Nations League në aktin final, Spanja dhe Kroacia sfidohen për trofeun

by admin
Spread the love

Kroacia dhe Spanja do të luftojnë për trofeun e edicionit të tretë të Nations League.

Pas fitoreve në gjysmëfinale ndaj Holandës dhe Italisë, ballkanasit dhe iberikët do të japin maksimumin për këtë çmim dhe t’i bashkohen fituesve të mëparshëm të këtij kompeticioni si Portugalia dhe Franca.

Mund të konsiderohet ndryshe si shansi i fundit i Kroacisë me brezin e saj të artë për të fituar një trofe, që pas ecurive të jashtëzakonshme në dy Botërorët e fundit do të kërkojnë që rrugëtimin e Nations League ta konkludojnë me sukses.

Pavarësisht se gjenden në finale, për Kroacinë nuk ka qenë rrugëtimi më i lehtë. Kroatët e nisën këtë kompeticion me një humbje dhe një barazim ndaj Austrisë dhe Francës, por fitoret e marra ndaj Danimarkës dhe ndaj Francës në ndeshjet e kthimit i ndihmuan që të kalojnë grupin.

Një rrugëtim i gjatë dhe inspirues, por në finale do të masin forcat me Spanjën, një kundërshtar që i ka hapur gjithnjë probleme në vitet e fundit dhe statistikat flasin dukshëm për iberikët që kanë 5 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje në përballjet e zhvilluara.

Gjysmëfinalja e Spanjës ndaj Italisë dukej e destinuar për extra-time deri në momentin kur Joselu dërgoi në rrjetë një top të mbetur në zonën e “azzurëve” në minutën e 88’, për të dërguar La Furia Rojan në finalen e tetë të një kompeticioni madhor.

Triumfi në finale ndaj Kroacisë do të ishte starti perfekt i periudhës menaxheriale tek Spanja për trajnerin Luis de la Fuente, që do të drejtojë vetëm ndeshjen e tij të katërt në finalen e Roterdamit. Pavarësisht se Spanja konsiderohet favorite e madhe në këtë finale, Kroacia e ka dëshmuar shpesh në të kaluarën që t’i nënvlerësosh është gabimi më i madh.

Duke filluar nga ora 20:45, finalen e Nations League do të keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht vetëm në ekranin e Supersport 2.


Top Channel

You may also like