Messi në bisedime me sheikët arabë për një transferim me shifra marramendëse

by admin
Spread the love

Lionel Messi është duke qëndruar në Arabinë Saudite, ku po i shijon disa ditë pushimi, ndonëse nuk ka marrë leje nga klubi i tij, Paris Saint-Germain.

Gjatë qëndrimit atje, thuhet se ylli argjentinas ka pasur takime me sheikët arabë, të cilët po i bëjnë atij presion që të përfundojë në Saudi Pro League gjatë verës që po vjen.

Qeveria saudite po e përgatit një ofertë me shifra marramendëse për kampionin e freskët të botës për t’iu bashkuar Cristiano Ronaldos në ligën elitare të këtij shteti.

Madje, mediumi britanik “The Telegraph” raporton se Messit i është ofruar një rrogë e pabesueshme prej 363 milionë eurosh në vit, përcjell “Gazeta Express”.
Bisedimet janë zhvilluar edhe me babanë/menaxherin e tij, Jorge Messi, ndërkohë që pas pak javësh 35 vjeçari do të jetë lojtar i lirë dhe do të largohet gjithsesi nga Paris Saint-Germain.

Klubi ekzakt i Saudi Pro League ku mund të transferohet Messi mbetet ende i pavendosur, por thuhet se rivalët e Al-Nassr, Al-Hilal shihen si një mundësi.

Arabia Saudite njëkohësisht synon ta bëjë Messin si ambasador, në synimin e saj për ta fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2030.

Messi udhëtoi së fundmi në Arabinë Saudite bashkë me gruan e tij, Antonella Roccuzzo dhe fëmijët pa marrë leje nga klubi, i cili me këtë rast e suspendoi për dy javë dhe në njëjtën kohë, në këtë periudhë ai nuk do të marrë rrogë.

PSG-ja ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën Messit, i cili krahas Arabisë Saudite, i ka në opsion edhe rikthimin në Barcelonë apo transferimin në ligën amerikane – MLS, ku e pret klubi i atjeshëm, Inter Miami.

You may also like