Netanyahu: Do të luftojmë deri në fitore, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare

by admin
Spread the love

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të mërkurën se ushtria izraelite do të vazhdojë të luftojë në Rripin e Gazës, megjithëse po përballet me trysni ndërkombëtare për armëpushim.

“Ne do të vazhdojmë deri në fund, deri të fitojmë, derisa ta zhdukim Hamasin”, iu drejtua Netanyahu ushtarëve izraelitë në Gazë përmes radios.

“E them këtë përballë presionit ndërkombëtar dhe dhimbjes së madhe. Asgjë nuk do të na ndalë”, shtoi ai.

Izraeli njoftoi se të mërkurën i pësoi humbjet më të mëdha në betejë prej e nisi pushtimin e Gazës para një muaji, pasi 10 ushtarë iu vranë në një pritë në Gazë. Në mesin e të vdekurve ishin edhe koloneli Itzhak Ben Basat, 44 vjeç – i cili është oficeri më i lartë që vritet në pushtimin tokësor – dhe koloneli Tomer Grinberg, komandant batalioni.

Shumica e tyre u vranë në rrethinën Shiaja në veri të Qytetit të Gazës, pasi trupat e saj ranë në pritë duke tentuar ta shpëtonin një grup ushtarësh që ishin sulmuar brenda një ndërtese nga luftëtarët e Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Ushtria izraelite i vazhdoi luftimet e ashpra në veri dhe jug të Gazës, një ditë pasi Kombet e Bashkuara kërkuan armëpushim të menjëhershëm humanitar.

Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Izraeli është duke e humbur mbështetjen globale për shkak të bombardimit të pakujdesshëm të Rripit të Gazës dhe i bëri thirrje Netanyahut ta ndryshojë Qeverinë e tij.

Izraeli kishte mbështetje globale kur e nisi fushatën për ta shkatërruar Hamasin, i cili e kontrollon Gazës, pasi luftëtarët e tij u futën furishëm në jug të Izraelit më 7 tetor dhe i vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 240 të tjerë.

Prej atëherë, Izraeli e ka rrethuar enklavën palestineze dhe e ka rrënuar shumicën e saj. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të mërkurën se mbi 18.600 palestinezë janë vrarë dhe rreth 50.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej 7 tetorit.

Avionët luftarakë e bombarduan edhe të mërkurën Gazën dhe zyrtarët e organizatave humanitare thanë se shiu dimëror i ka përkeqësuar kushtet për qindra mijëra njerëz që detyrohen të flenë në tenda të improvizuara. Shumica dërrmuese e popullsisë prej 2.3 milionë në Gazë ka mbetur pastrehë./Rel


Top Channel

You may also like