Nis sot konkurrimi në “Eurovision Song Contest”: Ronela performon e para

by admin
Spread the love

“Eurovision Song Contest” hap sot siparin me natën e parë gjysmëfinale ku Shqipëria me përfaqësuese Ronela Hajatin do hapë mbrëmjen. Më datë 12 maj do zhvillohet gjysmëfinalja e dytë dhe finalja e madhe do të mbahet dy ditë më vonë, në 14 maj. Torino ka pritur përfaqësues nga e gjithë Evropa për ditë me radhë me delegacionet përkatëse. Rusia do të mungojë këtë vit, pasi u përjashtua menjëherë nga konkurrimi për shkak të mësymjes në Ukrainë.

Provat gjenerale u zhvilluan gjatë javës që lamë pas, ndërsa tapeti i famshëm jeshil ku parakaluan të gjithë delegacionet ishte eventi më i përfolur i ditës së djeshme. Treshja, Laura Pausini, Alessandro Cattelan dhe Mika do të jenë mikpritësit e ceremonisë së “Eurovision Song Contest 2022”. Festivali europian është kthyer prej vitesh në një kult për gjithë Evropën si konkurrimi më prestigjoz dhe audienca e përvitshme i kalon 200 milionë teleshikues. Theksojmë se biletat për eventin e këtij viti janë shitur në pak minuta për të tria netët.

Ky edicion shënon rikthimin me kapacitet të plotë të Eurovision pas pandemisë, që e kushtëzoi në realizimin me masa të rrepta vitin që shkoi dhe atë paraardhës.Formati i ‘Eurovision” është shumë preciz dhe i saktë. Koha dhe gjithçka tjetër është e mirëpërcaktuar, ndërsa investimi për skenën madhështore është gjigand. Në Itali kishte shumë vite që nuk mbahej një edicion i festivalit europian, por Maneskin u sigurua të rikthejë lavdinë me mundësimin e organizimit të këtij viti.

Theksojmë se në ditë të tëra përgatitje, Eurovision është përballur edhe më shumë kritika, duke nisur nga bullizimi i treguar për pamjen fizike të Ronela Hajatit, për të cilën mediat italiane kanë treguar shumë mbështetje, e deri tek detajet e organizimit. Gjendja me kërcënimet dhe ofendimet online u bë aq serioze saqë EBU vendosi të bëjë një deklaratë publike.

“Ne dënojmë fuqishëm të gjitha format e diskriminimit dhe jemi të tronditur nga niveli serioz që ka marrë abuzimi në internet që u është drejtuar atyre, të cilët punojnë fort për të prodhuar shfaqjen e këtij viti”, transmetuan mediat italiane.

Më tej, EBU foli për sulmet që janë nisur “edhe në llogaritë e tyre personale” dhe vazhduan me paralajmërimin se: “çdo sjellje e paligjshme do të bllokohet menjëherë dhe në raste të rënda do t’i denoncojmë personat tek autoritetet kompetente vendore”.

Organizata përfundoi reagimin duke u bërë thirrje ndjekësve dhe fansave të artistëve të ndryshëm të komentojnë “në mënyrë qytetare dhe të tregojnë respekt”.

 

You may also like