dhe miraton ligje (funksioni ligjvënës); Kuvendi zgjedh zyrtarë të lartë shtetërorë, si p.sh. presidentin, kryeministrin, etj. (funksioni zgjedhës); Kuvendi mbikëqyr veprimtarinë e organeve dhe institucioneve publike (funksioni kontrollues). Kjo karakteristikë e Kuvendit është e përbashkët gati në secilin shtet, me dallime nuancash varësisht nga sistemi i qeverisjes.

Kuvendi është arena e debatit të ideve, projekteve, strategjive lidhur me administrimin e shtetit. Aty diskutohet, polemizohet, pranohet a kundërshtohet ndonjë qëndrim. Natyra e regjimeve demokratike mundëson që pikëpamjeve të pushtetit t’i kundërvihet opozita. Në thelb, kjo është pasqyrë e demokracisë.

Demokracia, për aq sa nxit pasurimin e koloritit të ideve, po aq ka qëndrim mospajtues me dhunën që ushtrohet në emër të saj.

Në muajin korrik të vitit 2023, Kuvendi i Kosovës u bë nikoqir i pamjeve aspak të denja. Deputetë e ministra, pozitë e opozitë, u përfshin në përplasje të dhunshme fizike. Gjer më sot, praktika parlamentare në Kosovë ka parë akte me elemente të dhunshme, por ato kryesisht kanë mbetur në nivel të dhunës verbale dhe, disa herë, edhe hedhje të gazit lotsjellës, gjë që ka pamundësuar mbajtjen e rregullt të seancave. Në ndonjë rast sporadik ka pasur edhe shtyrje fizike, por jo në përmasa serioze.

A duhet cilësuar sulmet fizike në Kuvend si formë e lirisë së shprehjes? Çfarë duhet bërë në këtë drejtim? Kjo është një pikë mjaft e rëndësishme.

Roli dhe imuniteti i deputetit

Marrë parasysh rolin e rëndësishëm që kanë parlamentet në një shoqëri demokratike, liria e shprehjes aty duhet të jetësohet me të gjitha standardet dhe të mbrohet maksimalisht. Shih për këtë, në të gjitha sistemet bashkëkohore kushtetuese garantohet imuniteti parlamentar i deputetëve. Fjala bie, Kushtetuta e Kosovës thekson që deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit (neni 75/1). Duke mos u mbajtur përgjegjës për veprimet, përfshirë ato verbale, deputetët arrijnë garanci se nuk do të penalizohen për ushtrimin e funksionit të tyre kushtetues e ligjor (imuniteti material). Rrjedhimisht, kjo parakupton sjellje të lirë të tyre në suaza të detyrës që kanë dhe ky imunitet është absolut, pra i pakufizuar në aspektin kohor.

Imuniteti parlamentar synon mbrojtjen e deputetit. Ideja e imunitetit buron prej parimit të sovranitetit popullor, domethënë me prezumimin që deputeti është reflektim i vullnetit të popullit. Meqë sovraniteti është i pacenueshëm, atëherë edhe deputeti nuk duhet të jetë i cenueshëm karshi pushteteve të tjera. Duke u ofruar një mbrojtje e tillë, në esencë nuk synohet mbrojtja e interesave individuale të deputetëve, por mbrojtja e interesit publik dhe e Parlamentit.

Megjithëkëtë, imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit. Kjo ndërlidhet me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë vazhdimit të mandatit të tyre si deputetë, si dhe nuk gëzojnë imunitet nga paditë civile për veprimet dhe vendimet jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre (Shih: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin Nr. K098/11, datë 20 shtator 2011).

Duhet theksuar se çfarëdo akti nuk hyn në kuadër të lirisë së ushtrimit të funksionit. Mund të ndërmerren veprime me anë të të cilave shkelet rendi i punës në Kuvend dhe për këtë parashihen sanksione disiplinore brenda parlamenteve. Në këtë kontekst, çdo parlament mund të rregullojë dispozitat e veta disiplinore për ta bërë punën e vet më efektive.

Sipas Komisionit të Venedikut, masat ndaj deputetëve konsiderohen të përshtatshme nëse janë legjitime dhe proporcionale dhe nëse nuk abuzohen nga shumica për të shkelur të drejtat e kundërshtarëve të tyre politikë (shih: https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2014)011-e).

Masat sipas Rregullores së Kuvendit

Disiplina është zbatim i përpiktë i një rendi a akti juridik. Ndërkaq, vetë mbarështimi dhe ruajtja e rendit është qëllim më vete.

Nevojës për të pasur një rend funksionimi, një disiplinë, nuk i shpëton as Kuvendi i Republikës. Andaj, praktikat parlamentare përfshijnë edhe vendosjen e rregullave disiplinore.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës i parasheh disa lloje të masave që mund të ndërmerren ndaj deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, për raste të caktuara që cilësohen si shkelje të punës së Kuvendit. Ato janë: tërheqja e fjalës, ndërprerja e fjalës; vërejtja, vërejtja me paralajmërim për largim nga seanca plenare dhe largimi nga seanca plenare (neni 64).

