MV – MPJ dhe MM vendosin për dhënien e lejes për fluturimin e avionit të Lavrovit

by admin
Spread the love

SHKUP, 25 nëntor /ATSH-MIA/ – Qeveria maqedonase njoftoi se ministritë e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes do të mund, në mënyrë shtesë, të vendosin për dhënien e lejes për fluturim dhe uljen e një aeroplani rus gjatë takimit të OSBE-së në Shkup, me të cilin pritet të mbërrijë ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.

“Përmes këtij plotësimi, ministritë e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes do të mund në mënyrë shtesë të vendosin për dhënien e lejes për fluturim dhe ulje të aeroplanit rus gjatë mbajtjes së mbledhjes së 30-të ministrore të OSBE-së në Shkup, në periudhën prej 29 nëntorit deri më 1 dhjetor të vitit 2023”, thuhet në njoftimin qeveritar.

Aty thuhet se në seancë është marrë vendim për vendosjen e masave restriktive në pikëpamje të aktiviteteve të Federatës ruse, me të cilin kufizohet qasja e aeroplanëve të Federatës Ruse, e në pajtim me Rregulloren e Këshillit të BE-së nga Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë së BE-së, me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut është plotësisht, respektivisht 100 për qind, e harmonizuar.

“Plotësimi është në pajtim me Rregulloren e BE-së dhe dispozitat e vetë masave restriktive, me të cilat, për konferenca ndërkombëtare, siç është Samiti i OSBE-së në Shkup, janë paraparë përjashtime për restriksione të subjektit”, thuhet në kumtesën e qeverisë.

Paraprakisht, përmes kumtesës informatën e ka publikuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme, duke thënë se përmes vendimin të plotësuar, qeveria maqedonase u ka dhënë autorizime ministrive kompetente që të mund të vendosin vetë për dhënien e lejes për fluturim dhe ulje të aeroplanit rus.

Media ruse para disa ditëve njoftoi se Rusia ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut, e cila kryeson OSBE-në këtë vit, të japë viza për delegacionin e saj për mbledhjen ministrore.

Rusia, sipas medias ruse, kërkon viza për 85 anëtarë të delegacionit rus për pjesëmarrje në mbledhjen ministrore të OSBE-së në Shkup.

”Në delegacion do të jenë ministri rus i Punëve të Jashtme, mjeku i tij, personeli teknik, sigurimi, 17 diplomatë, mes të cilëve edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Marija Zaharova dhe 24 gazetarë”, njofton media ruse./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like