Moment i vështirë për Brojën, trajneri i Fulhamit e nxjerr jashtë planeve

by admin
Spread the love

Moment i vështirë për Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar mori ftesë nga Sylvinho për t’u grumbulluar me kuqezinjtë për miqësoret e muajit mars, por pavarësisht kësaj, situata te Fulhami i është komplikuar së tepërmi.

Trajneri Marco Silva e ka dërguar sulmuesin shqiptar në tribunë në derbin ndaj Tottenhamit, teksa për median britanike ka deklaruar se bëhet fjalë për një vendim teknik, duke qenë se është rikthyer edhe sulmuesi tjetër Raul Jimenez.

“Është vetëm një vendim teknik, asgjë më shumë. Sulmuesi titullar është Muniz dhe kam një tjetër sulmues në stol, Jimenez. Ne kishim nevojë për një sulmues të dytë dhe vendosëm për të mbajtur Raul. Ishte një vendim vërtet i vështirë, nuk ka dyshime për të”, u shpreh trajneri i Fulham.

Natyrisht një lajm mjaft i keq për Brojën, që në fillim të shkurtit u transferua në huazim te Fulhami për të marrë më shumë minuta, por aventura në klubin tjetër londinez nuk po rezulton aspak sipas pritshmërive.

Fill pas transferimit të Brojës, sulmuesi rezervë i Fulhamit, Rodrigo Muniz shpërtheu me gola, asiste e lojë të bukur, duke mos lëshuar vendin e titullarit. Ndërkohë aktualisht është rikthyer edhe meksikani Raul Jimenez, sulmuesi 32-vjeçar që ka lënë pas dëmtimin dhe është gati të rimarrë vendin e tij në 11-she.

Tashmë Brojës do t’i duhet të punojë shumë më tepër për të fituar hapësira te Fulham, pasi ka nevojë për minuta në mënyrë që të bindë trajnerin Sylvinho t’i japë një biletë për në Europianin e Gjermanisë./ Super Sport


Top Channel

You may also like