Mbi 100 qytetarë kanë raportuar se duan të largohen nga Izraeli, MPJ ka përgatitur analizë për mundësitë të cilat do t’i prezantojë para Qeverisë

by admin
Spread the love

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se ka përgatitur analizë dhe projeksion të detajuar të të gjitha mundësive që do t’i paraqesë Qeverisë, e cila më pas do të vendosë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren, në lidhje me ndihmën dhe evakuimin e qytetarëve tanë në Izrael, ku situata e sigurisë, mbetet ende komplekse.

Siç bën të ditur MPJ, situata në dhe rreth Tel Avivit, si dhe qytete të mëdha në Izrael dhe Bregun Perëndimor, edhe pse pa operacione ushtarake, mbetet e tensionuar. Aeroporti Ndërkombëtar i Tel Avivit është plotësisht funksional dhe fluturime të rregullta komerciale si dhe fluturime speciale çarter ende funksionojnë prej andej; por kompanitë e shumta të linjave ajrore në mbarë botën në pjesën më të madhe i kanë anuluar linjat e rregullta, gjë që e bën të vështirë transportin e rregullt ajror.

Nëpërmjet kanaleve të ndryshme të transportit, gjatë ditës së djeshme 20 qytetarë tanë janë larguar nga Izraeli, ndërsa numri i shtetasve të regjistruar që duan të largohen ka kaluar mbi 100. Për momentin shumica e këtyre shtetasve ndodhen në lokacione që konsiderohen të sigurta, ndërsa rreth njëzet prej tyre tashmë kanë siguruar bileta për disa nga fluturimet komerciale të rregullta ose çarter që janë në dispozicion.

Disa qytetarë, në pikat tona të kontaktit, raportuan se ndodhen në pjesët e vendit që janë prekur nga veprimet e dhunshme dhe konsiderohen të pasigurta; ambasada jonë në Tel Aviv, si dhe qendra e kontaktit në Shkup, janë në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe po punohet në mënyrë aktive për të siguruar transferimin e tyre në një vend të sigurt, nga ku mund të dërgohen drejt shtëpisë.

Siç ka raportuar më parë MPJ, sipas vlerësimeve të shtabit të krizës, vlerësohet se në territorin e Izraelit dhe në zonat e kërcënuara banojnë nga 100 deri në 200 qytetarë tanë, nga të cilët më shumë se gjysma janë hartuar saktësisht dhe kontakti me ta mbahet rregullisht.

Për më shumë informacione janë në dispozicion linjat telefonike SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme 075/273-732 dhe 075/268-736, si dhe linja telefonike e Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926-7378.

Informacione më të hollësishme rreth situatës aktuale mund të gjenden në faqen në vijim: https://www.oref.org.il/12481-en/Pakar.aspx

MPJ, edhe një herë u bën thirrje qytetarëve tanë që aktualisht ndodhen në Izrael të respektojnë udhëzimet e organeve të sigurisë së Izraelit, si dhe të paraqiten në ambasadën në Tel Aviv ose në telefonat kujdestarë në Shkup.

MARKETING



You may also like