Ndërhyrja brutale në procesin edukativ-arsimor me mësim në gjuhën shqipe në RS të Maqedonisë gjatë vitit 1981

by admin
Spread the love
Qerim Lita

Dhoma Shoqërore-Politike e Kuvendit të RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 27 maj 1981, i miratoi konkluzionet kushtuar procesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe, ku vihej në dukje se në të “ishin vërejtur dukuri të ndikimeve të huaja dhe të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”. Nisur nga një konstatim i tillë, Dhoma e ngarkoi Sekretariatin Republikan për Arsim dhe Shkencë të ndërmerrte masa përkatëse, për “cilësinë moralo-politike” të kuadrit arsimor me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa, në bashkëpunim me organet e organizatat tjera, “të kryejë inspektim të menjëhershëm në të gjitha librat shkollorë dhe literaturën ndihmëse me mësim në gjuhën shqipe”, ndërsa nëse do të konstatoheshin “dukuri të tilla, t’i tërheqë nga përdorimi”.

Qerim LITA, Shkup

Ndryshimet kushtetuese të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar në RSF të Jugosllavisë, përkatësisht RS të Maqedonisë, pa dyshim se ndikuan pozitivisht në zhvillimin e përshpejtuar të popullsisë shqiptare në këtë republikë, sidomos në fushën e arsimit e të kulturës. Duhet theksuar se një zhvillim i tillë nuk zgjati shumë gjatë, përkatësisht deri në mbarim të vitit shkollor 1980/81 dhe fillim të vitit 1981/82, kur autoritetet e Shkupit zyrtar ndërhyn brutalisht në procesin edukativo-arsimor në gjuhën shqipe.
Në referatin me titull “Çështja atkuale ideopolitike në arritjen e politikës së barazisë dhe unitetit të kombit maqedonas, kombësive dhe grupeve etnike në RS të Maqedonisë”, i cili u lexua nga Millan Pançevski në mbledhjen e Kryesisë së KQ LKM-së, punimet e së cilës u zhvilluan më 20-21 maj 1981, ndër të tjera thuhej se demonstratat që shpërthyen në Kosovë gjatë muajve mars-prill 1981 “krahas karkaterit të tyre kundërrevolucionar të drejtuar kundër themeleve të RSFJ-së kanë edhe ndikim negativ bukur të madh e të drejtpërdrejtë ndaj situatës politike në republikën tonë”. Në pjesën ku flitej për procesin edukativo-arsimor me mësim në gjuhën shqipe shprehimisht thuhej:
“…Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë duhet në mënyrën tepër të hapur dhe të fuqishme t’u kundërvihet dukurive të caktuara negative, në sistemin arsimor i cili, midis të tjerave, përbën një ndër vatrat bazë të nacionalizmit dhe shovinizmit, në radhë të parë te kombësia shqiptare. Në kuadër të kësaj duhet, pa asnjë hamendje, të theksojmë se kërkesat dhe tendencat për krijimin e sistemit paralel e të ndarë arsimor sipas përkatësisë nacionale është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me barazinë, vëllazërim-bashkimin, unitetin dhe bashkëjetesën e kombeve e kombësive tona, se kjo nënkupton izolacionizëm, gjegjësisht nacionalizëm dhe se kjo është mohim i parimit – sistemi arsimor të jetë në funksion të punës së bashkuar. Më tej nevojitet në mënyrë shumë më të fuqishme të ndalemi kah eliminimi i situatave dhe dukurive të caktuara në sistemin arsimor, të cilat shprehen në konceptimin e programeve, në zhvillimin e drejtpërdrejtë të mësimit, përmbajtjes së librave të caktuara etj. Thënë ndryshe, janë të pranishme edhe dukuri të tilla, të cilat gjatë zhvillimit të mësimit para së gjithash në fushën e historisë, letërsisë, gjuhës, gjeografisë etj., nuk i shprehin në përmasa të mjaftueshme pikëpamjet marksiste të çështjes nacionale, barazisë, unitetit, proceseve të formimit të shteteve në Ballkan, e në atë kontekst nuk janë sa duhet të pranishme mësimet nga historia jonë veçanërisht nga LNÇ-ja dhe revolucioni socialist, të cilat nxjerrin në pah pamëdyshje se politika e pabarazisë, nacionalizmit, separatizmit, hegjemonizmit, riformësimi i kufijve shtetërorë e ngjashëm ishte në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me interesat themelore dhe ekzistenciale të çdo kombi e kombësie”.
