Nga Meksika do të vija me medalje

by admin
Spread the love

Vonesat në marrjen e vizës i kushtuan pjesëmarrjen në Kampionatin Botër U-17 që po mbahet në Meksikë, talentit të peshëngritjes shqiptare, Ertjan Kofshës.

Pas një kalvari të vërtetë të kaluar në Ambasadën Meksikane në Romë, Kofsha së bashku me trajnerin e tij Leonard Toska janë kthyer në Shtërmen. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ertjan Kofsha shpreh të gjithë zhgënjimin e tij për mungesën në këtë eveniment:

“U nisëm me gjithë qejf për në Meksikë, por nuk vajtëm dot atje. Arsyeja ishte mungesa e dokumentacionit, që na kërkoi ambasada Meksikane ne Romë dhe paga jonë nuk ishte e mjaftueshme sipas tyre.

Nuk e di pse kjo ndalesë, pasi ne ishim sportistë të kombëtares dhe duhet ta merrnim vizën. Jemi mërzitur shumë bashkë me profesorin tim Nardin dhe jo vetëm kaq, por pritëm mbi tetë orë atje para ambasadës dhe asgjë nuk u bë. Ka qenë Komiteti Olimpik i Italisë që na strehoi për dy ditë dhe na mbajti atje.

Të hënën na thanë që mund ta merrnim vizën, por nuk pranuam pasi nuk arrinim të kapnim garën dhe ishim shumë të lodhur, kështu që u kthyem. Më vjen shumë keq për këtë gjë, pasi ishin përgatitur fort për këtë Kampionat Botëror. Jam i sigurt që nuk do të dilja pa gjë dhe do të vija duarplot me medalje”. Ndonëse shumë i mërzitur, megjithatë Kofsha nuk dorëzohet dhe tashmë në mendjen e tij është Kampionati Europian që do të mbahet në Poloni. “Botërori nuk ishte e thënë, kështu që duhet të mendojmë për gara të tjera që na presin.

Po vazhdoj të stërvitem fort për Kampionatin Europian U-17, që do të zhvillohet në fillim të gushtit në Poloni. Mezi e pres këtë garë, ku do të jap më të mirën time dhe do të shpallem kampion Europe. Pra do t’i bëj të gjithë krenarë, pasi po kalojë momente të mira dhe jam në formë tepër të shkëlqyer”, deklaron talent i kombëtares shqiptare të peshëngritjes.

You may also like