Nga targat deri të bllokimi i pikave kufitare, muajt e tensioneve Kosovë-Serbi – Shqip

by admin
Spread the love

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve, hyrja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, protestat e dhunshme, kidnapimi i policëve, janë disa nga ngjarjet kryesore që e kanë karakterizuar veriun në muajt e fundit. Të gjitha këto nisën me zbatimin e vendimit për targat, ndërsa BE dhe SHBA shpreson që tensionet në Veri të ulen pas një takimi eventual mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

Në tetë muajt e fundit, veriu i Kosovës nuk ka qenë i qetë për shkak të zhvillimeve të njëpasnjëshme. Më 1 nëntor nisi zbatimi i vendimit për targat, ndërkaq më 6 nëntor serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ndërsa së fundi, ka lindur një problem tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, ai i bllokimit të pikave kufitare që dje u zbut pak kur qeveria njoftoi jozyrtarisht se tani ka ndalesë vetëm për kamionët që sjellin mallra nga Serbia.

Vendimi për targat

Në tetor të vitit të kaluar, kryeministri Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë, shpalosi një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia. Ai planin e ndau në tri faza, mirëpo parashihte që nga 21 prilli të hiqen të gjitha targat që nuk janë “RKS”.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Mosshtyrja e afatit, kishte zhgënjyer SHBA-të. “Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Më pas, edhe Bashkimi Evropian kishte kërkuar nga Kosova që ta shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj.

Vendimin e Qeverisë refuzoi ta zbatojë  drejtori i Policisë në Veri, Nenad Gjuriq, i cili më pas u suspendua.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës

Pasi Kosova nisi zbatimin e modifikuar për targat dhe suspendimit të drejtorit të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte këtë vendim, serbët vendosën që të lëshojnë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Dorëheqje dhanë deputetët e Listës Serbe në Kuvend, ministri Goran Rakiq, katër kryetarët e komunave në Veri, asamblistët në Leposaviq dhe Zveçan. Gjithashtu, rreth 600 pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës zhveshën uniformat dhe lanë punën aty.

Deputetët u zëvendësuan nga të tjerët, ndërsa për t’i zëvendësuar policët e dorëhequr, Policia e Kosovës ka shpallur disa konkurse, mirëpo interesimi ka qenë i ulët.

Shtyrja e zgjedhjeve

Pas dorëheqjes së katër kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok dhe asamblistëve në Zveçan dhe Leposaviq, presidentja Osmani ka shpallur zgjedhjet për më 18 dhjetor.

Për shkak të nivelit të rrezikshmërisë, siç ka thënë Osmani, zgjedhjet u shtynë për më 23 prill.

Periudha për të aplikuar për certifikim ishte deri më 18 mars, mirëpo për të mos u lënë në presion të takimit në Ohër, KQZ mori vendim që ta shtyjë afatin për katër ditë.

Mirëpo, njëjtë si në dhjetor, edhe në prill Lista Serbe nuk aplikoi për certifikim, duke mbetur kështu jashtë garës.  Përveç kësaj, Lista Serbe ka bërë vazhdimisht thirrje për bojkotim të zgjedhjeve.

Më 23 prill, zgjedhjet u mbajtën në katër komunat veriore, mirëpo pjesëmarrja ishte shumë e ulët, 3.47%. Fitues dolën Erden Atiq i VV-së në Mitrovicë të Veriut, Ilir Peci i PDK-së në Zveçan, Lulzim Hetemi i VV-së në Leposaviq dhe Izmir Zeqiri i PDK-së në Zubin Potok,

Betimi i kryetarëve dhe hyrja nëpër objekte komunale

Bashkësia ndërkombëtare i përkrahu këto zgjedhje, pasi të njëjtat nisën dhe përfunduan pa incidente, mirëpo kërkesa ishin që ata betimin ta kryejnë jashtë objekteve të komunave. Përveç Erden Atiqit që u betua në objekt të komunës në Lagje të Boshnjakëve, tre kryetarët e tjerë betimin e kryen në zyret komunale.