Si rrjedhojë e një konstatimi të tillë nga udhëheqja politike maqedonase, Dhoma Shoqërore-Politike e Kuvendit të RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 27 maj 1981, i miratoi konkluzionet kushtuar procesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe, ku vihej në dukje se në të “ishin vërejtur dukuri të ndikimeve të huaja dhe të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”. Nisur nga një konstatim i tillë, Dhoma e ngarkoi Sekretariatin Republikan për Arsim dhe Shkencë të ndërmerrte masa përkatëse, për “cilësinë moralo-politike” të kuadrit arsimor me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa, në bashkëpunim me organet e organizatat tjera, “të kryejë inspektim të menjëhershëm në të gjitha librat shkollorë dhe literaturën ndihmëse me mësim në gjuhën shqipe”, ndërsa nëse do të konstatoheshin “dukuri të tilla, t’i tërheqë nga përdorimi”. E një rëndësie të veçantë për t’u theksuar është pika 6 e Konkluzioneve, ku thuhej: “Dhoma vë në dukje edhe për nevojën e rishikimit të plotë të të gjitha planeve, programeve dhe librave nga këndëvështrimi ideor dhe edukativ dhe për situatat në historiografi”.
Për rrjedhojë, Sekretariati për Arsim dhe Shkencë, në bashkëpunim me Entin Republikan për Zhvillimin e Edukimit dhe Arsimit, entet përkatëse komunale dhe Shtëpinë Botuese “Prosvetno Dello”, në korrik të vitit 1981 e hartoi një Informatë, e cila ofronte një pasqyrë më të zgjeruar rreth “qasjes dhe realizimit të veprimtarisë edukativo-arsimore me mësim në gjuhën shqipe”, përkatësisht prezantimit të “arritjeve” të veprimtarisë në këtë fushë. Në pjesën ku përshkruhej situata me librat shkollorë me mësim në gjuhën shqipe thuhej se ato ishin botuar nga “Organizata Punuese për botimin e librave shkollor ‘Prosvetno Dello’”, me përjashtim të librave të letërsisë dhe të gramatikës së gjuhës shqipe për vitin I e II, të botuar në Entin Krahinor për botimin e librave shkollorë dhe doracakëve të KSA të Kosovës.
“Librat në gjuhën shqipe që janë botuar nga ‘Prosvetno Dello’ – Shkup”, theksohet në informatë, “me përjashtim të librave të leximit (nga klasa I-VIII) dhe gramatikave (nga klasa e III-VIII) janë përkthim i librave që përdoren në mësimin e gjuhës mësimore maqedonase”. “Mirëpo – vazhdon informata – përkundër përdorimit të librave shkollorë të miratuar, është konstatuar se në disa organizata edukative-arsimore arsimtarë dhe nxënës të caktuar nga shkollimi i mesëm përdorin edhe libra shkollorë dhe doracakë që nuk kanë marrë miratim për përdorim në republikën tonë. Ato kryesisht janë botime të shtëpive botuese nga Prishtina (Teoria e Letërsisë nga Gani Luboteni dhe Historia e Letërsisë, Antologjia, Letërsia Botërore, Gramatika dhe Teoria e Letërsisë nga Sterio Spase), si dhe doracakë të botuar në RPS të Shqipërisë, ndërsa të ribotuar në KSA të Kosovës. Përveç kësaj, inspektimi arsimor ka konstatuar se në shkolla të caktuara fillore e të mesme, kryesisht në zonat e komunave Tetovë, Gostivar e Kumanovë, janë përdorur edhe libra të tjerë shkollorë, të cilët nuk kanë marrë miratim për përdorim në republikën tonë. Ato janë: Historia për vitin I të arsimit të mesëm nga Dr. Ali Hadri, botuar në vitin 1967 në Prishtinë, Patologjia për vitin II për shkollat mjekësore nga doc. Bedri P. – Dr. S. Subashi, botuar në vitin 1970 në Tiranë, dhe Historia e Letërsisë Shqipe nga viti I–IV të arsimit të mesëm nga Dhimitër Shuteriqi nga RPS e Shqipërisë, e ribotuar në vitin 1972 në Prishtinë. Për përdorim të përkohshëm ngelin Gramatika e gjuhës shqipe nga Shaban Demiraj nga RPS e Shqipërisë”.
