“Në Gaza, zija e urisë”, Kamala Harris: Urgjent armëpushim dhe ndihmë humanitare!

by admin
Spread the love

Njerëzit në Gaza po vuajnë urinë, deklaroi zëvendës presidentja amerikane, Kamala Harris, e cila e nxiti Izraelin të rrisë të mënyrë të ndjeshme nivelin e ndihmës për territorin e gjunjëzuar nga lufta.

Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm për të paktën 6 javët e ardhshme, u shpreh numri dy i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se ky pushim zjarri do të ndihmonte edhe për lirimin e pengjeve izraelite në duart e Hamasit. Më herët u njoftua se Izraeli nuk mori pjesë në bisedimet e armëpushimit në Egjipt, me pretendimin se Hamasi nuk po i dorëzonte listën e pengjeve që janë ende gjallë.

Në një prononcim për BBC-në, Hamasi vetë u justifikua duke thënë se nuk kishte qenë në gjendje ta bënte këtë për shkak të bombardimeve izraelite. “Praktikisht është e pamundur të dihet se kush është ende gjallë,” tha Dr Basem Naim, një zyrtar i lartë i grupit militant. Ekipi i Hamasit dhe ndërmjetësit nga SHBA dhe Katari mësohet se ndodhen tashmë në Kajro për negociatat e planifikuara.

Presioni për një marrëveshje armëpushimi u intensifikua pas incidentit të së enjtes jashtë qytetit të Gazës në veri të enklavës palestineze, ku të paktën 112 njerëz u vranë kur turma nxitoi drejt një kolone ndihmash dhe trupat izraelite hapën zjarr. Harris insistoi se njerëz të pafajshëm në Rripin e Gazës po përjetojnë një “katastrofë humanitare”.

Deklaratat e saj janë ndër më të ashprat e bëra nga ndonjë drejtues i lartë i Qeverisë amerikane deri më tani sa i përket luftës mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi në tetorin e vitit të kaluar.  Harris i kërkoi Qeverisë izraelite që të paraqesë mënyra specifike se si mund të dërgohet më shumë ndihmë në enklavën palestineze ku qindra mijëra persona po përballen me urinë.

“Duke pasur parasysh shkallën e lartë të vuajtjes në Gazë, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm”, u shpreh ajo. “Në tryezë është një marrëveshje dhe siç kemi thënë, Hamasi duhet të pajtohet me të. Le të arrihet një armëpushim. Kushtet në Gaza janë çnjerëzore dhe ne duhet të veprojmë… Qeveria izraelite duhet të bëjë më shumë që të rriten ndjeshëm dërgesat për ndihma. Për këtë nuk ka justifikime”, u shpreh ajo.


Top Channel

You may also like