“Më mungon jeta që kisha në Itali”, Bonuçi flet për të ardhmen: Rikthehem te Juventusi si trajner

by admin
Spread the love

Leonardo Bonuçi po luan sezonin e tij të fundit në karrierë në Gjermani te skuadra e Union Berlin. Në një intervistë për spanjollen “Marca”, ai theksoi edhe njëherë dëshirën për t’u rikthyer te Juventus, këtë herë në rolin e trajnerit, profesion që e shikon si mundësi për të ardhmen.

“Transferimi në Gjermani ishte ndryshimi i madh për mua, ishte e vështirë në fillim pasi jam edhe vetëm, familja ime jeton në Torino. Isha në një qytet që nuk e njihja, megjithatë pak nga pak situata ndryshoi dhe nisa të ambientohesha. Tani mund të them se jam i lumtur dhe po e shijoj këtë eksperiencë. Sigurisht më mungon familja, Italia dhe jeta që kisha. Por, në jetë duhet të kemi kurajon për t’u përballur me sfidat e reja.

Juventusi? Të gjithë e dinë se cila ishte dëshira ime. Tani nuk jam edhe aq i nxehur sa në fillim, duhet të shohim përpara. Eksperienca te Juventus ishte e mrekullueshme dhe do të doja ta mbyllja karrierën atje. Nuk kam asnjë peng asgjë pasi e di që kam dhënë maksimumin për skuadrën. Flas me shokët çdo fundjavë, kjo tregon se kam qenë një person i rëndësishëm në dhomat e zhveshjes.

Një rikthim? Është një nga objektivat e mi. Dua shumë të bëhem trajner dhe nëse ia dal ta ushtroj këtë profesion në elitë, atëherë dua të trajnoj Juventusin. I jam mirënjohës Andrea Anjelit Marotës, Paraticit dhe Nedved. Trajneri që më ka ndryshuar dhe përmirësuar më shumë është Antonio Konte”, u shpreh Bonuçi.

PANORAMASPORT.AL

You may also like