Përveç kësaj, në lektyrën shkollore ishin paraparë edhe shkrimtarët më të njohur shqiptarë: Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, për të cilët në Informatë thuhej se “menjëherë pas ngjarjeve të paradokohshme në KSA të Kosovës” kishin dalur me një qëndrim kundër Jugosllavisë. Sa u përket teksteve shkollore, theksohej se “dobësi më të mëdha” ishin konstatuar në librat e leximit të gjuhës shqipe nga klasa V e deri te VIII, në të cilat “dominonin tekstet e autorëve nga RPS e Shqipërisë”, përfshirë këtu edhe shkrimtarët bashkëkohorë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Sterjo Spase, Fatos Arapi, Naum Prifti, Thoma Kaçorri, Fatmir Gjata, Spiro Çomora etj., që sipas Informatës: “krijohet hapësirë e mjaftueshme për indoktrinimin e drejtpërdrejtë të gjeneratës së re dhe që me temat, idetë dhe porositë që i ofrojnë, nxisin ndjenja nacionaliste”. Krejt në fund të Informatës propozoheshin masat që duhej të ndërmerreshin kundër procesit edukativo-arsimor me mësim në gjuhën shqipe, të cilat në vazhdim po i paraqesim të plota:
“1. Të vazhdohet me rishqyrtimin dhe analizimin e planeve dhe programeve mësimore me mësim në gjuhën shqipe dhe në përputhje me gjetjet nga rivlerësimi i tyre të ndërmerren masa konkrete për ndryshimin e tyre. Në kuadër të kësaj nevojitet:
– Komisionet për përpunimin e planeve dhe programeve mësimore për arsimin fillor, të mesëm e superior të fillojnë menjëherë kah rivlerësimi i planeve dhe programeve mësimore dhe deri në përfundim të vitit 1981 organeve kompetente vetëqeverisëse dhe shoqërore t’u dërgojnë propozime për ndryshimin dhe përmirësimin e tyre;
– Këshilli Pedagogik Republikan, Enti Republikan për Përparimin e Edukimit dhe Arsimit dhe organizatat përkatëse të arsimit të lartë të ndërmarrin masa të përkohshme, para fillimit të vitit shkollor 1981/82, për largimin e përmbajtjeve të kontestuara në programet për gjuhën dhe letërsinë shqipe dhe të historisë, ndërsa për zbatimin e programeve të ndryshuara të hartojnë udhëzime përkatëse;
– Akademia Pedagogjike ‘Klimenti i Ohrit’ – Shkup të ngrejë procedurë të menjëhershme për rishikimin e planit mësimor për profilin e stafit që arsimohet në grupin e gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase, për shkollat me mësim në gjuhën shqipe, me qëllim që ky profil i stafit të përputhet me kushtet të parapara në Ligjin për edukimin dhe arsimin fillor.
2. Këshilli Pedagogjik Republikan dhe organizatat e larta përkatëse deri në vitin akademik 1981/82 të sjellin vendim për largimin e përkohshëm nga përdorimi i veprave të parapara për lektyrë dhe të teksteve të caktuara nga librat e leximit nga autorët e përmendur në material, si dhe të autorëve tjerë për të cilët do të vërtetohet se nuk përputhen me qëllimet dhe detyrat e arsimit dhe edukimit tonë.
