Mekanizmi i CEFTA-s për zgjidhjen e kontesteve bëhet më gjithëpërfshirës

by admin
Spread the love

Të pasurit e një mekanizmi të besueshëm për zgjidhje të kontesteve është esencial për bashkëpunim të suksesshëm ekonomik dhe rritje të tregtisë ndërmjet palëve të CEFTA-s dhe hyrjen e tyre të mëvonshme në tregun e vetëm të BE-së.

Kështu u vlerësua në takimin në Podgoricë, ku u zhvilluan dy ditë negociata për Protokollin Shtesë 7, duke shënuar përparim në ngritjen e një Mekanizmi më efikas për Zgjidhje të Kontesteve (MZK).

MZK-ja nënkupton një proces të bazuar në rregulla për zgjidhjen e kontesteve që mund të lindin ndërmjet dy apo më shumë Palëve të përfshira në tregti.

“Për të parandaluar efektin e dëmshëm në tregtinë dhe marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Palëve të CEFTA-s, duhet të kapërcehen barrierat tregtare dhe të zgjidhen kontestet. Qëllimi i negociatave të vazhdueshme është krijimi i një mekanizmi të shpejtë, transparent, të adaptueshëm dhe ekonomik për zgjidhjen e kontesteve. Një sistem i tillë duhet të udhëhiqet nga rregulla, të jetë i pavarur, i paanshëm dhe përfundimisht i aftë të garantojë mbrojtje dhe zbatim. MZK i përmirësuar pritet të kontribuojë ndjeshëm në integrimin në kuadër të CEFTA-s, përmes parashikueshmërisë më të madhe”, theksoi Emir Gjikiq, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.

David Hudson nga Drejtoria e Komisionit Evropian për Politika e Zgjerimit dhe Fqinjësisë (DG NEAR) theksoi se të pasurit e “një mekanizmi efektiv për zgjidhje të kontesteve u jep tregtarëve dhe investitorëve besim për ndërtimin e biznesit me tregje të reja. Kjo është arsyeja pse puna në kuadër të CEFTA-s për një mekanizëm të përmirësuar për zgjidhje të kontesteve është kaq e rëndësishme për nxitjen e tregtisë në Ballkanin Perëndimor. Është duke u bërë progres dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të arrihet një marrëveshje”.

Duke e pranuar rëndësinë e miratimit të mekanizmit efektiv të CEFTA-s për zgjidhje të kontesteve, znj. Jovana Kruniq, Drejtore e Përgjithshme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të Malit të Zi theksoi se finalizimi i negociatave për Protokollin Shtesë 7 për Zgjidhjen e Kontesteve është përcaktuar si një nga Prioritetet e Kryesimit të CEFTA-s 2023, si dhe i inkurajoi të gjitha Palët e CEFTA-s që të vazhdojnë me qasjen konstruktive në negociata me qëllim mbylljen e çështjeve të mbetura të hapura dhe përfundimin e negociatave gjatë këtij viti dhe kryesimit të Malit të Zi. Ajo nënvizoi se një mekanizëm për zgjidhje të kontesteve që funksionon mirë mund të sjellë shumë përfitime për marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe Palët e saj. Mekanizmi mund të ndihmojë në parandalimin dhe zgjidhjen e kontesteve tregtare në kohën e duhur dhe në mënyrë efikase, duke ulur kështu pasigurinë dhe duke rritur parashikueshmërinë për bizneset dhe investitorët. Kjo mund të nxisë edhe pajtueshmërinë me rregullat dhe zotimet e marrëveshjes, duke ndikuar kështu edhe në nxitjen e kushteve të barabarta për të gjitha Palët.

Negociatat për Protokollin Shtesë 7 të CEFTA-s u iniciuan në vitin 2020 dhe janë të frymëzuara nga sistemi i OBT-së dhe modeli i BE-së. MZK përfshin konsultim ose negocim, ndërmjetësim dhe arbitrazh për të lehtësuar zgjidhje të shpejta dhe të thjeshta ndërmjet Palëve në konteste. Protokolli Shtesë 7 do të rregullojë procedurat e ndërmjetësimit, rregullat e konsultimit, procedurat për zgjidhje të kontesteve, procedurat e pajtueshmërisë, shqyrtimin e pajtueshmërisë dhe Kodin e Sjelljes për anëtarët e trupës së arbitrazhit, përveç dispozitave të përgjithshme në lidhje me afatet, kostot dhe logjistikën.

Negociatat për Protokollin Shtesë 7 mbështeten nga projekti i UNCTAD-it “Monitorimi dhe raportimi i masave jo-tarifore, dhe mbështetja për zbatimin e Mekanizmit të CEFTA-s për Zgjidhje të Kontesteve”, me financim nga Komisioni Evropian.

“Projekti u ofron negociatorëve asistencë ligjore, në mënyrë që ata të arrijnë një marrëveshje për një mekanizëm modern dhe efektiv. Aktivitete të tjera të ndërlidhura do të mbështesin zbatimin e AP7 sapo të miratohet dhe do të rrisin vetëdijesimin e bizneseve. Ai gjithashtu do të mbështesë përpjekjet për monitorimin e MJT-ve dhe transparencën e rregulloreve në lidhje me tregtinë”, tha përfaqësuesi i UNCTAD-it. “Konfliktet tregtare lindin natyrshëm dhe zgjidhje efektive e tyre ndihmon edhe në parandalimin e barrierave dhe mbështet një treg të zgjeruar e më të madh për kompanitë. Ne i shohim palët e CEFTA-s që gjenerojnë biznes në shkallë më të gjerë, dhe po i sheshojnë pengesat që u dalin rrugës duke pasur një mekanizëm efektiv për zgjidhje të kontesteve”, shtoi UNCTAD-i.

Rregullat aktuale për zgjidhjen e kontesteve janë përcaktuar në Marrëveshjen e CEFTA-s. Mekanizmi fillestar për zgjidhje të kontesteve rezultoi i paefektshëm për realitetin e ri dhe kërkonte reforma serioze për shkak të përdorimit të kufizuar të tij, pasi që forcimi i bashkëpunimit ekonomik çoi në rritjen e flukseve tregtare dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Palëve.

You may also like