Nisin regjistrimet për “UEFA Football Doctor Education”, kriteret që duhen plotësuar

by admin
Spread the love

Përveç kurseve të shumta që organizohen gjatë kësaj periudhe për formimin e profesionistëve të futbollit, FSHF do të rikthejë edhe kursin “UEFA Football Doctor Education”.

Ky kurs, që do të zgjasë tre ditë në datat 2-4 maj, është i ndarë në një program që mbulon aspekte të ndryshme të mjekësisë sportive. Duke ndjekur udhëzimet e diktuara prej UEFA-s.

Programi do të udhëhiqet nga Sektori i Mjekësisë Sportive në FSHF. Konkretisht nga Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, dhe është mjaft i dobishëm për doktorët sportivë dhe për fizioterapistët.

Në ditën e parë do të trajtohen çështje si parandalimi i aksidenteve, rehabilitimi prej aksidenteve dhe rregullat anti-doping. Por edhe njohja e listës së barnave si edhe psikologjia sportive.

Në ditën e dytë fokusi do të jetë te kontrolli mjekësor sportiv i lojtarëve të futbollit. Shfaqja kardiologjike dhe prezantimet e patologjive kryesore të lojtarëve, parimet e përgatitjes fizike të lojtarëve në ekipin kombëtar dhe në klube. Si edhe mjetet e kontrollit të lodhjes dhe rikuperimit të lojtarëve.

Në ditën e tretë dhe të fundit do të diskutohet rreth të ushqyerit sportiv dhe suplementet, traumat në kokë e tronditjet dhe parimet e ndihmës së parë.

Në përfundim të kursit, të gjithë pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një testi vlerësimi dhe do të pajisen me certifikatën përkatëse.

Kursi do të zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë. Për t’u regjistruar të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:

– Diplomë e Universitetit Mjekësisë ose Fizioterapi

– Kandidati duhet të jetë pajisur me raport mjekësor lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);

– Dy fotografi pasaporte;

– Fotokopje e ID ose e Pasaportës;

– CV që përfshin gjithë aktivitetin si fizioterapist;

– Numër kontakti/ adresë e-maili.

Të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë kërkesat për regjistrim përmes postës elektronike në adresën [email protected] Përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë.

Kërkesat mund të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 30.04.2023. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen. Ata që do të pranohen për të marrë pjesë në këtë kurs duhet të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 50 eurosh./ Shqip


Top Channel

You may also like