Organizatat edukativo-arsimore, shërbimet pedagogjike arsimore dhe organizatat botuese, si dhe organizatat e bashkësitë tjera kompetente, ta përforcojnë përgjegjësinë, vigjilencën dhe seleksionimin në lidhje me përdorimin e librave shkollor dhe të literaturës tjetër në gjuhën shqipe që janë botuar apo janë ribotuar te ne, përkatësisht importuar nga RPS e Shqipërisë.
3. Për zbulimin dhe mënjanimin më të suksesshëm të dukurive dhe tendencave armiqësore të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar në organizatat edukativo-arsimore është e domosdoshme që inspektorët e arsimit komunal e republikan aktivitetin e tyre ta intensifikojnë dhe orientojnë veçanërisht në:
– zbulimin dhe largimin e librave dhe literaturës të cilat nuk janë të miratuara, përkatësisht të rekomanduara nga organet kompetente;
– zbulimin dhe identifikimin të stafit edukativo-arsimor, i cili nuk i plotëson kushtet ligjore të parapara për zhvillimin e veprimtarisë edukativo-arsimore në arsimin dhe edukimin fillor, të mesëm dhe superior.
4. Të intensifikohet inspektimi pedagogjik i drejtpërdrejt në veprimtarinë edukativo-arsimore të shkollimit dhe edukimit fillor dhe të mesëm, veçanërisht në organizatat për arsimin e mesëm, ku është organizuar veprimtaria në gjuhën mësimore shqipe. Për këtë qëllim entet për përparimin e edukimit dhe arsimimit duhet të hartojnë programe konkrete.
5. Sekretariati Republikan për Shkencë dhe Arsim t’i qaset menjëherë rishikimit të rregulloreve për mbajtjen e dokumentacionit dhe evidencës pedagogjike dhe në mënyrën më precize ta përcaktojë mbajtjen, përkatësisht botimin e tyre, në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që zhvillohet veprimtaria edukativo-arsimore.
6. Universiteti “Qirili dhe Metodi” – Shkup të përgatisë analizë të thuktë për bashkëpunimin e deritanishëm me Universitetin e Tiranës, mbi njohuritë e fituara dhe në bashkëpunim me organet dhe organizatat kompetente t’i orientojë drejtimet e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.
7. Organizatat botuese të revistave për fëmijë në gjuhën shqipe të kryejnë analizë për përmbajtjen e tyre, veçanërisht nga këndvështrimi ideoro-edukativ dhe deri në mbarim të vitit 1981 t’ia dorëzojnë Këshillit Pedagogjik Republikan.
8. Bashkësitë e Arsimit, Fondi i Titos dhe deponuesit tjerë të kredive dhe të bursave, ta rishikojnë sjelljen e nxënësve dhe të studentëve – shfrytëzues të kredive dhe të bursave në lidhje me nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar dhe të ndërmarrim masa përkatëse.
9. Ngarkohet Sekretariati Republikan për Shkencë dhe Arsim, në suazat e kompetencave të tij, të sigurojë implementimin efikas të masave të propozuara dhe për aktivitetet e realizuara ta njoftoj rregullisht Kuvendin e RS të Maqedonisë”.
