Michel ul euforinë: Sukses edhe nëse e mbyllim në vendin e gjashtë

by admin
Spread the love

Girona po shkruan historinë në La Liga.

Skuadra katalanase nuk është më një surprizë, teksa kryeson kampionatin spanjoll me 52 pikë.

Një më shumë se Reali (-1 ndeshje) dhe 8 mbi Barcelonën.

Djemtë e Michel shkatërruan 5-1 Sevillan, sfidë ku shkëlqeu ukrainasi Dovbyk me tre gola të realizuar brenda 6 minutave.

Tifozët po përjetojnë një ëndërr të bukur, ndërkohë që trajneri Michel ndihet në qiellin e shtatë. Dhe nuk i kursen elozhet për lojtarët e ekipit të tij.

“Ishte një ndeshje e pabesueshme përballë Sevillas, që ka në përbërje lojtarë të mrekullueshëm. Djemtë e mi i meritojnë lavdërimet që po marrin. Kemi shkruar historinë, jam i lumtur për tifozët dhe djemtë e mi.

Dovbyk? I jashtëzakonshëm! Ai ka një aftësi unike për të shënuar gola, i treti është një nga më spektakolarët që kemi parë. Këta lojtarë meritojnë gjithçka. Kanë shumë talent dhe është kënaqësi t’i shohësh çdo ditë në stërvitje.

Titulli? Unë shoh Barçën, Realin e Madridit dhe Atleticon të aftë për të fituar dhjetë ndeshje radhazi. Unë nuk pres që të bëjmë të njëjtën gjë. Është e pamundur të mendosh se do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet.

Pasi ky është objektiv i skuadrave si Manchester City, PSG, Bayern Munich, Barcelona dhe Real Madrid. Ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Sigurisht që mund të luftojmë për Europën, sepse jemi 20 pikë mbi vendin e shtatë.

Të shohim nëse do të kualifikohemi në Champions League, por nuk do të ishte dështime dhe nëse do ta mbyllnim kampionatin në vendin e gjashtë”, theksoi trajneri i Gironës.

You may also like