“Mbi 24 mijë euro shmangie nga tatimi” – shtyhet gjykimi ndaj Sinan Vllasaliut, shkak koncerti në SHBA

by admin
Spread the love

Për shkak se i akuzuari Sinan Vllasaliu nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, është shtyrë gjykimi në rastin ku i njëjti po ngarkohet se  në cilësinë e këngëtarit iu shmang mbi 24 mijë euro tatim shtetit.

Gjykatësja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica njoftoi se paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit Vllasaliu avokat Florent Latifaj ka njoftuar se i mbrojturi i tij ndodhet në ShBA me destinim pune si këngëtar dhe për këtë ka sjellë edhe agjendën e tij, duke njoftuar se me 27 qershor i njëjti do kthehet në Kosovë.

Gjykatësja Krasniqi-Jashanica njoftoi avokatin se tani i akuzuari mund të gjykohet edhe në mungesë, ngase sipas saj i njëjti në vazhdimësi po mungon në seanca, duke paralajmëruar se nëse nuk vije në seancën tjetër, gjykimi do vazhdoj edhe pa të.

Në rrethana të tilla seanca e sotme është shtyrë dhe e njëjta do mbahet me 4 korrik të këtij viti, raporton” Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e sotme ishte e pranishme prokurorja e shtetit Elza Bajrami, avokati Florent Latifaj dhe përfaqësuesi i autorizuar i Administratës Tatimore të Kosovës Rinor Arifi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Në aktakuzë shkruan se i pandehuri Vllasaliu, në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë, në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, i njëjti nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./Botapress.info/

You may also like