Mbi bazë të propozimit të mësipërm, Sekretariati për Arsim dhe Shkencë në bashkëpunim me “Prosvetno Dello” dhe me Entin Republikan për Përparimin e Edukimit dhe Arsimit, më 15 korrik 1981 e formoi grupin punues prej 13 anëtarëve (kryetari dhe tetë anëtarë ishin shqiptarë, shumica nga ata profesorë e politikanë, të cilët shfrytëzoheshin si vegla të politikës së atëhershme antishqiptare nga udhëheqja komuniste maqedonase, emrat e të cilëve janë të njohur për autorin e këtij shkrimi), me detyrë që: “të bëjë vlerësimin dhe përcaktimin e funksionit ideoro-edukativ të librit të leximit me mësim në gjuhën shqipe për klasën V, të autorëve Kimete dhe Adnan Agai dhe librat e leximit me mësim në gjuhën shqipe nga klasa VI-VIII të autorit Ali Aliu”, si dhe “ta përcaktojë shkallën e përputhshmërisë së librave të leximit me kërkesat programore”. Gjithnjë sipas diktatit të strukturave të larta partiake e shtetërore komuniste maqedonase, grupi punues, në Analizën që më 22 korrik 1981 ia dorëzoi Këshillit Pedagogjik Republikan, do të konstatojë se:
“1. Librat e leximit nga klasa V deri në të VIII në gjuhën shqipe që janë në përdorim në shkollat fillore në RS të Maqedonisë e kanë kryer funksionin e tyre të caktuar. Duke i vlerësuar vlerat dhe mangësitë e tyre u pa se librat e leximit në pikëpamjen programore nuk përputhen me qëllimet dhe detyrat e mësimit për gjuhën mësimore shqipe sipas programit të miratuar në vitin 1972.
2. Në librat e leximit janë vendosur tekste të cilat nuk përputhen dhe janë në kundërshtim me përcaktimet ideologjike-marksiste të edukimit dhe arsimit të shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse. Me këtë ato tekste kryejnë ndikim negativ ideologjik në formimin e personalitetit të ri.
3. Në librat e leximit nuk janë përfaqësuar në përmasa të mjaftueshme LNÇ-ja dhe Revolucioni Socialist, vëllazërim-bashkimi dhe uniteti i kombeve e kombësive jugosllave, roli i LKJ-së, ndërtimi socialist vetëqeverisës dhe vlerat e tjera të realitetit tonë.
4. Nuk kanë ekzistuar kritere më të forta gjatë përzgjedhjes së teksteve dhe vlerësimit të tyre sipas përcaktimeve ideologjike, përfaqësimit të autorëve, aktualitetit dhe funksionit të tyre në edukimin e nxënësve”.
Nisur nga kjo, grupi punues propozonte që: “Librat e leximit për klasat V, VI, VII dhe VIII në gjuhën mësimore shqipe të lihen jashtë përdorimit; për sigurimin e nxënësve me libra leximi sipas kërkesave programore dhe konceptit të librave shkollor për gjuhën amtare, të ndërmerren masa të menjëhershme për botimin e tyre, për sigurimin e përkohshëm të nxënësve me libra leximi për vitin shkollor 1981/82 propozohen këto variante: a) të formohen grup autorësh të cilët do të përgatisin dorëshkrime për përdorim të përkohshëm; b) revista për fëmijë “Gëzimi” pranë “Flakës së Vëllazërimit” Shkup të botoj botime të veçanta të teksteve me dedikim programor të përcaktuar”.
Në bazë të propozimit të Grupit Punues, Këshillit Pedagogjik Republikan, në mbledhjen e mbajtur më 28 gusht, i solli këto vendime:
“1. Miratohet Analiza e librave të leximit nga klasa V-VIII për shkollat fillore në RS të Maqedonisë me mësim në gjuhën shqipe.
2. Nga 1 shtatori 1981, përkatësisht nga fillimi i vitit shkollor 1981/82, vendosen jashtë përdorimit librat e leximit nga klasa V-VIII me mësim në gjuhën shqipe, për arsye se ato nuk janë në përputhje me planet dhe programet mësimore dhe konceptet për librat shkollorë.
3. Menjëherë të formohet grup redaktues pranë Organizatës Punuese për libra shkollorë “Prosvetno Dello”, i cili duhet të përgatisë përzgjedhje të teksteve, më së shumti deri 15 për çdo klasë për shfrytëzim të përkohshëm në shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Përzgjedhja e teksteve të botohet menjëherë dhe të jepet në shfrytëzim në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
4. Që të mundësohet sa më parë që është e mundur botimi i teksteve të përzgjedhura, Këshilli Pedagogjik Republikan e autorizon Komisionin për Libra për Shkollat Fillore të kryejë inspektim të përmbajtjes së teksteve dhe të japë pëlqim për shfrytëzimin e tyre në shkollat me mësim në gjuhën shqipe e, pastaj, në mbledhjen e ardhshme të njoftohet Këshilli.