Në rast se deputetët ose ministrat e caktuar përdorin gjuhë joparlamentare, pengojnë zhvillimin e seancës plenare ose cenojnë rregullin e saj, kryesuesi i seancës plenare i shqipton vërejtje, duke deklaruar se është duke përdorur gjuhë joparlamentare.

Ndërsa, nëse deputeti ose ministri i caktuar e përsërit shkeljen në të njëjtën seancë plenare, pasi i është shqiptuar vërejtja ose në rast se e cenon seriozisht rendin në seancë plenare, kryesuesi i seancës i shqipton vërejtje me paralajmërim për largim nga seanca plenare. Kjo masë mund të revokohet vetëm në rast se deputeti ose ministri kërkon publikisht ndjesë për sjelljen në po të njëjtën seancë (neni 65).

Krahas këtyre, nëse deputeti a ministri i caktuar përdor fjalë fyese, cenon personalitetin e kryesuesit të seancës ose deputetit ose vazhdon të bëjë shkelje përkundër masave të lartcekura, kryesuesi i seancës shqipton masën largim nga seanca plenare për atë ditë. Nëse deputeti ose ministri nuk pranon të dalë nga salla, kryesuesi i seancës e ndërpret seancën dhe urdhëron shërbimin e sigurisë në Kuvend për zbatimin e masës. Kjo masë shoqërohet me sanksion financiar të barabartë me kompensimin për një seancë plenare (neni 66).

Mirëpo, nëse në ndodh të shkaktohet rrëmujë në sallë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e rregullit, atëherë ndërpritet seanca plenare. Në rast se rrëmuja përsëritet, kryesuesi e pezullon seancën dhe Kuvendi e vazhdon punën në një ditë tjetër (neni 67).

Kodi i Sjelljes në Kuvend

Ndonëse Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh miratimin e një Kodi të Sjelljes për deputetët (neni 129), akoma nuk është nxjerrë një akt i tillë i veçantë. Meqenëse Rregullorja e Punës është miratuar me datë 28 korrik 2022, i bie se ka kaluar një vit i plotë deri në kohën kur ndodhën pamjet e padëshiruara të sjelljeve të dhunshme në Kuvend.

Përleshja fizike në Kuvend duhet të kthehet në arsye që të përshpejtohet procedura e nxjerrjes së Kodit të Sjelljes në Kuvend. Jo se kodi do t’i ndalojë në mënyrë absolute aktet e tilla, se fundja veprimet burojnë nga karakteri i njeriut (deputetit), por se institucionet shtetërore duhet të kenë bazën juridike për të menaxhuar secilën rrethanë hipotetike.

Kodi i Sjelljes duhet të gjejë zbatim për të gjitha angazhimet publike të deputetëve. Përpos ngarkesës me detyrim të deputetit për ushtrimin e funksionit me përgjegjësi, në interes të popullit dhe institucionit, respektimi të legjislacionit, shmangies së konfliktit të interesit etj. gjithsesi duhet paraparë edhe dispozitë e veçantë që e obligon deputetin të tregojë mirësjellje dhe të jetë shembull për qytetarët e vendit dhe posaçërisht rininë.

Krahas kësaj, duke qenë se neni 24/2 i Kushtetutës së Kosovës proklamon që “Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal”, do të ishte e udhës që Kodi i Sjelljes për deputetë ta adoptojë këtë formulim si dispozitë ndaluese për veprimet e deputetëve dhe ministrave gjatë punimeve në Kuvend.

Para së gjithash, ajo që e ndalon dhunën duhet të jetë edukata dhe kultura e secilit zyrtar shtetëror, deputet a qeveritar. Por, kur ajo mungon, atëherë duhet të ndërhyjë e drejta. Prandaj, rregullimi normativ më i hollësishëm i sjelljes së deputetëve dhe ministrave gjatë punimeve të Kuvendit është një domosdoshmëri e pamohueshme.

Qytetarët vs. Deputetët

Qytetarët nuk i votojnë kandidatët për deputetë që të prishin imazhin e Kuvendit. Qytetarët as nuk paguajnë tatime që deputetët të marrin paga për të ushtruar dhunë në Kuvend. Qytetarët e Kosovës, të cilët shpërfaqin shembull për kulturë demokratikë e elektorale në rajon, nuk meritojnë të përfaqësohen nga persona me prirje dhune.

Fatmirësisht, qytetarët e Kosovës nuk i marrin modelet e dhunshme si mënyrë e sjelljes publike dhe në këtë pikë mund të thuhet se dëftojnë pjekuri më të madhe se përfaqësuesit e tyre në institucione.

Kuvendit të Kosovës i duhet uniteti për çështje të sovranitetit shtetëror dhe konkurrenca e brendshme politike e bazuar në program e kulturë dhe assesi përçarja dhe afirmimi i demagogjisë e i muskujve të krahut. /revistashenja

You may also like