Atiq është betuar më 19 maj, ndërsa tre të tjerët më 25 maj.

Mirëpo, Peci, Zeiqiri dhe Hetemi, më 26 maj, nën përcjellje policore, kanë hyrë në objektet komunale, gjë që ka nxitur protesta nga serbët lokalë.

Protestat për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale, po vazhdojnë akoma, derisa kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut janë ngujuar në objektet komunale.

Protestat kanë qenë të dhunshme, pasi ka pasur sulme të vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndërsa më 29 maj nga përleshjet me protestues janë lënduar 30 ushtarë të KFOR-it. Poashtu, janë plagosur disa policë.

Kërkesa për zgjedhje të reja

Pas tensionimit të situatës në Veri, ndërkombëtarët kanë kërkuar zgjedhje të reja, si një nga hapat për de-eskalimin e situatës atje.

Për të pasur zgjedhje të reja janë pajtuar edhe kryeministri Kurti edhe presidentja Osmani, mirëpo mënyra e shpalljes së zgjedhjeve mund të krijojë një mospajtueshmëri mes liderëve të shtetit dhe BE-së.

Kurti dhe Osmani kanë deklaruar se janë pro zgjedhjeve të reja përmes peticionit të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Ndërsa, në anën tjetër, Borrell e ka përmendur vetëtërheqjen e kryetarëve si “mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë” për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Dorëheqjen e tyre, Kurti ka thënë që s’ka të drejtë ta kërkojë.

Kidnapimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës dhe bllokimi i pikave kufitare

Të mërkurën e kaluar, tre policë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga siç ka thënë Sveçla, ushtria serbe. Version tjetër për këtë, kanë dhënë nga Serbia, pasi ata kanë thënë se policët ishin brenda territorit të tyre. Atyre tashmë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Nga autoritetet në Kosovë, kjo u cilësua si hakmarrje e Serbisë ndaj arrestimeve që Policia e Kosovës ka kryer në Veri. PK ka arrestuar disa serbë që dyshohet se kanë sulmuar gazetarët.

Pas kidnapimit të tyre, ministri Sveçla ka dhënë urdhër që  të bllokohet hyrja e kamionëve të Serbisë në Kosovë. Për këtë vendim, Kurti ka thënë se nuk është masë ekonomiko-tregtare, por masë e sigurisë.

“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Ëa nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, tha Kurti, një ditë pas kidnapimit të policëve.

Ndërkaq, mbrëmjes e së hënës, drejtuesit e kamionëve serbë, të cilët nuk u lejuan të hyjnë në Kosovë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e mallrave serbe, u përgjigjen duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Bërnjak, Jarinjë dhe Merdar.

Aktualisht nëpër pikat kufitare qarkullimi është i ulët, pasi kamionët dhe autobusët po ndalohen në të dy anët.

Për gjendjen e tyre, dje kanë mbajtur konferencë për media kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, të cilët kanë njoftuar se policët janë duke u trajtuar në mënyrë korrekte dhe se të premten pritet që të vizitohen nga familjarët.

Sinjalet për një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka njoftuar se ka ftuar një takim mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo nuk ka pranuar përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dje, kryeministri Kurti ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim, e të cilin BE e paralajmëroi për këtë javë. Ai tha se do të shkojë atje për të prezantuar gjithë dokumentacionin që ka Kosova për rrëmbimin e policëve të Kosovës nga Serbia.

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se është e pakuptimë të flasë me Kurtin.

Dje, emisari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi do të mbahet.

“Çfarë është tejet e rëndësishme, është shtensionimi. Sepse nuk mund të kesh një proces normalizimi, për aq kohë sa qindra, nëso jo mijëra njerëz, janë në rrugë”, tha ka thënë tutje ai.

Sot Kurti e Vuçiq janë duke qëndruar në Bruksel. Ata pritet të takohen ndras, mbetet e e paqartë nëse do të ketë takim trilateral Borell, Kurti, Vuçiq.

You may also like