5. Ngarkohet Organizata Punuese për Libra Shkollorë “Prosvetno Dello” që së bashku me redaksinë e veçantë të përpunojë libra leximi të përkohshëm (përmbledhje të teksteve të përzgjedhura) për shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe nga klasa V-VIII.
Librat e përkohshëm të leximit do të përdoren në vitin shkollor 1981/82.
6. Ngarkohet Organizata Punuese për Libra Shkollorë “Prosvetno Dello” të fillojë me hartimin e librave të rinj të leximit (të përhershëm) për të gjitha klasat (V-VIII) përmes procedurës së rregullt e të përshpejtuar. Librat e leximit dedikuar nxënësve nga klasa V-VIII me mësim në gjuhën shqipe të jenë gati për vitin shkollor1982/83.
7. Autorizohet Organizata Punuese për Libra Shkollorë “Prosvetno Dello” të shpallë konkurs për paraqitjen e autorëve që do të angazhoheshin për përgatitjen e librave të rinj të leximit për nxënësit nga klasa V-VIII me mësim në gjuhën shqipe nën kushte të njëjta, sikurse edhe konkurset e shpallura deri më tani, për çka Këshilli Pedagogjik Republikan ka sjell vendim paraprakisht.
8. Për vendimet e miratuara 16 anëtarë të Këshillit votuan “pro”, kundër 4 dhe 1 ishte i përmbajtur.
9. Shërbimi i Këshillit Pedagogjik Republikan të përgatisë vendim për tekstet e përzgjedhura për shfrytëzim të përkohshëm, për çdo klasë (V-VIII) me mësim në gjuhën shqipe dhe vendime për librat e leximit të tërhequr nga klasa V-VIII.
Zgjidhjet dhe vendimet të publikohen në “Gazetën Zyrtare të RSM-së” dhe t’u dorëzohen palëve – autorëve, Sekretariatit Republikan për Shkencë dhe Arsim, Entit Republikan për Përparimin e Edukimit dhe Arsimit, Organizatës Punuese për Libra Shkollorë “Prosvetno Delllo” dhe Arkivit të Këshillit Pedagogjik”.
Po në këtë periudhë kohore (korrik 1981), Sekretariati Republikan për Arsim dhe Shkencë e formoi edhe një komision tjetër, i cili pati për detyrë të bëjë inspektimin e librave shkollorë të lëndës së historisë dhe të librave të leximit të historisë me mësim në gjuhën shqipe. Më 19 gusht të vitit 1981, komisioni në fjalë e hartoi Informatën për gjendjen faktike të lëndës së historisë dhe për librat e historisë të arsimit fillor e të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, ku ndër të tjera thuhej se “gjatë përpunimit të përmbajtjes nga historia e kombësisë shqiptare” nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme bashkëjetesës dhe luftës së përbashkët të “kombit maqedonas dhe shqiptarëve që kanë jetuar në këtë pjesë të Ballkanit…”. “Glorifikimi i tepruar, thuhej më tej në Informatë, i disa personaliteteve dhe ngjarjeve të historiografisë shqiptare (sundimi i Ali Pashë Tepelenës, veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit, kryengritjet e shqiptarëve të viteve 1909-1912 kundër regjimit xhonturk, nuk është zbardh dhe përpunuar pjesëmarrja e maqedonasve në luftën e Skënderbeut, shkrime të tepruara për feudalët shqiptarë, në vend se të potencohet roli i masave popullore…etj.”. Nisur nga kjo, Komisioni propozonte largimin e disa njësive mësimore që ishin përfshirë në librat e historisë edhe atë:
“Historia për klasën VI fq. 77 – “Zona të pavarura feudale”, pasi nuk prezantohet lidhja dhe e kaluara revolucionare e kombësisë shqiptare në vendin tonë;
“Në librin Historia për klasën VIII të bjerë njësia mësimore “Politika e veçantë ndaj shqiptarëve – shpërngulja”, për arsye se kombësia shqiptare duhet të ketë trajtim të njëjtë me kombet e kombësitë tjera.
