Myrtaj: Ndeshja ndryshoi kur u fut Asllani, nuk e kuptoj sjellën e Rejës me mesfushorin

by admin
Spread the love

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Oversport, Klevisa Alinani, ish-futbollisti i kombëtares Florian Myrtaj ka analizuar miqësoren Shqipëri-Itali, që u luajt mbrëmë në stadiumin “Air Albania”.

“Pamë një ndeshje të bukur, një Shqipëri të bukur. Mund të ishte një rezultat tjetër, të paktën një humbje me një gol diferencë. Italia e uli ritmin e lojës në 30 minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa Shqipëria u rrit. Loja e kombëtares u rrit edhe me zëvendësimet që bëri trajneri, që për mendimin tim duhet ti bënte më përpara.

Italia e vuan shumë faktin që nuk është në Botëror. Zaniolo rikthehet pas shumë kohësh në kombëtare, ku nuk ka kujtime shumë të mira pasi është dëmtuar. Raspadori më pëlqeu shumë, luajti shumë mirë. Edhe një gjë shumë e bukur më ra në sy, aktivizimi i një djaloshi të ri 16-vjeçar (Pafundi), që nuk ka luajtur akoma në Serie A, por luan në kombëtare. Ky është një guxim që pak trajnerë e kanë. Isha kurioz të shihja Zaniolon dhe Tonalin.

Shqipëria? Kur pashë formacionin nuk më pëlqeu mesfusha dhe tani që mbaroi ndeshja e konfirmoj që nuk më pëlqeu reparti i mesfushës. Sidomos pjesën e parë 2 mesfushorët e qendrës nuk ndihmonin mbrojtjen, pjesën e dytë morën guxim dhe luajtën më përpara edhe Bare edhe Abrashi, ndoshta ndikoi edhe dalja e Tonalit, që ushtronte shumë presion.

Por ndeshja ndryshoi për mendimin tim kur u fut Asllani, edhe pse ishin 15 minutat e fundit, ai i dha skuadrës atë nivelin teknik që jep ky lojtar. Duhej aktivizuar më herët? Nuk mendoj që duhej aktivizuar më herët, mendoj që Asllani duhet të jetë gjithmonë titullar, sidomos në një mesfushë të tillë. Nuk është polemikë me Rejën, por është një mendim i imi që nëse do të isha trajner i kombëtares (nuk dua që të jem trajner i kombëtares) Asllani do të ishte gjithmonë në formacion.

Si e komenti deklaratën e Rejës, që Asllani duhet të largohet nga Interi për të luajtur më shumë minuta? Nuk është pritur mirë as nga Asllani me sa di unë. Ndonjëherë këta trajnerët që janë në moshë e sipër bëjnë komente që nuk i kuptojnë, siç e bëri sot për Brojën. Të njëjtën gjë tha edhe për Brojën. E pyeta çfarë këshille ke për Brojën? Reja tha që lojtari ka shumë këshilltarë, por unë e këshilloj që të rrijë në Angli, por të largohet nga Chelsea.

Mendoj që niveli i Brojës është super, Broja stërvitet me ekip që para dy vitesh ka fituar Champions dhe rritja që mund të ketë në atë ambiente është shumë më e madhe se te Southempton. Edhe pse te “shenjtorët” mund të luante më shumë, ka lojtarë që nëse kanë uri, rriten edhe kur nuk luajnë në formacion në klube të mëdha.

Futbollistët e tjerë? Bare kishte shumë vështirësi në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ra në sy, sepse duhet të jetë agresiv me organizatorin e skuadrës kundërshtare. Abrashi nuk e bëri mirë punën e tij në pjesën e parë.

Cili futbollist i ngjan Myrtajt? Ndoshta Uzuni për disa momente. Për shpejtësinë, për ikjen në thellësi. Ky lojtar më pëlqen shumë. më erdhi keq që në pjesën e parë nuk u aktivizua shumë. pjesën e dytë kur ekipi i rrit ra në sy edhe loja e tij. Në zonë është i rrezikshëm, sot nuk pati shansin të gjuante në portë, por kur gjuan në portë është i rrezikshëm.

Ndjesitë në “Air Albania”? Kam luajtur këtu kundër Greqisë, në 4 shtator të 2004, ku fituam 2-1 përballë kampionëve të Europës. Stadium i bukur, tifozët, ekipi që kërkonte të shënonte, kur ishte në avantazh. Është kultura jonë, që mbështesim skuadrën vetëm kur fiton, por skuadra duhet të mbështetet për 90 minuta. Do e mësojmë edhe ne këtë gjë, gradualisht. Sot tifozët më pëlqyen. Ishte një ndeshje ku nuk kishin vlerë pikët. Ishte një ndeshje, që dhuroi spektakël. / Oversport.tv

You may also like