Mërgimtarët edhe të martën vizituan Kuvendin – Deputetët e PDK-së vlerësojnë kontributin e tyre në shtetndërtim

by admin
Spread the love

Për dy ditë më radhë, Kuvendi i Republikës së
Kosovës ka qenë i hapur për bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë t’i vizitojnë
hapësirat e këtij institucioni. Ky aktivitet është tashmë tradicional dhe
organizohet në kuadër të javës “Bashkatdhetarët në Kuvend”, raporton Ekonomia
Online.

Me këtë rast, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa,
tha se mërgimtarët luajnë rol të madh në historinë e Kosovës, duke përfshirë
edhe themelimin e institucioneve.

“Është kënaqësi t’i presësh mërgimtarët.
Normalisht se ata emocionohen kur vinë në Kuvendin e Kosovës, sepse mërgimtarët
kanë dhënë shumë për themelimin e këtyre institucioneve. Nuk ka kuptim historia
e Kosovës pa angazhimin e tyre sepse kanë qenë promotorë në çdo ngjarje të
Kosovës, duke përfshirë luftën e fundit, luftën e Ushtrisë Çlirimtare”.

Tutje, Beqa vlerësoi edhe mbështetjen
financiare të mërgimtarëve si dhe aktivizmin e tyre, teksa tha se ata presin
vigjilencë dhe efikasitet nga institucionet e Kosovës.

“Mërgimtarët kanë qenë edhe mbështetje
financiare maksimale por edhe aktiv, kemi dëshmorë, kemi heronj e martir që
kanë ardhë prej shteteve të ndryshme. Andaj, mërgata dëshiron t’i shoh
institucionet e Kosovës me vigjilente, më efikase dhe vendin me një zhvillim
ekonomik më të hovshëm. Mërgata e Kosovës sjell jetë jo vetëm këtu në parlament
por në gjithë Kosovën”, tha Beqa.

Ndërsa, një mërgimtar që po vizitonte
Kuvendin, tha se kjo vizitë është me rëndësi sepse i jep mundësinë ta shoh nga
afër vendin ku merren vendimet, si dhe kërkoi vendime që përmirësojnë
mirëqenien e qytetarëve.

“Është shumë me rëndësi që edhe ne ta shohim
këtë sallë ku janë deputetët shqiptarë, që japin mendimet e tyre për çështjet
madhore të Kuvendit”.

“Bëj thirrje për vendime të qarta për gjendjen
shëndetësore, sepse shoh se ka mungesa në rrjetin social shëndetësor. Populli
duhet të shërohet dhe kontrollohet pa para”.

Tutje, ky mërgimtar, bëri thirrje që të rinjtë
mos ta lëshojnë Kosovën, raporton EO.

“Çështja ime ka qenë politike në kohën kur e
kam lëshu Kosovën, prej Serbisë, por nuk do të thotë që rinia duhet ta bëjë
këtë”.

Deputeti tjetër i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se
mërgimtarët kanë dëshirë të njoftohen me problemet, proceset dhe funksionimin e
Kuvendit.

‘Po i presim vëllezërit dhe motrat tona që
kanë ardhë në Kosovë, që dëshirojnë t’i vizitojnë ambientet e Kuvendit të
Kosovës dhe të bisedojnë me deputetët qe janë në sallë. Ata dëshirojnë të
njoftohen me problemet, proceset që janë duke u zhvilluar dhe funksionimin e
Kuvendit”.

Ndërsa, një tjetër vizitor i Kuvendit, nga
Finlanda, tha se është kënaqësi ta vizitojë këtë institucion, për të cilin u
shpreh se “duket më i madh në televizor”.

“Ndihem i privilegjuar qe jam në parlamentin e Kosovës. Është kënaqësi të jesh në kuvendin e vendit ku ke lindë, edhe pse unë jam ne asamblenë komunale në Finlandë që dy mandate. Kuvendi po duket më i vogël sesa në televizor”, u shpreh ai.

You may also like