Gjatë botimit eventual në të ardhmen të librit Historia për vitin II për gjimnaze, duke e pasur parasysh theksimin tej mase të rolit të feudalëve në përgjithësi, ato përmbajtje të përpunohen, ku do të theksohet separatizmi feudal, pasi veprimtaria e feudalëve nuk ka qenë e përqendruar për interesat e ndonjë kombi;
Gjatë botimit të ri eventual të Historisë për vitin III për gjimnaz Lidhja e Prizrenit dhe roli i saj të përpunohet në pasqyrën e re;
Komisioni konsideron se duhet të largohet përmbajtja e Principatave Shqiptare pas vdekjes së Dushanit (Durrësi, Shkodra dhe Arta) fq. 63-64 nga libri për vitin e dytë, pasi nuk parashihet me program;
Të largohet përmbajtja “Kryengritjet shqiptare gjatë viteve 1909-1912” fq. 224-227 nga Historia për vitin III, ndërsa të zëvendësohet me përmbajtje të re të përpunuar”.
Kjo informatë u shqyrtua në mbledhjen që Këshillit Pedagogjik Republikan e mbajti më 28 gusht 1981, në të cilën u soll konkluzioni i mëposhtëm:
“Pranohet në tërësi, pa ndryshime, Informata për situatat në librat e historisë dhe librat e leximit të historisë, që nënkupton se miratohet shfrytëzimi i librave ekzistues, të historisë dhe librave të leximit të historisë nga klasa V-VIII dhe librat shkollorë të historisë për vitin I dhe IV të arsimit të mesëm.
Për historitë të vitit II dhe III të arsimit të mesëm ngarkohet Organizata Punuese për Libra Shkollorë “Prosvetno Dello” t’i largojë përmbajtjet e theksuara sipas konkluzionit të Informatës, e më pas t’u jepen shkollave për përdorim”.
Ndërkohë, Këshilli Pedagogjik Republikan, në mbledhjen e mbajtur më 11 dhjetor 1981, vendosi që ta heqë nga përdorimi librin shkollor “Letërsia për vitin II” të Latif Berishës dhe Isak Shemës, për shkak se, siç thuhej në procesverbalin e asaj mbledhjeje, “i njëjti nuk përshtatet me programet mësimore, por edhe për shkak se në të janë vendosur krijimtari të autorëve nga RPS e Shqipërisë, për të cilët Këshilli Pedagogjik ka sjellur vendim që të lihen jashtë përdorimit”.
Në përmbyllje të këtij shkrimi, po e shpalosim në tërësi Raportin e Komisionit për Marrëdhënie ndërnacionale të Kuvendit të RS të Maqedonisë, Nr. 28-28/38, datë 14 korrik 1981, përmes të cilit jepet vlerësimi i “Informatës për disa situata në realizimin e veprimtarisë edukativo-arsimore në gjuhën shqipe”.

* * *

“Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë
Nr. 28-28/38
14.VII.1981

Dhomës së Punës së Bashkuar, Dhomës Shoqëroro-Politike
dhe Dhomës së Komunave të Kuvendit të RSM-së

Komisioni për Marrëdhënie Ndërnacionale i Kuvendit të RS të Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur më 14 korrik të vitit 1981, e shqyrtoi Informatën për disa situata në realizimin e veprimtarisë edukativo-arsimore në gjuhën shqipe dhe mbi bazën e debatit dhomave ua dërgonë këtë raport:
Komisioni vlerësoi se Informata bën përpjekje që në mënyrë reale të shihen situatat në realizimin e veprimtarisë edukativo-arsimore në gjuhën shqipe në shkollat fillore, në arsimin e mesëm të orientuar dhe në arsimin e lartë.
Mbi të gjitha, Komisioni konstatoi se në periudhën e kaluar në arsimin dhe edukimin e të gjitha niveleve në gjuhën shqipe janë arritur rezultate të konsiderueshme në zhvillimin e rrjetit, përfshirjen e gjeneratave, zgjerimin e bazës kadrovike, sigurimin me libra shkollorë etj.
Mirëpo, Komisioni, siç konstatoi edhe në mbledhjen e kaluar, përkundër rezultateve të arritura prezente janë edhe dukuri negative, në radhë të parë të karakterit ideoro-edukativ në lëndët e grupimit shoqëror në planet dhe programet mësimore, librave shkollorë dhe literaturës ndihmëse, kualitetit moralo-politik të arsimtarëve të caktuar etj.
Gjatë debatit për planet dhe programet mësimore dhe të librave shkollorë, veçanërisht për lëndët Gjuhë dhe letërsi shqipe, Histori, Sociologji etj., Komisioni konstatoi se janë prezente edhe dukuri të tilla të cilat nuk i shprehin në përmasa të mjaftueshme pikëpamjet marksiste të çështjes nacionale, pastaj të vëllazërim-bashkimit të kombeve e kombësive të Jugosllavisë, bashkësisë shumënacionale dhe sistemit socialist vetëqeverisës jugosllavë.
Komisioni veçanërisht i dënoi dukuritë që në programet mësimore dhe në tekste të caktuara shkollore janë prezente përmbajtje me të cilat indoktrinohen ndikimet ideore të huaja nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Komisioni vuri në pah se kundër dukurive të tilla duhet të ndërmerren masa konkrete për mënjanimin e tërë asaj që është e huaj për nga karakteri ideoro-edukativ i shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse. Nisur nga kjo, Komisioni theks të veçantë i dha përfaqësimit më të madh të aktiviteteve të lira në shkollat fillore e të mesme dhe në fakultete me pjesëmarrje të përbashkët të nxënësve dhe studentëve nga të gjitha nacionalitetet, përmes të cilave mund të vihet më së shumti në shprehje uniteti, vëllazërim-bashkimi dhe barazia e kombeve dhe e kombësive.
Siç është theksuar edhe në material, Komisioni konstatoi se në disa shkolla fillore e të mesme, si dhe në shkollimin e lartë janë të inkuadruar në punë arsimtarë të cilët kanë qenë të dënuar ose kundër të cilëve janë ndërmarrë masa ideoro-edukative për shkak veprimtarisë së tyre armiqësore nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Komisioni, siç vuri në dukje edhe në raportin e mbledhjes së kaluar, konstatoi se personat e tillë nuk e kanë vendin në organizatat edukativo-arsimore.
Në debat u vu re se në lëndën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe mësohen numër i madh i shkrimtarëve nga Shqipëria, madje edhe të tillë të cilët në mënyrë të hapur janë kundërvën dhe janë prononcuar kundër sistemit socialist vetëqeverisës së Jugosllavisë me shkrime nëpër gazeta, revista dhe libra të tyre. U propozua që nga programi mësimor të zvogëlohet numri i tyre, veçanërisht i atyre të cilët me veprat e tyre kanë sjellje armiqësore ndaj vendit tonë.
Në fund Komisioni e miratoi Informatën dhe vlerësoi se pikëpamjet në të mund të shërbejnë si bazë për debat në dhomat e Kuvendit. Në lidhje me masat që janë propozuar në material, Komisioni konsideron se ato duhet të shërbejnë si bazë për zgjidhjen e problemeve që janë prezente në organizatat edukativo-arsimore në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Lidhur me këtë, Komisioni veçanërisht e theksoi konkluzionin që të vazhdohet me rishikimin dhe analizimin e planeve dhe programeve mësimore, teksteve shkollore dhe literaturës ndihmëse etj. në gjuhën shqipe dhe në përputhje me zbulimin nga rishikimi i tyre të ndërmerren masa konkrete për ndryshimin e tyre.
Kryetari i Komisionit për marrëdhënie ndërnacionale

Spirko Spirkovski

You may also like